OpEd

Ballkani, po aq larg nga BE-ja sa edhe para disa vjetësh

Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor liderët e vendeve nga rajoni dhe ata të BE-së do t’ia përsërisin besën njëri-tjetrit për integrimin e këtyre vendeve në BE si synim strategjik i dyanshëm. Por realisht rajoni është po aq larg BE-së sa edhe para disa vjetësh. Mali i Zi, i cili është i pari dhe më i shpejti në këtë proces, nuk ka bërë asnjë hap të vetin formal për dy vjet. Në Serbi, fushata zgjedhore fokusohet në glorifikimin e Slobodan Milosheviqit, angazhimin e Vojislav Sheshelit dhe në retorikë nacionaliste. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë hapur asnjë kapitull negociues. Ndërsa BE-ja as nuk e ka shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ndonëse nga ky akt ka kaluar një vit i tërë

Këtë javë zgjerimi i Bashkimit Evropian do të jetë përsëri në fokus. Nga e hëna e deri të premten secilën ditë në Bruksel, në selinë e BE-së, do të ketë takime të nivelit të lartë, ku do të diskutohet për këtë temë. Dhe kjo dëshmon se asnjëherë ky proces nuk ka qenë më shumë në fokus të BE-së që nga viti 2003, kur dhjetë shtete nënshkruan Traktatin e anëtarësimit në BE.

Të hënën do të diskutojnë ministrat e Jashtëm të BE-së në takimit e Këshillit të Punëve të Jashtme. Të martën, ministrat në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme ku, nëse nuk do të ketë veto, do të miratohen edhe konkluzionet për zgjerim. Të mërkurën zhvillohet një samit i radhës BE - Ballkani Perëndimor. Të enjten dhe të premten zhvillohet samiti i Këshillit Evropian ku, nëse nuk do të ketë veto, do të miratohet vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe ai për t’ia dhënë statusin e kandidatit Gjeorgjisë. Po ashtu, do të shprehet edhe gatishmëria që edhe Bosnjë-Hercegovinës t’i hapen negociatat e anëtarësimit nëse përmbushen disa kritere. Këto debate pasojnë paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të Progresit, të cilat i ka miratuar dhe publikuar në nëntor Komisioni Evropian. Por kësaj radhe konkluzionet e Këshillit kanë rëndësi më të madhe politike, pasi Këshilli ka një rol më të lartë në këtë proces sesa Komisioni Evropian.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka të drejtë kur thotë se për këtë duhet t’i falënderohemi Putinit dhe agresionit të tij ndaj Ukrainës. Kjo bëri që BE-ja t’i kthehet zgjerimit si projekt të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në tërë kontinentin. Dhe kjo ka bërë që për herë të parë pas një kohe të gjatë edhe qytetarët e BE-së të kenë qëndrim të favorshëm ndaj zgjerimit.

Por tash kur përmendet zgjerimi, kryesisht mendohet në Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor po ngecin dhe po vend numërojnë. Lajçak, në një debat të organizuar nga “Miqtë e Evropës” dha edhe një vlerësim rreth të cilit do të mund të diskutohej. Ai tha se “për herë të parë gatishmëria për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është më e madhe në BE sesa në vendet e Ballkanit Perëndimor”. Nëse ka menduar në Serbinë, vend i cili jo vetëm për Lajçakun, por edhe për shumë të tjerë në Bruksel është më i preferuari, atëherë mund të ketë të drejtë. Sepse ky vend është kthyer në të kaluarën, me njerëzit e njëjtë dhe retorikën e së kaluarës. Mjafton të shikohen debatet dhe sloganet parazgjedhore në Serbi. Por në të gjitha vendet e tjera të rajonit mbështetja për anëtarësim në BE është e jashtëzakonshme, në Kosovë më e madhja në botë. E nëse ka menduar në atë se sa janë gati për nga përmbushja e kritereve, atëherë mund të thuhet se ka të drejtë, ndonëse edhe BE-ja vetë e pranon se i duhen reforma para se të jetë e gatshme për t’u zgjeruar.

Ajo që nuk po thuhet në Bruksel, e shpesh edhe po harrohet, është fakti se pikërisht në periudhën e krijimit të një momenti të ri pozitiv për zgjerimin, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ngecur. Në të shumtën e rasteve për fajin e tyre, por në një masë edhe për shkak të Bashkimit Evropian.

Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor liderët e vendeve nga rajoni dhe ata të BE-së do t’ia përsërisin besën njëri-tjetrit për integrimin e këtyre vendeve në BE si synim strategjik i dyanshëm. Nuk do të ketë këngë dhe valle sikur në samitin e fundit në Tiranë, por nuk do të mungojnë premtimet e mëdha dhe shprehja e dashurisë nga të dyja anët. Por realisht rajoni është po aq larg BE-së sa edhe para disa vjetësh. Mali i Zi, i cili është i pari dhe më i shpejti në këtë proces, nuk e ka bërë asnjë hap të vetëm formal për dy vjet. Në Serbi, fushata zgjedhore fokusohet në glorifikimin e Slobodan Milosheviqit, angazhimin e Vojislav Sheshelit dhe retorikë nacionaliste. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë hapur asnjë kapitull negociues. Ndërsa BE-ja as nuk e ka shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ndonëse nga ky akt ka kaluar një vit i tërë.

Në këtë samit pritet të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët e liderëve, me të cilën do të konfirmohet nga njëra anë orientimi strategjik i rajonit për integrim në BE dhe në anën tjetër edhe përkushtimi i BE-së në këtë drejtim. BE-ja do të përsërisë përkushtimin e parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e këtij procesi. Por do t’ua rikujtojë vendeve që synojnë anëtarësimin se përparimi drejt arritjes së këtij qëllimi do të jetë i bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.

Dikujt mund t’i duket teksti i deklaratës së përgatitur si i njëjtë me tekste të tilla nga e kaluara. Por ka një dallim të madh. Në tekstet e viteve të mëhershme para agresionit rus në Ukrainë, nuk përmendej anëtarësimi në BE si qëllim, por vetëm “perspektiva evropiane” apo “rruga evropiane”.

Pa marrë parasysh ndryshimet pozitive në qasjen e BE-së ndaj zgjerimit, ky proces në teori dhe praktikë mbetet i njëjtë. Në të vendoset me konsensus të vendeve anëtare dhe një mjafton të bllokojë procesin. Mund ta bëjë Greqia ndaj Shqipërisë, Bullgaria prapë ndaj Maqedonisë së Veriut, Hungaria ndaj Ukrainës dhe Spanja e Qiproja të bllokojnë Kosovën. Asgjë në këtë drejtim nuk ka ndryshuar dhe nuk ka as indikacione se do të ndryshojë.

Ndoshta konstatimi më real do të ishte se ka një rritje të besimit se procesi i zgjerimit po bëhet më i sinqertë, por akoma ky është një proces i gjatë me një përfundim të paparashikueshëm. Edhe situata e sigurisë në rajon e dëshmon këtë. Ka tensione në veri të Kosovës, Serbia kërcënon dhe nuk ndërmerr masa ndaj sulmuesve që nga përfaqësuesi i lartë i BE-së u quajtën terroristë. Në Bosnjë-Hercegovinë lideri i serbëve të atjeshëm kërcënon me shkëputje të entitetit Republika Sërpska. Mali i Zi ka një qeveri të re dhe Kryesi të re të Parlamentit, por ka një test të madh për të dëshmuar në vepër se do t’i përmbushë reformat për të lëvizur pas më shumë se dy vjetësh bllokadë. Maqedonia e Veriut hyn në një periudhë parazgjedhore e raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale sesa që ishin kur nisi procesi i dialogut për normalizim. Shqipëria shquhet me rol konstruktiv në rajon dhe botë, por brenda vazhdon një kulturë shumë konfliktuoze politike. Dhe kjo vetvetiu tregon se rajoni është larg BE-së sepse, siç u shpreh një zyrtar i lartë i BE-së këto ditë, “nuk mund t’i pranojmë në BE ata që kanë raporte të helmuara me fqinjët”. Në këtë drejtim ka pak ndryshim dhe darkat e liderëve në Bruksel e vallet në Tiranë nuk e ndryshojnë këtë realitet të hidhur.