Pjesë e Botërorit në masë të madhe jemi ndier edhe falë futbollistëve shqiptarë që ishin pjesë e ngjarjes kulmore. Shorti i hedhur shumë më herët kishte përcaktuar që Zvicra, sërish, të luajë ndaj Serbisë. Ndonëse kishte premtime se ndeshja do të mbetej ndeshje futbolli, e ndienim se vetëm e tillë nuk do të ishte. Ndodhi ajo që pak a shumë e kemi shpresuar, dhe kjo e forcoi lidhjen tonë me Botërorin në Katar
Kishte shumë të veçanta Kupa e 22-të e Botës në futboll. U luajt për herë të parë në Lindjen e Mesme dhe për herë të parë në muajt nëntor e dhjetor, në mes të edicionit evropian të futbollit.
Ngjarjes më të madhe të sportit më të madh i paraprinë dyshime për mënyrën se si Katari e mori të drejtën e organizimit. Dominuan më pas shkrimet e raportimet për pretendimet se Katari shkeli të drejtat e punëtorëve që ndërtuan infrastrukturën e Botërorit. Trajnerë e lojtarë shkruan e folën për të drejtat e njeriut në shtetin e pasur arab, ndërsa kishte plane për protesta në formë të ndryshme. Pak para fillimit të Botërorit, Katari ndaloi alkoolin në shumicën e vendeve dhe kjo ngjalli valë të re reagimesh.
Më pas erdhi koha për futboll. Dhe magjia e lojës i la gradualisht në hije të gjitha gjërat e tjera. Befasitë u shfaqën që nga fillimi, si fitorja e Arabisë Saudite ndaj Argjentinës, dhe ashtu si duhet, futbolli doli në plan të parë.
Botërori përfundoi me Argjentinën kampione, me Lionel Messin duke përmbushur synimin e madh, me shumë ndeshje atraktive, me Marokun që fitoi zemrat e tifozëve dhe me lëvdatat për Katarin si nikoqir shembullor. Një Botëror pa tifozë të dehur, pa rrahje e trazira dhe me atmosferë shembullore në të gjitha stadiumit.
Sa i takon Përfaqësueses së Kosovës, “kampanja” për Kupën e Botës në Katar kishte përfunduar shumë herët. Kosova kishte mbetur e fundit në kualifikimet për Botërorin 2022, ndërsa prej grupit të saj u kualifikua Spanja, që nuk mbijetoi gjatë në të nxehtit e Katarit.
Ndonëse pa Kosovën e Shqipërinë në Katar, të gjithë ne shqiptarët në një formë apo tjetër u ndiem pjesë e Botërorit. Shumica si shikues e tifozë pranë ekraneve televizive, ndonjë si analist e një pjesë e konsiderueshme edhe si të nervozuar nga turli “analisti” që fitoi rastin të flasë për futbollin në studiot televizive. Shumica prej tyre të fushave të tjera, jo të sportit, me analizat e “kota” edhe një herë ia dolën në “misionin” për të bërë nervoz gjithë ata që i përcjellën e që pretendojnë se kanë njohuri bazike për futbollin.
Unë, e besoj edhe shumë shqiptarë të tjerë, pjesë e Botërorit në masë të madhe jemi ndier edhe falë futbollistëve shqiptarë që ishin pjesë e ngjarjes kulmore: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Ardon Jashari. Shorti i hedhur shumë më herët kishte përcaktuar që Zvicra, sërish, të luajë ndaj Serbisë. Ndonëse kishte premtime se ndeshja do të mbetej ndeshje futbolli, e ndienim se vetëm e tillë nuk do të ishte. Ndodhi ajo që pak a shumë e kemi shpresuar, dhe kjo e forcoi lidhjen tonë me Botërorin në Katar.
Xherdan Shaqiri ishte protagonist me një gol, me festën pas golit në drejtim të huliganëve serbë dhe me nisjen e aksioneve për dy gola të tjerë. Granit Xhaka ishte protagonist me përplasjet me futbollistët serbë, me kapjen mes këmbëve në drejtim të provokatorëve serbë dhe me festën, për mua të bukur, pas ndeshjes. Ai e veshi fanellën e bashkëlojtarit Ardon Jashari, ndërsa pjesën me mbiemrin “Jashari” e vendosi në gjoks. Kishte simbolikën e fuqishme kjo mënyrë festimi. Për mua dhe besoj për gjithë shqiptarët e tjerë. Mbiemri i komandantit legjendar po shfaqej para serbëve, në një moment dëshpërimi të thellë për ta. Dhe atë dëshpërim e kishin shkaktuar dy shqiptarë, ata që katër vjet më herët në Rusi kishin festuar me shqiponjë midis Rusisë, pas fitores ndaj Serbisë.
Me atë fitore shumë prej nesh u ndjemë të përmbushur. Botërori mund të përfundonte. Për ne ishte i përfunduar. Ajo që vinte tutje ishte vetëm bonus.
Pasuan ndeshje të forta, momente magjie, gola të bukur dhe “finalja më e mirë në histori”, ashtu siç e vlerësuan shumë njohës futbolli. Njohës të vërtetë.
Në rrugët e kryeqendrës së Argjentinës dolën katër milionë njerëz për të festuar, ndërsa dhjetëra mijëra pritën edhe lojtarët e Francës, Kroacisë dhe Marokut.
Në Kosovë u ndie një simpati edhe për Kroacinë, për shkak të lidhjeve mes dy shteteve e dy popujve, e kryesisht për shkak të kundërshtarit të përbashkët. Kështu që kishte ndjenjë gëzimi që Kroacia fitoi medaljen e bronztë.
Botërori ka lënë pyetje prapa natyrisht. Cili do të jetë ndikimi i tij në ligat evropiane? A duhet që sërish të mbahet Botërori në dimër, marrë për bazë suksesin e turneut në Katar dhe faktin që lojtarët shkuan në formë gati optimale e jo në fund të një edicioni të lodhshëm, si zakonisht. A do të ketë suksesi i Marokut ndikim në zhvillimin e mëtejmë të futbollit në Afrikë? Cili do të jetë sistemi i garës në Botërorin e ardhshëm? Ka edhe shumë pyetje të tjera që janë bërë e do të bëhen.
Sa i takon Kosovës, Botërori iu la vend temave për futbollin e që nuk janë “bash” futboll. A do të licencohet Federata e Futbollit e Kosovës nga MKRS-ja? A po rrezikohet ulësja e Agim Ademit në krye të FFK-së? A po ngjallet grupi opozitar? A po shuhet Gjilani?
Turneu shembullor në Katar ishte tregim suksesi edhe për këtë – që na mbajti në atmosferë të vërtetë futbolli dhe na largoi për një muaj nga zhvillimet gati absurde që e godasin vazhdimisht futbollin në vendin tonë.