Nuk kanë pasur faj shumë njerëz kur komentonin se po qe se nuk përfshihet Amerika me gjithë fuqinë, kjo punë do të tirret edhe nja njëzet vjet qysh ka nisur. E amerikanët, e besoj, e kanë kuptuar me Marrëveshjen e Daytonit se sa keq është të lëshohet pe para burimit të problemit. E burimi i problemit është Serbia, si në Bosnjë, ashtu edhe në Kosovë. E problem janë edhe eksperimentimet me ndërmjetësit dhe lehtësuesit që, njësoj si trajnerët e Kosovës, ende nuk e kuptojnë kontekstin
Të shtunën e shkuar e patëm një ditë feste.
Nuk dukej ashtu prej mëngjesit. Nëpër qytet po shëtisnin me dhjetëra tifozë zviceranë të veshur me fanella të kuqe e kryqe të bardha. “Dardanët” nisën të dëgjoheshin më vonë, duke kënduar rrugës për në stadium. Po luhej një ndeshje e rrallë mes një shumice shqiptare në të dyja anët e fushës. Kosova përballej me Zvicrën në grupin kualifikues për kampionatin evropian, që do të mbahet në Gjermani më 2024.
Yjet kryesore të Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri morën ovacione kur iu lexuan emrat në stadium; Shaqiri madje mbajti dorën në zemër derisa u intonua himni i Kosovës.
Loja nisi dhe dukej si të ishte një lojë miqësore.
Me qëllim ose jo, ishte evidente se as Xhaka, as Shaqiri nuk dukej se e luanin futbollin e tyre më të mirë. Dhe ani se Shaqa e dha pasin që çoi te goli i dytë i Zvicrës, pak a shumë e gjitha mbeti në një paraqitje, të themi, korrekte, që më vonë do të kritikohej në Zvicër.
Ajo që ishte për t’u çmuar qe vendosmëria e Kosovës që të mos ndahej me humbje. Deri në çastin e fundit kërkuan golin dhe e arritën. Një barazim i merituar, megjithatë, që jepte një fije shprese për Kosovën në garën e kualifikimeve.
* * *
Pasoi ndeshja në Bukuresht, që u ndërpre për 50 minuta, për shkak të tifozëve që kishin hapur pankarta politike anti-Kosovë. Kur iu kthyen ndeshjes, kah fundi i pjesës së parë, Kosova e humbi Vedat Muriqin për dy kartonë të verdhë, duke mbetur me 10 lojtarë deri në fund të ndeshjes. Në dhjetë minutat e fundit ranë dy gola dhe Kosova humbi.
Por ajo që e la përshtypjen më të hidhur pas ndeshjes qe sjellja e seleksionuesit tonë, sllovenit Gliha. Tërheqja për krahësh e Zhegrovës para kamerave, sjellja si pula pa kokë nëpër terren, pasi u regjistrua humbja, lanë përshtypje të hidhur dhe reflektonin pashpresë.
E Kosova në futboll, që nga vdekja e Fadil Vokrrit, është duke ngecur. Ende nuk ekziston një stadium, me një terren normal, që i plotëson standardet, ku do të mund të luheshin lojërat ndërkombëtare. Terreni i stadiumit të qytetit është i keq, i mirëmbajtur keq, dhe krejt i papërshtatshëm për çfarëdo loje, pavarësisht kategorisë. Nuk e besoj se “mungesa e parasë” mund të shërbejë si arsyetim tash – burime parash ka shumë, krahasuar me ndeshjet e paraluftës që luheshin nëpër lloç. Sa sponsori, sa buxheti, sa UEFA, sa FIFA, sa Komiteti Olimpik... Problemi përfundimisht duket të jetë te menaxhimi i tyre dhe nëse qëllimi është avancimi apo shkatërrimi i këtij sporti.
Mbase vetëm Kosovës i bën vaki që të zgjedhë njerëz pa ndonjë sukses të dalluar në zanatin e trajnimit për përzgjedhës. Përderisa Albert Bunjaki ka kryer punë shumë të madhe kur i ka bindur lojtarët tanë jashtë Kosovës që t’i bashkoheshin, këta të tjerët janë për listë të zezë. Për Challandesin bile ke mundur të thuash se ka pasur njëfarë lidhjeje me taktikën e lojës. Për Giressein, i cili ka qenë lojtar i jashtëzakonshëm, do të thoshim se u dëshmua trajner i dobët. Aq sa FFK-ja e shkarkoi. E më pas e zëvendësoi me Primozh Glihën, një futbollist, me gjasë mediokër slloven, që gjatë karrierës 15-vjeçare kishte ndërruar 13 ekipe. Si trajner, ka menaxhuar 3 ekipe sllovene dhe ekipin U-21 të Sllovenisë. Mesataren e qëndrimit e mban në më pak se një vit e gjysmë për vend pune. Te rasti i Kosovës, kujtoj, nuk do të duhej të qëndronte as një muaj e gjysmë.
Kemi telashe, është evidente. Edhe në FFK, edhe me përfaqësuesen a kombëtaren, qysh doni quajeni, edhe me trajnerin. Zhvillimi i një ekipi që dikur do të duhej të merrte pjesë në kampionate evropiane e botërore, merr kohë dhe është projekt në të cilin duhet investuar, pos parave edhe mend. Me trajnerë që kanë qenë futbollistë të dështuar, nuk mbërrihet larg. Nuk bëhet kiameti nëse shkarkohet edhe ky.
* * *
Shkarkim nuk do të ishte as term e as veprim diplomatik brenda burokracisë së Evropës, por në procesin e dialogut Kosovë-Serbi duhet të ndodhin ndryshime ashtu që të mos sillemi në rreth me vite.
Aq shumë është tjerrë ky muhabet saqë me të janë marrë tre përfaqësues të lartë (Ashton, Mogherini dhe Borrell). Nga ana e Kosovës dhjetë vjet e më shumë këtë proces e ka kontrolluar Thaçi, jo vetëm me nënshkrimin e marrëveshjes, e cila e ka sjellë problemin më të madh rreth të cilit thyhen shtizat, por edhe me ndikimin dhe presionin për ratifikimin e kësaj “marrëveshjeje” nga Kuvendi i Kosovës. Sërish dhe nuk e di për të satën herë duhet kujtuar se atë e kanë votuar 30 deputetë të PDK-së së Hashim Thaçit; 15 deputetë të LDK-së së Isa Mustafës; 10 deputetë të AAK-së së Ramush Haradinajt; 7 deputetë të AKR-së së Behgjet Pacollit dhe 1 deputet pa GP (ish-KKR). Një kohë me këtë punë, krahas Thaçit, u mor Mustafa, e në tre vjetët e fundit merret Kurti. Veç te Serbia nuk ka pasur ndryshime – se me të janë marrë gjithë kohën Daçiqi dhe Vuçiqi.
Të enjten u mbajt takimi i parë trepalësh pas nuk e di sa kohe. Prej takimit paraprak ndodhën zgjedhjet dhe dhuna në veri. Pasuan sanksionet kundër Kosovës, edhe pse dhunën nuk e shkaktoi Kosova, por Serbia.
Ajo që po shihet është se përderisa te palët nuk duket të kenë shumë vullnet që marrëveshja apo “marrëveshja” të zbatohet, në BE, përfaqësuesi i lartë dhe lehtësuesi nuk duket të kenë dije e as sens për ta kuptuar kontekstin drejt. Atë që e kanë është vullneti për imponim të një zgjidhjeje që është në kundërshtim të plotë me deklaratat e tyre, se në Kosovë nuk do të përsëritet Bosnja.
* * *
Pardje Kurti refuzoi ta pranonte planin e sekuencuar (sekuencimi megjithatë ka qenë insistim i tij), për zbatimin e “marrëveshjes” që herë është, e herë s’është.
Pas takimit, kur doli para gazetarëve, tha se BE-ja e kishte bërë propozim të vetin një dokument serb të para gjashtë muajve që kërkonte si pikë të parën zbatimin e Marrëveshjes Thaçi-Daçiq nga 2013-a: pra autonominë për serbët e Kosovës.
Pardje e tha Kurti, e dje e përsëriti Bislimi: se vetëm Kosova kishte dalë me një plan të sekuencuar, duke insistuar në njohjen de facto si hapin e parë. Por, dje doli BE-ja për ta mohuar pjesën e parë të deklaratës së Kurtit; për të thënë se kishte propozim-plan të sekuencuar edhe nga BE-ja dhe se ky dokument ishte hartuar në korrik të sivjetmë. Sipas Bislimit, dokumenti, pas konsultimeve me palën kosovare, kishte pësuar një ndryshim kozmetik.
Esenca e dokumentit të kontestuar nga Kurti është se ai e bën të qartë se zbatimi i marrëveshjes do të koordinohej duke pasur si bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si punë të parë.
Kur do të nisnin negociatat për statutin e Asociacionit, Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin fusnotës në emrin e Kosovës në forumet rajonale. Do të kujtojmë se kjo është fjolla e Edita Tahirit, e cila ka mbi një dekadë që ende nuk shkrihet.
Hapi i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhynin në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çfarëdo lloj dhune apo nxitjeje të dhunës.
Edhe strukturat e Serbisë që veprojnë në Kosovë do ta ndërprisnin veprimin vetëm pasi punët e tyre do të transferoheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pas kësaj do të pasonte njohja e dokumenteve dhe e simboleve kombëtare, do të pasonte formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, pastaj aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Serbia pas kësaj nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Do të kompletohej edhe procedura e brendshme në Kosovë për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.
Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.
Pra, në teori, kjo do të nënkuptojë edhe nja 12 vjet kontratë për Lajçakun.
Kurti, duke e mbrojtur pozicionin e tij, tha se nuk mundet që pika e cila i referohet themelimit të Asociacionit të vendoset si “qerrja para kuajve”.
“E unë s'mund ta pranoja një gjë të tillë duke e cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit, që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e nuk kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë. Ne kemi bërë një propozim... Ta vendosësh Asociacionin në qendër është në kundërshtim me Marrëveshjen bazike që e kemi pranuar e lansuar më 27 shkurt dhe që është bërë pjesë e konkluzioneve”, është shprehur Kurti.
Kurti e tha prerë: insistimi i Beogradit rreth Asociacionit është shndërruar në qëndrim edhe të emisarëve Borrell-Lajçak.
* * *
Nuk kanë pasur faj shumë njerëz kur komentonin se po qe se nuk përfshihet Amerika me gjithë fuqinë, kjo punë do të tirret edhe nja njëzet vjet qysh ka nisur. E amerikanët, e besoj, e kanë kuptuar me Marrëveshjen e Daytonit se sa keq është të lëshohet pe para burimit të problemit. E burimi i problemit është Serbia, si në Bosnjë, ashtu edhe në Kosovë. E problem janë edhe eksperimentimet me ndërmjetësit dhe lehtësuesit që, njësoj si trajnerët e Kosovës, ende nuk e kuptojnë kontekstin.