Ndërprerja e fondeve do të krijojë një boshllëk, që zor se do të përmbushej në një të ardhme të afërt. Nga kjo perspektivë mund të thuhet me siguri se ndihma nga USAID-i ka qenë element i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës e ndikimi i kësaj ndërprerjeje për sektorët që kanë përfituar më së shumti do të jetë negative
Që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, veprimet e presidentit Donald Trump janë ndjekur me vëmendje të shtuar, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në mbarë botën, përfshirë Ballkanin. Në Kosovë, veçanërisht, diskutimet mbi politikën e tij janë fokusuar në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe janë analizuar mënyrat se si politikat e Trumpit mund të ndikojnë në stabilizimin e raporteve mes dy vendeve, duke parashikuar skenarë të ndryshëm për veprimet që mund të ndërmerren në këtë kontekst.
Një aspekt që ka munguar në këtë diskutim ka qenë ndikimi i ndërprerjes së mbështetjes financiare për agjencitë dhe organizatat zhvillimore dhe si një situatë e tillë mund të ndikojë në të ardhmen e zhvillimit ekonomik dhe politik të Kosovës. Pasi që një nga vendimet e menjëhershme të presidentit Trump ka qenë ndalimi i mbështetjes financiare për agjencitë si USAID (Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar), dalja e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), dhe rishikimi i procesit të alokimit të projekteve zhvillimore. Është me shumë rëndësi, pra, të analizohej se si Kosova do të gjendej në këtë proces të ndryshimeve kaq të mëdha!
Në Amerikë, për të përcaktuar nëse mbështetja financiare për këto institucione do të rifillojë apo do të ndërpritet përfundimisht ka një afat prej 90 ditësh - nga dita kur vendimet kanë hyrë në fuqi!
Ndikimi i kësaj ndërprerjeje do të ketë një rëndësi të madhe për ndryshimin e stilit të jetesës për njerëzit në mbarë botën, dhe natyrisht, vendet që varen drejtpërdrejt nga mbështetja financiare do të jenë më të prekura. Megjithatë, derisa të merret një vendim për veprimet pas përfundimit të afatit të caktuar, për Kosovën ky është një moment i rëndësishëm që kërkon një analizë të thelluar për të kuptuar ndikimin që kjo politikë mund të ketë mbi të ardhmen e zhvillimit dhe investimeve në sektorët si shëndetësia, edukimi, drejtësia, infrastruktura, etj. Nëse mbështetja financiare do të ndërpritet përfundimisht, Kosova do të duhej të gjente një përgjigje për ta mbajtur dhe vazhduar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo, për shkak se vendet si Kosova kanë pasur mundësinë ta shfrytëzojnë këtë mbështetje dhe, në njëfarë mënyre, përmes këtyre investimeve është mbajtur një bashkëpunim ekonomik dhe politik. Andaj, edhe ndërprerja e këtyre fondeve do të krijoj një boshllëk, që zor se do të përmbushej në një të ardhme të afërt. Nga kjo perspektivë mund të thuhet me siguri se ndihma nga USAID ka qenë element i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës e ndikimi i kësaj ndërprerjeje për sektorët që kanë përfituar më së shumti do të jetë negative. Në deklaratën e drejtorit të misionit të USAID-it, James Hope, thuhet se shuma e investuar nga kjo agjenci në Kosovë, që nga viti 1999, kap vlerën e rreth një miliard dollarëve.
Prandaj, për të adresuar këto sfida, një pyetje e rëndësishme që duhet bërë është: a ka Kosova një strategji të qartë për të mbushur boshllëkun që mund të krijohet nga një mungesë e mundshme e mbështetjes financiare amerikane?
Derisa të gjendet përgjigjja për këtë pyetje të rëndësishme, arsyetimi për ndërprerjen e kësaj ndihme financiare shtrihet në dy rrafshe: atë ekonomik dhe ideologjik. Madje, thuhet se vazhdimi i mbështetjes financiare për shtetet në zhvillim nuk është në përputhje me interesat e popullit amerikan, ndaj edhe është konsideruar e nevojshme ndërprerja e saj. Si do të vendoset pas përfundimit të afatit prej 90 ditësh mbetet të shihet. Megjithatë, nëse ndihma për projektet zhvillimore përfundon përfundimisht, boshllëku që do të krijohej për Kosovën do të ishte një sfidë e madhe që do të ishte e vështirë të mbushej në një të ardhme të afërt. Kjo që po ndodh në epokën e Trumpit nuk është një çështje e thjeshtë, prandaj duhet të merret seriozisht, veçanërisht nga shtetet me ekonomi të brishtë si e Kosovës.