Një vit i mbrapshtë mbaroi, me shpresën që ky nuk do të jetë i tillë. Zgjedhjet mbase edhe mund të sjellin ndryshimin politik, mirëpo ky vend ka nevojë për ndryshime aq rrënjësore, saqë do të na nevojiten shumë vjet për t'u normalizuar. Uroj që të mos na vyen edhe 20 të tjerë për t'i zhbërë krejt ato të këqijat që na i bënë njerëzit "vizionarë"
Kurrë nuk do ta kisha besuar se do të mund të ndodhte që të ishim dëshmitarë të desantit ndaj ndërtesës që e përfaqëson popullin amerikan, për një kohë kaq të shkurtër, të organizuar dhe të papenguar.
Në ditën kur prisnim të njiheshim edhe me një shpikje kreative të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet e reja dhe me atë se kush mund e kush jo të kandidojë për deputet, ndodhi Washingtoni. Diçka e paimagjinueshme dhe e paparë deri më tani në Amerikë.
Një turmë e pakontrolluar dhe e nxitur nga një fjalim populist dhe urrejtje-nxitës i Trumpit, mori turrin për t'u futur në Capitol Hill, selinë e Kongresit dhe Senatit amerikan, apo Kuvendit amerikan, thënë më troç. Për çudi absolute mungesa e organeve të rendit brenda në objekt, thuajse edhe kjo punë paskësh qenë e parapërgatitur.
Pamjet e shëmtuara të sjelljes së dhunshme dhe humbja e madje pesë jetëve për një diçka vështirë të shpjegueshme, pos interesit personal të njeriut që edhe disa ditë do të jetë sunduesi i shtetit më të madh në botë, ishin shokuese. Një veprim i këtillë është i rëndomtë për shtetet e pazhvilluara dhe të paformuara si duhet; është e rëndomtë edhe në diktatura kur vijnë ose bien prej pushtetit, porse është absolutisht i paimagjinueshëm për shtetin që prej kohësh simbolizon demokracinë më të madhe në botë.
Dhe pikërisht pse është shtet dhe demokraci, gjakrat u shuan me shpejtësi të madhe. Të dy dhomat i certifikuan rezultatet elektorale dhe e shpallën Bidenin kryetar të ri të Amerikës. Madje Kongresi nisi edhe procedurën e shkarkimit të Trumpit, që po qe se ka sukses, mund ta lërë pa mundësi për të kandiduar sërish më 2024.
* * *
Pra, ngjarjen të cilën e përcollëm edhe ne, me jo pak interes nga kjo anë e Atlantikut, e la diqysh në plan të dytë edhe një "vepër arti" nga Gjykata Kushtetuese. Megjithëqë menjëherë pas shpalljes iu bënë analizat e shpejta, sipas të cilave Albin Kurtit i mohohej e drejta për të garuar, pakkush pati nerva t'i hynte analizës së një vendimi që i ka 65 faqe, deri të nesërmen. Atë mbrëmje u prit edhe një dekret, dhe ai erdhi. Me të u shpërbë Kuvendi më i keq që ka pasur Kosova që kur ka Kuvend pas lufte.
Se a do të mund të garojë Kurti apo jo, do të jetë vendim i Supremes dhe mënyrës si do ta interpretojë aktgjykimin e Kushtetueses. Po qe se Supremja do ta marrë për bazë Kodin Penal nga koha kur janë dënuar Kurti, Kadaj-Bujupi, Haxhiu dhe Topalli (gjë të cilën Kushtetuesja nuk e bëri), atëherë vendimi i formës së prerë te rasti i tyre nuk ka efekte juridike, pra edhe kualifikohen për t'u kandiduar. Po qe se vendoset sipas aktgjykimit të Kushtetueses, ku nuk flitet për dënime me apo pa efekte juridike, atëherë nuk ka garë për ta.
Duke supozuar se vendimi do të jetë i pari, nuk ka garanci se dikush nuk do ta ngrinte këtë çështje para Kushtetueses për interpretim, e që kjo të dalë sërish me ndonjë interpretim të ri sui generis e të na fusë në krizë të sërishme. E po qe se vendimi është i dyti, atëherë Kurti nuk mund të garojë, porse nuk ka ndalesë që të zgjidhet kryeministër, duke e hapur tash aspektin moral të çështjes: a bën dikush që nuk është i përshtatshëm që të zgjidhet deputet, të jetë i përshtatshëm që të zgjidhet kryeministër.
Sido që të jetë, duket se asnjë palë zgjedhje nuk do të jemi në gjendje t'i organizojmë pa e pasur një telash apo një grumbull telashesh, që i shndërron në telashe më të mëdha një Gjykatë Kushtetuese që e ka bërë shoshë Kushtetutën. Aq, sa përfundimisht duhet menduar si ta shkruajmë një të re, pa aq shumë vrima, që shkojnë e shtohen sa herë Kushtetuesja ka me e shpreh një mendim.
* * *
Fushata nisi po atë ditë kur doli komunikata për vendimin e Kushtetueses para aktgjykimit. Mbase më mirë është me u shkyç krejt dhe me e pritë ditën e zgjedhjeve. Sepse dyshoj shumë se dikush do të na dalë me një program normal dhe të zbatueshëm, pa na qitur hiri syve, siç kanë bërë përherë dhe as pa na premtuar Kosovën Zvicër, siç bëjnë çdo dy-tre vjet.
Kemi telashe shumë të mëdha që fushata, natyrisht, se nuk do të na i zgjidhë, e besa as qeveria e radhës, bile jo në muajt e parë. Kjo, për shkak se është miratuar një buxhet i keq, e kështu e tha vetë hartuesja e tij, dhe që parasheh ndihmën prej 85 milionë eurosh për sektorin privat. Është përafërsisht aq sa janë ndarë vitin e shkuar, dhe janë pak. Humbjet janë të mëdha, dhe shumë vende të punës do të shuhen. Do të grumbullohen shumë borxhe dhe do të ketë edhe falimentime nëse nuk reagohet shpejt dhe me më shumë vendosmëri.
E vendosmëri e mençuri kërkohen edhe për menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave anti-COVID. Sipas informatave të fundit, po del se vaksina e “Pfizerit” është duke e luftuar mirë edhe trajtën e re të virusit që është shfaqur në Britani. Pra, vaksinë që po ka efekt. Vaksinë, të cilën zyrtarët tanë thonë se e kanë kontraktuar në sasi prej gjysmë milioni dozash. Dhe për të cilën thonë se do të arrijë në shkurt në Kosovë.
Problemi me këtë vaksinë është se ajo ka nevojë që të bartet e të ruhet në temperaturë prej minus 70 shkallësh të celsiusit - pra kërkon frigoriferë specialë të cilët ne nuk e besoj se i kemi, se po t'i kishim dikush kishte dalë e na kishte treguar se bile një ekziston.
Premtimi se Kosova do t'i vaksinojë nga 20 mijë veta në ditë nuk e besoj të jetë real, pa u siguruar se ka pajisje që mund t'i ruajnë vaksinat nga shkatërrimi për shkak të temperaturës. Po të ishte kështu siç e thonë, atëherë del se krejt vaksinat do të shpenzoheshin brenda dy javësh, për shkak se ata që e marrin dozën e parë duhet ta marrin edhe të dytën brenda 10 ditësh. Përfundimisht nuk është punë që kryhet me deklarata, sidomos jo me premtime parazgjedhore.
* * *
Mbase premtim parazgjedhor do të jetë edhe kontrolli i bombolave të gazit, të cilat që nga përfundimi i luftës qarkullojnë nëpër Kosovë kush e di prej nga dhe kush e di në çfarë bocash. Mbase një e tillë shkaktoi një shpërthim shumë të madh në Ferizaj, nga dolën të lënduar thuajse 50 veta, prej të cilëve madje katër u dërguan për mjekim në Turqi.
Tragjedia e Ferizajt i shpalos së paku tri gjëra që tregojnë se përse nuk jemi shtet normal dhe përse për këtë që na ndodh e kemi fajin vetë. E para, nuk e di sa është i madh lokali, dhe nuk e di nëse gjithë këta njerëz kanë qenë brenda në kohën e shpërthimit. Nëse po, nga pamjet e kapura me kamerat tona, mund vetëm të supozoj se janë shkelur masat anti-COVID. Mbase policia na tregon po qe se është ashtu.
E dyta, pas shpërthimit në Ferizaj, kuptuam se Kosova e ka një, pra NJË inspektor përgjegjës për kontrollimin e bombolave të gazit. Nuk e di sa bombola i ka Kosova, por të supozojmë që në 38 komuna ka nga një restorant që përdor gazin për gatim, atëherë këtij njeriu do t'i vyenin dy muaj për t'i kontrolluar këto bombola. Shtet hajgare!
Dhe e treta, absolutisht më e dhimbshmja, është fakti se Kosova me gjithë këta mjekë, që madje edhe po i "eksportojmë", nuk ka krijuar kapacitete qe 20 vjet për të trajtuar raste të natyrave pak më të rënda. Qe 20 vjet Kosova shpenzon miliona për t'i dërguar pacientët e vet për shërim jashtë vendit; shpenzon me miliona në barna, që thuajse kurrë nuk mund t'i gjesh në spital, shpenzon me miliona në ndërtimin e spitaleve, gur-themelin e të cilëve e përuron tri herë, sa herë ka zgjedhje. Marre për të gjithë ata që e kanë menaxhuar dhe sakatuar sistemin shëndetësor, të cilit kurrë nuk ia bashkuan atë të sigurimit shëndetësor, për shkak se do të humbeshin shumë mundësi keqpërdorimesh, po qe se sistemi do të funksiononte. Marre!
* * *
Një vit i mbrapshtë mbaroi, me shpresën që ky nuk do të jetë i tillë. Zgjedhjet mbase edhe mund të sjellin ndryshimin politik, mirëpo ky vend ka nevojë për ndryshime aq rrënjësore, saqë do të na nevojiten shumë vjet për t'u normalizuar. Uroj që të mos na vyen edhe 20 të tjerë për t'i zhbërë krejt ato të këqijat që na i bënë njerëzit "vizionarë" dhe "proamerikanë" që bënin be në Grenellin dhe që ia hëngrën shansin Kosovës që ta kishte një qeveri që do ta çonte mandatin deri në fund, në kohën më të keqe të mundshme.
Ndërkohë, Kosovën e vërshon shiu në kohën kur duhet mbuluar me borë. A thua edhe çfarë befasie tjetër po na pret?