“Prerësi i gishtave” - me këtë nofkë njihej një baron i madh droge nga Belgjika. Ai ia doli të jetojë dy vjet ilegalisht në Zvicër - dhe bashkë me partneren e tij harxhoi 2.5 milionë franga. Një ngjarje si në film kriminalistik me 131 shishe verë në vlerë prej 400.000 frangash
Zakonisht baronët e drogës nuk merren drejtpërdrejt me punë të pista dhe të përgjakshme. Merren me koordinimin e punëve të pista. Në hierarkinë e krimit ata janë në nivelin më të lartë, andaj urdhërojnë vartësit të ndërmarrin “veprimet e duhura” për të hequr qafe konkurrencën e mërzitshme. Baroni belg i drogës F.B. ishte ndryshe. Një rivali holandez ia kishte prerë gishtat me gërshërë të kopshtit, andaj nga këtu buron nofka e tij “Prerësi i gishtave”. Një konkurrenti tjetër F.B. ia bëri jetën ferr duke e keqtrajtuar me një brisk të rrojës.
Baroni belg ishte i pasur. Lidhjet e tij shtriheshin deri në Amerikën Latine, prej nga vijnë tonelata me kokainë drejt botës perëndimore. Baroni konsiderohej njëri nga kriminelët më të njohur të Evropës. Në mars të vitit 2000 një gjykatë në Belgjikë e dënoi me 4 vjet burgim. Në burg nuk përfundoi, sepse u zhduk pa gjurmë bashkë me partneren e tij holandeze dhe foshnjën e tyre të përbashkët.
Më 16 shkurt 2022 belgut të arratisur iu vunë prangat në Zürich nga njësia speciale “Diamant” e policisë zvicerane. “‘Finger cutter’ drug lord arrested in Switzerland”, shkroi gazeta britanike “Guardian”. Së fundi Prokuroria zvicerane ka njoftuar opinionin mbi rezultatet e hetimeve të deritanishme.
Belgu supozohet se hyri në Zvicër mes shkurtit dhe qershorit 2020. Ai është ekstraduar në Belgjikë në tetor të vitit të kaluar, ndërsa më 12 korrik një gjykatë në Zürich e dënoi partneren e tij me 24 muaj burgim (me kusht), me një gjobë prej 6000 frangash dhe me mbulimin e shpenzimeve të gjykimit prej 100.000 frangash. Ajo nuk ishte e pranishme gjatë seancës gjyqësore për shkak se autoritetet belge ia kanë ndaluar largimin nga vendi. Në Zvicër ajo ka qëndruar 8 muaj në paraburgim (bashkë me foshnjën e saj).
Përtej anëve teknike dhe burokratike të gjykimit, impresive në këtë rast është jeta në luks e këtij çifti në Zvicër. Fillimisht baroni i drogës dhe familja e tij jetuan në hotelin e famshëm “Dolder” të Zürichut - një top-adresë për pasanikët e botës, prej oligarkëve rusë deri te yjet e pop-muzikës. Për një muaj qëndrim në “Dolder” baroni pagoi 75.000 franga. Pastaj për pak më shumë se dy javë kjo familje fjeti në hotelin tjetër luksoz “Baur au Lac” buzë Liqenit të Zürichut. Për këtë qëndrim baroni pagoi 22.000 franga. Ai dhe partnerja e tij jetonin në Zvicër me identitete të rreme. Partnerja madje mori edhe një leje qëndrimi të përhershëm në Zvicër.
Nga mesi i korrikut 2020 familja treanëtarëshe u strehua në një vilë luksoze në Rüschlikon, një fshat i bukur pranë Liqenit të Zürichut. Për një vit qëndrim qiradhënësit iu paguan 218.000 franga. Baroni kishte para. 174.000 franga pagoi një studio të arkitekturës për të rregulluar enterierin e vilës. Këto shuma nuk janë dëshmia e vetme për jetën në luks të baronit të drogës dhe partneres së tij, e cila me gjasë ishte adhuruese e madhe e verës. Për 131 shishe verë ajo pagoi 400.000 franga. Për rroba të markës italiane “Loro Piana” dhe të markave të tjera të njohura, si dhe për kostume të burrave ajo pagoi 250.000 franga, për stoli, orë dhe çanta kjo grua harxhoi, sipas Prokurorisë, 744.000 franga. Dhe 134.000 për aparate televizive dhe aparate të tjera shtëpiake.
Për të fshehur gjurmët familja mori një dhomë me qira në një fshat në Zvicrën lindore, por nga korriku 2021 ajo jetoi në Renaissance-Tower në Zürich në një banesë luksoze. Për qira paguan 206.000 franga. Këtu, në katin e 22-të, baroni i drogës dhe partnerja e tij jetuan 8 muaj - deri në ditën e arrestimit. Ata u befasuan në gjumë nga policia, nuk rezistuan. Autoritetet belge kishin paralajmëruar policinë zvicerane se baroni ishte i dhunshëm.
Shumicën e pagesave ky çift i kreu me para të gatshme, në disa xhirollogari të hapura me dokumente të rrejshme hetuesit gjetën fare pak para. Tani për tani kjo aventurë për drejtësinë zvicerane ka marrë fund. Pas dënimit të pritshëm të baronit në Belgjikë, ai mund të ballafaqohet edhe me drejtësinë zvicerane. Por njëherë radhën e ka drejtësia belge. Nëse baroni nuk arrin të ikë nga burgu.