OpEd

Brezi i rasteve të humbura

Serbia nuk na e shkatërroi as arsimin e as drejtësinë. I shkatërruam vetë. Kaq ditëm. Apo vetëm kaq deshëm të dinim

Gati një çerek shekulli pas luftës, Kosova ende përballet me problemet thuajse të njëjta me ato që i ka pasur menjëherë pas përfundimit të saj (hiq shkatërrimin masiv dhe rindërtimin emergjent të shtëpive dhe të infrastrukturës bazike).

Më 2023, Kosova sërish del në fund të pusit pas testimit PISA. Sipas Institutit EdGuard, 70% të të anketuarve që i janë nënshtruar testimit kanë deklaruar se pyetjet ishin konfuze. Rreth 90% të tyre kishin deklaruar se ishin informuar se testi do të mbahej, por asgjë nuk u ishte thënë për rëndësinë e testit e as për përmbajtjen. Shumica absolute kishte deklaruar se meqë testi nuk notohej, pra aty nuk kishin interes të drejtpërdrejtë, e kishin marrë atë “me të lehtë”.

Këto tri përgjigje tregojnë për një sistem arsimor të mjerueshëm, ku ende gjërat mësohen përmendsh e jo me logjikë; ku detyrimet që merren varen nëse ke interes personal ose jo dhe ku ka mungesë absolute të njohurive të përgjithshme për një test për të cilin flitet çdo të tretin vit kalendarik.

Dhe përderisa 15-vjeçarët mund të mos kenë dëgjuar për PISA-n, pavarësisht se sa shpesh është përmendur ai test në dhjetëvjetëshin e fundit, ata që do t’ia kenë dëgjuar emrin kanë qenë gjithsesi mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollave. Dhe nëse problemi paskësh qenë te informimi i nxënësve, faji është evident dhe u bie në barrë arsimtarëve.

Por përgjigjja më goditëse është përfundimisht ajo e “pyetjet kanë qenë konfuze”. Reading comprehension quhet ushtrimi për të zbuluar po qe se dikush kupton atë që e lexon. Dhe ky ushtrim nuk është i lehtë nëse nuk ke shprehi leximi të një përmbajtjeje logjike dhe me gjuhë pa gabime gjuhësore. Dhe absolutisht është i pakapshëm po qe se i qasesh inteligjencës artificiale për të ta zgjidhur çfarëdo çështje e formulimi. E aq më pak nëse “leximi yt” i vetëm është TikToku a Instagrami.

Reagimi i ministres dhe heshtja e Qeverisë

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjellë sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe mbeti në post.

Arsyetim ma pa kripë dhe ofendues sesa “kemi pasur situatë pas pandemisë”, nuk e di a ka. Përderisa pandemia ka qenë shansi më i mirë për digjitalizimin e sistemit arsimor dhe nisjen e ndryshimit të qasjes ex-cathedra dhe shndërrimit të arsimit që e njohim të gjithë në një diçka interaktive dhe përfshirëse e nxënësve, ministrja na del e na thotë se kanë munguar kushtet për punë.

Po ta kisha dëgjuar këtë deklaratë më 1998-n, e kisha përkrahur ministren me plot zell: atëherë mbi 35% e fondit të ndërtesave shkollore ishin shkatërruar ose dëmtuar aq, saqë nuk mund të përdoreshin për qëllim nxënieje. Por të thuash “mungesë e kushteve” më 2023 dhe kur milionat derdhen në gjëra të kota dhe të paefektshme, ndërkohë që PISA tregon se analfabetizmi funksional të është rritur prej 78% në 83% për tre vjet, është skandaloze.

Minimumi që do të pritej nga kjo ministre do të ishte dorëheqja, e nga Qeveria shkarkimi i kësaj ministreje, e cila nuk e sheh të arsyeshme të tërhiqet nga posti, për shkak se e ka gjetur fajtorin për mossuksesin e saj: pandeminë.

PISA i tregon edhe dy gjëra shumë me rëndësi: e para, se arsimi në Kosovë ka qenë dhe është prioriteti i fundit i të gjitha qeverive që e kanë sunduar Kosovën. Kot na thonë se kaq milionë janë ndarë për arsimin, kur nuk ka asnjë lëvizje të vetme në drejtim të një reforme të mirëfilltë që do të na i bëjë fëmijët të aftë për të mësuar dhe për të kuptuar se çfarë ndodh në botën që i rrethon. Për më keq, shoqëria shpenzon miliona për të prodhuar analfabetë. Pra thuajse secila qeveri ka investuar për të prodhuar sa më shumë njerëz të paaftë për të kuptuar atë që e lexojnë, e që në fund marrin nota maksimale, bëhen mësimdhënës e profesionistë që duhet ta na i formësojnë brezat e rinj shkollorë apo të marrin vendime strategjike për një shoqëri të tërë.

E dyta, se kjo qeveri e ka pasur rastin për ta bërë ndryshimin dhe nuk ka pasur pse të mendohet shumë se si t’ia bënte. Fakt është se gjërat që funksionojnë në një shtet nuk funksionojnë përherë kur replikohen fije për pe, por askush nuk e ka ndalur këtë qeveri e këtë ministre që ta angazhojë ndonjë ekspert finlandez që ta hartojë një reformë brenda kontekstit kosovar. Kur nuk di, nuk të bën zarar ta thërrasësh dikë në ndihmë. Nuk është turp të pranosh se NUK DI. Marre është të paraqitesh si ekspert, e që macen prej përsheshit të mos mund ta nxjerrësh.

Kosovës iu deshën dy dekada pas Luftës së Dytë Botërore që ta rrëzojë shkallën e analfabetizmit prej 80% në 20%. Kosovës së re iu deshën 20 vjet për t’ua ndërruar vendin numrave dhe në kohën e avancimit maksimal të teknologjisë ta gjejë veten me arsim më të dobët sesa Palestina e okupuar dhe Ukraina që ka dy vjet është në luftë.

Teknologjia kundër zanatit

Teknologjia është, me gjasë, ajo që po i zbulon, një nga një, njerëzit që përpiqen ta pengojnë administrimit e drejtësisë, pra mbarëvajtjen e procesit të gjykimeve në Hagë. I fundit në listën e të arrestuarve, të ekstraduarve dhe të akuzuarve është ish-deputeti Haxhi Shala, i njohur me nofkën komandant Topi.

Shala u ekstradua nga fillimi i javës së shkuar, u deklarua i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë: frikësimi i dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për t’i penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup (me tashmë të arrestuarit Januzi e Bahtijari).

Në versionin publik të aktakuzës kundër Januzit dhe Bahtijarit, Shala quhet “bashkëkryerësi 1”. Gjithnjë sipas aktakuzës, më 5 prill 2023, Shala telefonoi Januzin. E më pas edhe Bahtijari e telefonoi Januzin. Pas thirrjeve, kur u konfirmua se “Dëshmitari 1” ishte në shtëpi, Bahtijari i shkoi në shtëpi. Bahtijari i tha “Dëshmitarit 1” se Shala e kishte kontaktuar dhe e kishte dërguar te ai që t’i thoshte që ta tërhiqte dëshminë.

Më 12 prill, Januzi i shkoi dëshmitarit në shtëpi dhe i tha se Shala kishte kërkuar që dëshmitari t’i tregonte për qasjen e zgjedhur dhe si do të mund ta zgjidhnin çështjen e dëshmisë së tij. Porosia e Shalës kishte qenë se “nëse e tërhiqte dëshminë, do ta ndihmonin”.

Sipas aktakuzës, dëshmitari u kishte thënë se nëse do t’ia sillnin 200 mijë euro do të merreshin vesh, pa e mohuar a pohuar se ishte dëshmitar.

Rasti i lartpërmendur, sikurse është thënë disa herë deri tash pas arrestimit apo edhe bastisjes së personave të caktuar, dëshmon më së miri se përse bashkësia ndërkombëtare insistoi që kjo gjykatë ta kishte selinë jashtë Kosovës.

Kjo, për shkak se Kosova nuk ka qenë në gjendje, në fakt nuk ka dashur, që t’i administrojë rastet e krimeve eventuale të luftës për më shumë se 15 vjet. Po ta kishte pasur një degë brenda Supremes që ishte marrë me to; po ta kishte pasur bile një rast të vetëm të gjykuar e dënuar, kishte krijuar njëfarë kredibiliteti. Por fakti se me ngulm është insistuar se nuk ka pasur krim tjetër lufte në Kosovë pos atij të kryer nga Serbia, e solli Gjykatën Speciale, të cilën e votuan edhe një pjesë e atyre që sot gjenden në Hagë.

Nga ana tjetër, rastet sikur i Shalës kallëzojnë për katër gjëra:

Një, se gjykimet që do t’u ofronin mbrojtje dëshmitarëve eventualë, thuajse janë të pamundur në Kosovë;

Dy, se mund të ketë dëshmitarë që mund t’ia shohin hairin shantazhit – ta ofrojnë heshtjen për para. Dhe nëse këto para nuk mjaftojnë, atëherë për më shumë para;

Tre, se qasja nëpër shtëpi për të bërë “muhabete bindëse” për interesa personale nuk është e pazakontë mes komandantësh.

Do ta kujtojmë formimin e Qeverisë Hoti në qershor të 2020-s, e cila u bë falë votës së Haxhi Shalës, atëherë deputet i NISMA-s. Përderisa më 2 qershor Shala deklaronte se nuk do ta votonte Qeverinë, po atë natë, komandant Topit do t’i shkonin në shtëpi komandantët Smajli dhe Gjarpri. Në seancë plenare më 3 qershor, Shala do të deklaronte: “Pas vizitës së mbrëmshme në familjen time të presidentit dhe ish-kryeministrit Haradinaj kam ndërruar mendje dhe vota ime do të jetë pro për këta dy persona dhe pro Qeverisë Hoti”.

Dy muaj më vonë, ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, do ta propozonte, e Thaçi do ta dekretonte emërimin e të birit të Shalës për konsull të përgjithshëm në Pragë, ani pse s’kishte asnjë ditë përvojë diplomatike a konsullore. Ndërkohë, Shala do ta ndërronte partinë dhe do të dilte në AAK.

Dhe katër: se që nga fundi i luftës shteti është trajtuar si pronë private dhe është disponuar me të ashtu siç i ka konvenuar dikujt të pushtetshëm.

Këtu asnjë prioritet tjetër nuk ka vlejtur pos interesit personal a klanor. Prandaj edhe ngecja në sistemin e arsimit, të shëndetësisë e drejtësisë, sa për t’i përmendur disa.

* * *

Brezi i pasluftës i humbi mundësitë e arta për të ndërtuar sisteme të reja e të mbara që do të na shpinin përpara. Dhe jo, Serbia nuk na e shkatërroi as arsimin e as drejtësinë. I shkatërruam vetë. Kaq ditëm. Apo vetëm kaq deshëm të dinim.

[email protected]