Vendimi mbi të ardhmen politike të Bidenit qëndron te vetë presidenti dhe është e pamundur të dihet se çfarë do të bëjë ai. Tani për tani ai duket i prerë në synimin për ta vazhduar garën dhe në përpjekjen për të ndërruar temë. Por me akëcilën ditë që kalon, presioni për ndryshim në fushatën presidenciale të Partisë Demokrate do të rritet. E ky është një telash i pashembullt në ato që veçse u shndërruan në zgjedhje unike jofunksionale për president të SHBA-së
Teksa deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të 2024-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbetur edhe rreth katër muaj, demokratët po ballafaqohen me stuhinë e përkryer politike.
Paraqitja jashtëzakonisht e papërqendruar e presidentit Joe Biden në debatin kundruall Donald Trumpit i ka shtyrë zyrtarët, donatorët madhorë dhe shumë votues potencialë të kampit demokrat që të bëjnë thirrje për ndryshim në krye të listës garuese.
Një javë më parë, mbështetja për Bidenin besohej të ishte shpresa më e madhe për demokratët. Tekefundit, nuk është e lehtë të mposhtet një konkurrent që është në detyrë. Që prej 1932-s, vetëm Herbert Hooveri, Jimmy Carteri, George Bush plaku dhe Trumpi dështuan të sigurojnë rizgjedhjen. Skenarët, sipas të cilëve Bideni do të pensionohej apo të përballej me një sfidë parësore të besueshme, dukeshin si panevojshëm të rrezikshëm. Përderisa demokratët Harry Truman dhe Lyndon Johnsoni zgjodhën të mos kërkonin rizgjedhje – më 1952 dhe respektivisht më 1968 – republikanët Dwight Eisenhower dhe Richard Nxon “kalëruan” drejt fitores. Po kështu, sfida primare demokratike nga Edward Kennedy më 1980 pati ndihmuar që të dëmtohej fushata e rizgjedhjes e Carterit, duke rezultuar përfundimisht që Ronald Reagani të vendoset në Shtëpinë e Bardhë.
Duke pasur në kujtesë këtë histori, shumica e demokratëve menduan se është më e sigurt të mbahen me Bidenin, njeri ky që veçse e ka mposhtur Trumpin një herë. Asnjë demokrat që aspiron që një ditë të bëhet president nuk dëshiron të bëhet ai që ia pengon hapin atij aktuali që është edhe ashtu i cenueshëm. Por shqetësimi në rritje rreth moshës së Bidenit – ai tani është 81 vjeç dhe do të mbush 86 kur ta përfundojë mandatin e dytë – është shndërruar në çështjen kyç të fushatës, ani se Trumpi përballet me dënim për vepër penale në New York. (Si mund të jetë ky një indikator se sa jofunksionale është bërë politika e Amerikës?).
Që pas debaklit të Bidenit në debat, Bordi i redaktorëve të “New York Timesit”, gazetë kjo e establishmentit të qendrës së majtë, e nxiti presidentin që të tërhiqet, ndërsa një sondazh i fundit sinjalizoi se rreth gjysma e votuesve të Partisë Demokratike pajtohet me këtë.
Megjithëkëtë, përderisa Biden nuk vendos që të largohet nga gara, gjasat për zëvendësimin e tij janë praktikisht të barabarta me zero. Gjatë betejës së sezonit të zgjedhjeve paraprake, ai pati siguruar mbështetjen e delegatëve që i duheshin për t’u nominuar në Konventën partiake në Chicago, gjatë gushtit. Tre delegatë premtuan ta mbështesin Bidenin, po qe se ai nuk i liron.
Për më tepër, edhe nëse demokratët do të mund ta zëvendësonin lehtësisht Bidenin, kush do të ishte i nominuari i ri i partisë?
Sondazh pas sondazhi është treguar se nënpresidentja, Kamala Harris, nuk është më popullore sesa Bideni, por anashkalimi i saj kundruall një kandidati tjetër rrezikon të armiqësojë një numër të madh votuesish gra dhe pakica.
Për sa u përket alternativave – kryebashkiaku i Californias, Gavin Newsom, ajo e Michiganit, Gretchen Whitmer, sekretari për Transport, Pete Buttigieg, dhe të tjerët – ata janë kryesisht të padëshmuar në skenën kombëtare. Për të kuptuar se sa shpejt mund të ngecë një kandidat i padëshmuar, mos shikoni përtej përpjekjes me pritshmëri të larta por katastrofike të kryebashkiakut të Floridas, Ron DeSantis, për ta mposhtur Trumpin në zgjedhjet paraprake republikane të këtij viti.
Bideni deri tash nuk ka shpërfaqur ndonjë indikacion se planifikon të tërhiqet ndërsa demonstrimet e mbështetjes publike nga presidentët, Barack Obama dhe Bill Clinton, mëtojnë të konfirmojnë se partia po ecën përpara. Justifikimi për mbetjen në garë është se presidenti ende mund ta mposhtë Trumpin. Në mjedisin politik super të polarizuar të Amerikës, me miliona njerëz që u thonë anketuesve se Bideni është tepër i moshuar për ta shërbyer edhe mandatin e dytë, prapëseprapë do të votojnë për të, veç sa për ta mbajtur Trumpin jashtë Shtëpisë së Bardhë. Teksa në të dyja anët besojnë që e ardhmja e demokracisë amerikane është në rrezik, dalja në votime sipas të gjitha gjasave do të jetë tejet e lartë.
Por mali në të cilin Biden duhet të ngjitet do të bëhet më i thiktë javëve të ardhshme, për aq kohë sa një numër i qëndrueshëm i zyrtarëve anonimë demokratë paralajmërojnë në media se ai duhet të shkojë. Ky mbulim negativ medial do të përbëjë një peshë të madhe për aftësinë e presidentit që ta kthejë një faqe të re, të paktën deri në konventën e muajit të ardhshëm. Nëse do të flitet për shtyrjen e datës së zyrtarizimit të nominimit të Bidenit, atëherë kjo do ta ushqejë spekulimin se ai është në panik, edhe në rast se nuk është. Dhe krejt kjo do të ndodhë në kohën kur fushata e Bidenit shpresonte që ta tërhiqte vëmendjen e mediave te detyrimet e shumta të Trumpit.
Tani për tani, Partia Demokratike është e paralizuar. Largimi i një presidenti në detyrë do të ishte një kumar i madh politik; t’i mbahesh pas një pushtetari në telashe mund të jetë edhe më me rrezik. Trumpi, në ndërkohë, i pati disa javë magjepsëse me lajme të mira. Pothuajse të gjitha kokëçarjet e tij ligjore janë pezulluar deri pas zgjedhjeve. Është shtyrë dënimi i tij në kuadër të gjykimit për “pagesa në këmbim të heshtjes” në New York. Vendimet e fundit të Gjykatës Supreme e kanë tkurrur mundësinë e përballjes së tij me burgim, njësoj siç edhe ua ka rikujtuar votuesve konservatorë se ai e tërhoqi gjykatën djathtas dhe do ta bëjë këtë sërish, në rast se fiton. Media është më e përqendruar tani në kërkimin e Trumpit për një bashkëgarues se sa në vetë sjelljen e tij të çrregullt.
Vendimi mbi të ardhmen politike të Bidenit qëndron te vetë presidenti dhe është e pamundur të dihet se çfarë do të bëjë ai. Tani për tani ai duket i prerë në synimin për ta vazhduar garën dhe në përpjekjen për të ndërruar temë. Por me akëcilën ditë që kalon, presioni për ndryshim në fushatën presidenciale të Partisë Demokrate do të rritet. E ky është një telash i pashembullt në ato që veçse u shndërruan në zgjedhje unike jofunksionale për president të SHBA-së.
(Ian Bremmer, themelues dhe kryetar i Grupit Eurasia dhe GZERO Media, është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Trupit Këshillues të nivelit të lartë në OKB për Inteligjencë Artificiale. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).