OpEd

Beteja me pasoja për Këshillin e Evropës

Këshilli i Evropës është një prej atyre organizatave ku është turp të mos jesh anëtar. Por të jesh anëtar nuk është diçka tepër prestigjioze. Kosova, në përpjekjet për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar, synon anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por që tash kjo kërkesë ka pasoja dhe mund të ketë edhe më të mëdha. Pasoja e parë ishte se në këtë test dështoi Bashkimi Evropian dhe u pa se nuk vlen më ajo që BE-ja vazhdon ta quajë “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve” mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia shkeli Marrëveshjen në disa hapa dhe BE-ja nuk e konstatoi fare këtë shkelje. Me këtë BE-ja dëshmoi se as ajo nuk e merr më seriozisht Marrëveshjen

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë të martën, më 16 prill, për miratimin e mendimit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sikur të respektohej praktika e deritashme, votimi do të duhej të ishte vetëm formalitet. Pasi me shumicë shumë të madhe dhe me vetëm pak vota kundër draft-raporti ishte votuar në Komitetin politik dhe të demokracisë. Zakonisht kur kalon një raport i tillë në komisionin përkatës, atëherë e bekon me shumicën e nevojshme edhe Asambleja Parlamentare në seancë plenare. Nga ana tjetër, Raporti i përpiluar nga deputetja greke Dora Bakoyannis është i paanshëm dhe i ka marrë parasysh të gjitha shqetësimet e mëhershme. Prandaj nuk ka nevojë që të votohet kundër.

Megjithatë, tash procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ka marrë përmasa vetëm politike. Nuk është më me rëndësi përmbajtja e Raportit, as gjendja e vërtetë e të drejtave të njeriut në Kosovë, por vetëm interesat dhe qëndrimet politike. E në këtë aspekt, Kosovës kanë nisur t’i rrezikohen gjasat që të bëhet këtë pranverë dhe anëtare e Këshillit të Evropës. Nga burimet diplomatike mësohet se janë rritur presionet edhe ndaj disa deputetëve që të votojnë kundër, dhe atë ndaj deputetëve që vijnë nga vendet të cilat e kanë njohur Kosovën. Për ta bllokuar miratimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mjaftonte 1/3 e deputetëve për të votuar kundër. Sepse për kalimin e këtij vendimi nevojitet shumica prej 2/3 të votave të atyre që janë të pranishëm në sallë kur zhvillohet votimi.

Por përkundër presionit të madh ndaj disa deputetëve gjasat janë që të martën do të kalojë ky vendim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Do të ishte një goditje edhe për vetë Këshillin e Evropës sikur të mos kalojë ky votim.

E testi tjetër pasi të votohet në Asamblenë Parlamentare do të jetë vendimi final për ta pranuar Kosovën në Këshillin e Evropës. Këtë vendim, me shumicën prej dy të tretave, e marrin ministrat e Jashtëm, të cilët në takim të rregullt takohen vetëm një herë në vit. Takimi i radhës është në mesin e muajit maj dhe ai takim është menduar të jetë edhe momenti kur Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës. 

Ditëve të fundit, më afrimin e votimit, janë shtuar zërat në qarqet diplomatike që tërheqin vërejtjen se mund të ndodhë shtyrja e votimit, apo edhe të rrezikohet që Kosova të mos i marrë votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Sipas këtyre burimeve, “krejt kjo varet nga qëndrimi i QUINT-it”. “Nëse QUINT-i mbështet anëtarësimin, atëherë kjo pritet të vendoset në rend dite dhe në atë rast edhe mund të sigurohen 31 votat sa janë të nevojshme për ta pranuar Kosovën. Por nëse nga QUINT-i vjen ndonjë mesazh jo i mirë, atëherë gjithçka ndryshon. Dhe në atë rast ose do të shtyhet, ose do të rrezikohet arritja e shumicës së nevojshme prej dy të tretave të votave”, kanë thënë për KOHËN burimet diplomatike nga shtetet të ndryshme anëtare të Këshillit të Evropës.

Nuk është sekret se dyshimet që i ka, dhe i ka nxitur tek të tjerët QUINT-i rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kanë të bëjnë me nisjen e procedurës së themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Disa burime diplomatike kanë thënë se në takimin e fundit që ambasadorët e QUINT-it kanë pasur me tre liderët institucionalë të Kosovës (presidenten, kryetarin e Parlamentit dhe kryeministrin) “gojarisht ua kanë përcjellë një demarsh me kërkesë që së paku ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draftin e Statutit për Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”. Edhe pse ka pasur pritje që ky demarsh të dorëzohet me shkrim, ai thuhet se është përcjellë me gojë. Diplomatët druajnë se mungesa e reagimit pozitiv nga ana e Kosovës do të mund të rezultonte me mungesën e mbështetjes së QUINT-it për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. “Kjo do të na sillte në një situatë të panjohur dhe të paparashikueshme. Sepse ka vende që e kanë njohur Kosovën dhe që mbështesin anëtarësimin në Këshillin e Evropës, por do të ndryshonin qëndrimin nëse marrin sinjal nga QUINT-i“. 

Nga 46 vende anëtare të Këshillit të Evropës, Kosovën e kanë njohur 34. Ndërsa 12 nuk e kanë njohur. Por për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhen 31 vota. Në këtë rast Kosova rrezikon nëse beson se i ka të gjitha votat e vendeve që e kanë njohur. Sikurse është rrezik të besohet se do të vijë ndonjë votë nga ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën. 

Kosova dhe vendet mbështetëse kanë pasur një shembull jo të këndshëm kur vetëm 3 vota munguan që Kosova të pranohej në UNESCO. Në atë kohë politikanët dhe diplomatët kosovarë silleshin nëpër hotele në Paris duke pritur që të tjerët ta kryenin punën dhe duke llogaritur se Kosova i ka votat. Kosova dështoi për shkak se tri vende që e kishin njohur në atë kohë: Japonia, Koreja e Jugut dhe Polonia, votuan kundër. Paralajmërimi i udhëheqësve të asaj kohe se “së shpejti do të përsërisim kërkesën dhe të bëhemi anëtar” nuk ka ndodhur as tash pas nëntë vjetësh, dhe nuk po e përmend kush fare. Ka rrezik që kjo të përsëritet tash edhe në Këshillin e Evropës. 

Ndoshta për t’i ikur situatës së pakëndshme, vendet e QUINT-it do të preferojnë shtyrjen e votimit në vend të dështimit për të siguruar votat për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por në këtë rast shtyrja do të nënkuptonte së paku humbjen e një viti, e që është më e rëndësishme, humbjen e rastit që mund të mos përsëritet pas një viti.

Në këtë mënyrë, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shndërruar në një betejë mes Kosovës dhe Serbisë në njërën anë, dhe mes Kosovës dhe vendeve të QUINT-it në anën tjetër. Kush ka të drejtë në qëndrime e kush jo është një temë tjetër. Por është evidente se me refuzimin e nisjes së procedurës për krijimin e Asociacionit, Kosova i ka irrituar tej mase miqtë e saj. E opozita e Kosovës, që mban përgjegjësi të madhe pse Kosova është në këtë situatë po ashtu, pret që të sulmojë qeverinë nëse dështon të anëtarësohet, e nëse bën veprime për të fituar mbështetjen e gjerë do ta kritikojë pse po e bën Asociacionin. Kjo dëshmon edhe një herë se brenda në Kosovë kanë dështuar të gjitha strukturat politike që të ndërtojnë një konsensus të brendshëm minimal për interesat madhore nacionale, e edhe Asociacioni, por edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë çështje rreth të cilave do të duhej të ketë unitet. Por nuk ka. 

Në rast të dështimit të përpjekjeve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë e paqartë se çfarë do të ndodhë pastaj. Nuk ka përgjigje në pyetjen se çfarë do të nënkuptonte votimi në të cilin Kosova nuk do të siguronte votat e mjaftueshme në Këshillin e Ministrave. A do të nënkuptonte kjo edhe fundin e procesit, apo do të duhej të përsëritej në të ardhmen votimi, apo si të veprohej. Prandaj më real duket opsioni sipas të cilit, me sugjerim të QUINT-it, do të shtyhej votimi për të evituar situata të pakëndshme. Në rast se QUINT-i do ta mbështeste votimin, atëherë gjasat janë të mëdha që Kosova në mesin e majit të pranohet si anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës.

Bashkimi Evropian po bën përpjekje për të lënë përshtypje se “nuk përzihet në këtë punë” dhe po rri anash, sepse “Këshilli i Evropës nuk ka lidhje me Bashkimin Evropian”. Por në anën tjetër nuk reagon ndaj sjelljeve të Serbisë e cila shkel marrëveshjen, qëllimi i së cilës ka qenë edhe integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare e që Serbia të mos e kundërshtojë këtë. Në BE vetëm kanë frikë se si do të reflektojë kjo në vazhdimin e dialogut. Nuk ka dyshim se dialogu mund të jetë viktima më e madhe e anëtarësimit apo mosanëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.              

Këshilli i Evropës është një prej atyre organizatave ku është turp të mos jesh anëtar. Por të jesh anëtar nuk është diçka tepër prestigjioze. Kosova, në përpjekjet për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar, synon anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por që tash kjo kërkesë ka pasoja dhe mund të ketë edhe më të mëdha. Pasoja e parë ishte se në këtë test dështoi Bashkimi Evropian dhe u pa se nuk vlen më ajo që BE-ja vazhdon ta quajë “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve” mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia shkeli Marrëveshjen në disa hapa dhe BE-ja nuk e konstatoi fare këtë shkelje. Me këtë BE-ja dëshmoi se as ajo nuk e merr më seriozisht marrëveshjen. Sepse po ta merrte seriozisht së paku do të konstatonte se kundërshtimi i Serbisë, me fjalë e me vepra dhe me letra, rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, shënon shkelje formale të Marrëveshjes dhe Aneksit të implementimit.