Serbia vazhdon të pohojë se “s’ka lidhje me Banjskën”, siç vazhdon të thotë se nuk ka qenë pjesëmarrëse në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Kjo nuk është befasi. Por është shqetësues angazhimi ndërkombëtar që Serbia të mos ketë pasoja për Banjskën. Një vit pas Banjskës, nga BE-ja dhe SHBA-ja vetëm përsëritën thirrjet e njëjta, të cilat Serbia, me të drejtë, nuk i merr seriozisht, sepse nuk janë serioze
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ndër të parët e kishte quajtur sulmin në Banjskë para një viti si “sulm terrorist”. Ky term nuk përdoret lehtë. Prandaj, kanë hezituar ta përdorin disa shtete. Por prapa fjalëve të forta të BE-së për “sulmin terrorist” për një vit nuk kemi parë veprime, të cilat do të shkonin drejt presionit që fajtorët për Banjskën të nxirren para drejtësisë. Për më tepër, kemi parë përpjekje që Serbia të shpëtojë nga ndëshkimi.
Para një viti kështu pati thënë zëdhënësi i BE-së për Banjskën dhe kërkesat e atëhershme që për këtë sulm BE-ja të vendosë edhe masat ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Tash kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohen dhe përmbyllen hetimet. Dhe kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës. Pasi kjo të jetë e qartë, do të marrim vendimet e duhura”, pati thënë atëherë zëdhënësi i BE-së.
Por përkundër përdorimit të vazhdueshëm të termit “sulm terrorist” në deklaratat gojore, në dokumentin kryesor të Komisionit Evropian, në raportin e Progresit për Serbinë, ky sulm është reduktuar në “operacion i madh i trafikimit të armëve”. Asnjë fjalë apo fjali në raportet e Progresit nuk përdoret rastësisht. Prandaj, edhe ky term është përdorur qëllimisht, dhe qëllimi mund të ketë qenë vetëm për t’i ndihmuar Serbisë që të kalojë pa pasoja. Dhe në reagimet e para të udhëheqësve të Serbisë pas Banjskës pati tentime që ky operacion të paraqitet më shumë si “armëmbajtje pa leje” sesa si sulm paraushtarak terrorist.
Për gati një vit, BE-ja e ka arsyetuar mosvendosjen e masave ndaj Serbisë për Banjskën me “pritjen që autoritetet e Kosovës të përfundojnë hetimet”. Dhe tash kur janë ngritur aktakuzat për pjesëmarrësit në këto sulme, duke i mirëpritur aktakuzat, BE-ja prapë ka blerë kohë për të ndërmarrë masa ndaj Serbisë duke thënë se tash do të presin fundin e procesit gjyqësor. Ndërkohë, i bëjnë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë “plotësisht” për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit, por nuk thonë se me kë duhet Serbia të bashkëpunojë. Pasi thonë se autoritetet e Kosovës kanë kompetenca për të hetuar dhe ndjekur këtë rast, i cili ka ndodhur në territorin e Kosovës, dhe evidencat i ka Kosova, do të duhej BE-ja të thotë qartë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën.
Në bazë të gjithë saj që është dëgjuar për një vit nga BE, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fitohet përshtypja sikur nuk janë shumë serioz kur kërkojnë nga Serbia që të nxirren para drejtësisë përgjegjësit për Banjskën. E njëjta është edhe për ata që kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it dhe mediat në muajin maj të vitit 2023, emrat e të cilëve dhe vendndodhjen i di edhe Kosova, edhe Serbia, por edhe BE-ja dhe SHBA-ja. BE-ja dhe SHBA-ja sikur kënaqen me premtimet që, sipas disa diplomatëve, ua ka dhënë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Këto premtime, sipas këtyre burimeve, janë edhe se “gjërat e tilla nuk do të ndodhin më” edhe se “përgjegjësit do të nxirren para drejtësisë”.
Serbia vazhdon të pohojë se “s’ka lidhje me Banjskën”, siç vazhdon të thotë se nuk ka qenë pjesëmarrëse në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Kjo nuk është befasi. Por është shqetësues angazhimi ndërkombëtar që Serbia të mos ketë pasoja për Banjskën. Një vit pas Banjskës, nga BE-ja dhe SHBA-ja vetëm përsëriten thirrjet e njëjta të cilat Serbia, me të drejtë, nuk i merr seriozisht, sepse nuk janë serioze sa duhet. Beogradi luan lojën e dyfishtë edhe këtu. Për bashkëbiseduesit ndërkombëtarë bëhen kinse e dënojnë vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe shprehin keqardhje, ndërsa në secilën paraqitje presidenti Vuçiq nuk harron të thotë se ai “nuk ka pasur të drejtë të jetë fare aty”, me çka në një mënyrë ai sikur e arsyeton sulmin. Përsëritja e vazhdueshme se Policia e Kosovës është “okupatore“ në veri mund të kuptohet edhe si nxitje e sulmeve ndaj saj. Dhe kjo ka ekzistuar para Banjskës, e ekziston edhe sot.
Pa marrë parasysh se sa janë të zemëruar me disa veprime politike të Kosovës, zyrtarët ndërkombëtarë, sidomos NATO, BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të lejojnë që të harrohet Banjska. Sepse kjo është një çështje jetike e sigurisë. Mosndëshkimi për Banjskën vë në rrezik sigurinë e qytetarëve të Kosovës, por edhe të ushtarëve të KFOR-it, të cilët nganjëherë sikur janë viktimë e kalkulimeve politike të vendeve të tyre. Banjska ishte edhe dështim i NATO-s, sepse para syve të misionit të udhëhequr nga kjo aleancë në Kosovë, hyri sasi aq e madhe e armëve. Sulmi në Banjskë ishte edhe dëshmi se kërcënimi i Kosovës nga Serbia nuk është hipotetik, nuk është as paranojë e udhëheqësve të Kosovës, por është real. Tentimi që përmes deklaratave gojore të detyrohet Serbia të marrë masa ndaj përgjegjësve për Banjskën nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Tash duhet të ndryshohet qasja e BE-së dhe e SHBA-së.