OpEd

“Brezovica” dhe “Trepça”, dy provimet e mëdha

“Brezovica” dhe “Trepça” janë dy teste të mëdha në të cilat institucionet e Kosovës kanë rënë nga provimi. Kuvendi dhe Qeveria më shumë se për çdo gjë tjetër, dhe jo një herë, janë mburrur se ua vunë pikën dilemave, sidomos për kompleksin metalurgjik “Trepça”.

E po bëhen 20 vjet që ndërhyrjet në to, me debate, ligje e strategji, kanë nisur dhe kanë përfunduar brenda mureve të institucioneve të pushtetit në Prishtinë. Lista e dështimeve është e gjatë, por kompleksiteti i “Brezovicës” dhe i “Trepçës” në vetvete demonstron më së miri tërësinë e kapaciteteve politike dhe ekonomike. Është nyja e krijimit të (mos)besimit të përgjithshëm në raport me vlerësimet për mundësinë e shfrytëzimit të potencialeve të Kosovës nga investitorë të huaj.

Dështimi i parë - Projekti për investime në kompleksin turistik “Brezovica” është ideuar diku në vitin 2006 nga Agjencia e Mirëbesimit, tash e Privatizimit. Janë dashur vite që kjo ide të lëvizte nga vendi për t’u artikuluar në vitin 2015, jo më me titullar AKP-në, por me Qeverinë e Kosovës. 

Projekti u bë publik dhe i hapur për investime në formën e koncesionit. U tha që kompleksi “Brezovica” përfaqëson potencialin më të madh turistik të Kosovës. E ndërtuar në vitin 1970, kjo qendër ka vuajtur mungesën e investimeve, dhe sot, përveç asaj që është dhuratë e natyrës, ajo nuk ofron shërbimin minimal për vizitorë. 

Për ndikimin ekonomik nuk vlen të harxhohen as fjalë e as shifra – bilanci është zero. Pas shumë kontestimeve për të drejtën e menaxhimit të pronës së saj, në dhjetor të vitit 2015, konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” u shpall fitues, me ofertën e investimit prej 409 milionë eurosh. Në tre vjetët e parë u tha se do të investohen 165 milionë euro (gjashtëfish më pak se autostrada që lidh Pejën me Gjakovën). 

Për efekt do të krijohen 4000 vende të reja pune, si dhe shumë partneritete me biznese shërbyese e prodhuese vendore. Më shumë se dobia ekonomike, investimi në Brezovicë u përkthye si përmirësim imazhi dhe mundësi marketingu për investitorët e tjerë të huaj. Por, projekti i promovuar në kohën e Qeverisë Thaçi e i “jetësuar” në Qeverinë Mustafa qëndroi në skenën e “sukseseve” më pak se bora sezonale në majat e Brezovicës. 

Gjashtë muaj nga përzgjedhja e fituesit, u shpall i dështuar projekti. Qeveritarët e Kosovës, teksa po ngriheshin dyshimet në media për probleme në proces, u përpoqën gjatë të gënjejnë opinionin se kontraktuesi nuk po arrin të sigurojë fondet e fazës së parë dhe se nuk ka pengesa të tjera formale. U desh të bëhej publike letra e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për t’i treguar opinionit se për Brezovicën “vendos” Beogradi. Në letrën dërguar kompanive të përfshira në konsorciumin për Brezovicën, Gjuriqi kërcënoi se rasti do të shkojë në arbitrazh. 

Por, edhe pas publikimit të letrës kërcënuese, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë reagim. Madje dy ditë më vonë e ka shpallur të dështuar projektin me arsyetimin e mosplotësimit të kushteve nga investitori. Qeveria e Serbisë atëbotë është zotuar se “do t’i mbrojë pronën dhe qytetarët e vet”. 

Qeveria e Kosovës nuk i doli zot pronës së saj – nuk e ktheu më as në agjendë. Dështimi i dytë - Formalisht tri asetet thelbësore të kombinatit xehetar-metalurgjik “Trepça” kanë marrë statusin e shoqërisë aksionare. Ato përbëhen nga afro 20 njësi të ndryshme. Me Ligjin për “Trepçën”, Ekzekutivi i mban 80 për qind të aksioneve, kurse pjesa tjetër u takon punëtorëve. 

Në të kaluarën kompleksi minerar i “Trepçës” ishte gjigant industrial i cili përfaqësonte burimin substancial ekonomik për ish-Jugosllavinë. Në periudhën mes viteve 1965 dhe 1985, mesatarja e punëtorëve ishte rreth 10 mijë, thuhet në arkivat kushtuar kësaj ndërmarrje. “Trepça”, ndryshe nga “vitet e arta”, në Kosovën e pasluftë është e ndarë, ashtu siç është e ndarë Mitrovica, e ashtu siç është i pjesshëm edhe ushtrimi i autoritetit nga pushteti qendror në veri dhe në komunat e tjera me shumicë serbe, edhe pas shpalljes së pavarësisë. 

Pjesa jugore e ndërmarrjes aktualisht punëson rreth 1.500 punëtorë, ndërsa pjesa veriore, e cila menaxhohet nga serbët ka afro 3000. Menaxhmentet e dy pjesëve nuk kanë asnjë komunikim mes vete. Ky që drejton asetet në pjesën jugore vazhdimisht është ankuar për mungesë përkujdesje nga Qeveria. 

Për shumë vjet pas luftës kjo ndërmarrje është subvencionuar nga buxheti me nga disa miliona në vit. Tek pas vitit 2010, me kapacitetet prodhuese ka mundur të siguronte pagat për punëtorë, dhe një fitim simbolik për investime të vogla. Së fundi, menaxhmenti i “Trepçës” është ankuar edhe për mungesën e fuqisë punëtore. Barrën kryesore të atij pak prodhimi, sipas tij, e bart mosha e punëtorëve prej 62 deri në 65 vjet. Dhe këtu nuk mbyllet historia e ankesave. 

Në korrik të vitit 2018, punëtorët paralajmëruan grevë, e kjo u bë realitet në fillim të këtij viti. U kërkua rritja e pagave dhe shkarkimi i bordit. Qeveria që kishte rritur të ardhurat për vete 100 për qind u mundua të justifikonte pamundësinë e ndryshimit të pagave, me qëllim që të sigurojë paqen me punëtorët dhe të fshehë paaftësinë për zgjidhje racionale dhe afatgjate të problemit të saj. 

Në shkurt të këtij viti autoritetet e Kosovës kanë miratuar statutin e kësaj ndërmarrjeje, ndërsa një muaj më vonë e kanë regjistruar si shoqëri aksionare në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për të cilin viti 2019 është “vit i Trepçës”, e ka quajtur regjistrimin “moment historik”. Gjatë këtij viti ka thënë se do të verifikohen rezervat në mënyrë që investitorët e huaj të dinë saktësisht se çfarë potenciali ka kjo ndërmarrje. Por, pak para këtyre vendimeve Qeveria e Serbisë, me ceremoni, ka kremtuar 90-vjetorin e “Trepçës”. 

Ka miratuar edhe vendimin që në kuadër të kësaj ndërmarrjeje të fillohet me ndërtimin e fabrikës së akumulatorëve me vlerë 14 milionë euro. Në kremtim është lexuar letra e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë: “Derisa të jetë Serbia, ‘Trepçën’ s’ ka kush që t’ua marrë nga duart”.

Përplasja Kosovë-Serbi nuk përkufizohet vetëm në termat “Brezovicë” dhe “Trepçë”. Është më e thellë se kaq. Dhe, për sa kohë që ekziston kjo marrëdhënie armiqësore shumëdimensionale, dhe për sa kohë që tolerohet Serbia të ndërhyjë në funksionimin e shtetit të Kosovës - investimet e huaja në këto njësi janë vështirë të realizueshme. 

E po ashtu edhe për ndërmarrje dhe sektorë të tjerë ku nuk i fut hundët Serbia ka pak shanse të rrezikojë kapitalin e tij ndonjë mendje e shëndoshë, për sa kohë që vendi udhëhiqet nga bandat, që drejtësia vetëm këtë funksion dhe emër nuk ka, që autostradat projektohen për t’u shërbyer kryesisht pronarëve të tokave që duhet shpronësuar, që tregtia dhe aktivitetet e tjera “në të zezën” arrijnë në mbi 30 për qind, që vendi boshatiset nga të rinjtë dhe kuadrot, që cilësia e politikëbërjes nis e përfundon në diskursin e odave, apo që emërimet në borde dhe institucione të pavarura ua ngrenë nervat edhe ambasadorëve të vendeve mike. 

Nuk vijnë edhe për një arsye që kanë përmendur ekspertët e ekonomisë - Kosova, për shkak të pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare e mban epitetin e vendit në krizë.