Federata Ruse, duke mos pasur një strategji të qartë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, është më shumë e koncentruar të përfitojë nga gabimet e Perëndimit në rajon, duke u treguar si alternativa e Perëndimit.
Politika e Federatës Ruse (FR) në Ballkanin Perëndimor ka rëndësi jetike për perceptimin e saj si fuqi botërore – jo vetëm nga shtetet e rajonit, por edhe shtetet e tjera të botës. Intervenimi ushtarak i NATO-s në shtetet e Jugosllavisë (në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë), bëri që imazhi i FR të dëmtohet jo vetëm në sistemin ndërkombëtar, por edhe në politikën e brendshme, ku filluan të shprehen pakënaqësitë ndaj pushtetit në FR. Prandaj, politika e jashtme e FR filloi të fokusohet më shumë në politikat e Ballkanit Perëndimor.
FR në forma të ndryshme është duke u munduar që ta sfidojë hegjemoninë e SHBA-së, gjë të cilën është duke e bërë edhe në konfliktin e Sirisë. Ku në vend të SHBA-së kemi dëgjuar më shumë zërin e FR. Ndërsa që nga viti 2000, FR ka luajtur një rol të veçantë që ngjarjet e viteve ’90 në Ballkan të mos përsëriten. Ajo, po ashtu, ka arritur që ta dëshmojë veten si një faktor i rëndësishëm në sistemin ndërkombëtar, duke ndikuar në përcaktimin e fatit të shteteve të Ballkanit Perëndimor (dhe jo vetëm tek këto vende).
Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një rëndësi strategjike për FR, prandaj edhe nuk lejon që këto vende të jenë tërësisht në ndikimin e shteteve të Perëndimit. Por, krahas kësaj, dominimi i politikës së FR në këto shtete mundëson ushqimin e elektoratit të tij, me idenë e përkrahjes së popujve sllavë. Ndër shtetet që FR ka ndikim më të madh është padyshim shteti i Serbisë. Për këtë marrëdhënie, FR është duke shfrytëzuar çdo lidhje historike dhe kulturore që ka me Serbinë. Por, gjithashtu, edhe kujtesa e tyre kolektive ndaj bombardimeve të NATO-s gjatë viteve 90-ta, e cila ua pasqyron armikun e tyre të përbashkët.
Vizita e fundit e Vladimir Putinit në Serbi, e cila ngriti debate të shumta mund të vlerësohet si një vizitë simbolike, por në esencë përcjelli edhe disa mesazhe të rëndësishme. Jo vetëm për Serbinë dhe qytetarët e saj, por edhe për shtetet e rajonit. Vizita e Putinit pas protestave në Beograd kundër Vuçiqit të cilat kanë filluar që nga muaji dhjetor, lë të perceptohet si kundër reagim ndaj këtyre protestave, ku ishte paralajmëruar që do të ketë një numër shumë më të madh të njerëzve për ta përshëndetur Putinit. Në anën tjetër Putini gjatë konferencës për media dha një mesazh edhe rreth marrëveshjes finale Kosovë – Serbi duke thënë që: “Zgjedhja e statusit të Kosovës duhet të bazohet në Rezolutën 1244 të OKB-së”. Ky mesazh u dha pikërisht në kohë kur po flitet për mundësinë e korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Referimi i Putinit tek Rezoluta 1244, tregon për peshën e tij me të drejtë vetoje që e ka në Këshillin e Sigurisë, por gjithashtu edhe për rëndësinë e OKB-së që duhet ta ketë në këtë proces. Aq më shumë një referim i tillë tregon kërkesën për minimizimin e rolit të NATO-s në rajon, duke e rritur ndikimin dhe rolin e OKB-së për zgjedhjen e problemeve të rajonit. Kërkesë, e cila ka qenë edhe para intervenimit të NATO-s në Kosovë, duke kërkuar kështu që problemet rreth Kosovës të gjejnë zgjidhje brenda ombrellës së OKB-së. Në anën tjetër, zgjerimi i NATO-s perceptohet si një kërcënim ndaj saj. Prandaj, FR në çdo formë mundohet që ta ndalë këtë zgjerim dhe ndikimin e tij, duke iu referuar rolit që ka OKB-ja.
Thirrja për respektimin e Rezolutës 1244 nga ana e FR tregon që ajo vazhdon të mbrojë integritetin territorial të Serbisë në kundërshtim me qëndrimet e SHBA-së.
Putini gjatë vizitës së tij në Serbi, po ashtu, theksoji që ka qenë aktiv në dialogun Kosovë – Serbi, duke kritikuar BE-në si ndërmjetësuese e këtij procesi që nuk ka arritur të sjell rezultate konkrete. Shihet një tendenca e FR për minimizimin e rolit të BE-së që duhet ta ketë në këtë proces, duke e treguar atë si të pasuksesshme. Por vlen të ceket që ndikimin i BE-së në shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk shihen aq armiqësore nga FR në krahasim me zgjerimin e NATO-s në rajon. Duke pasur parasysh edhe lidhjet dhe ndërvarësinë ekonomike që kanë shtetet e BE-së me FR; problemi kryesor i FR me BE-në është ndikimi i SHBA-së në këtë organizatë zgjerimin e saj për se.
Vizita e Putinit arriti të ngritë pyetje të shumta nëse FR do të jetë e përfshirë në dialogun final Kosovë – Serbi apo nëse Putini do të ketë fuqi të ndikojë në këtë proces. Ajo që kishte munguar deri më tani në debatet për dialogun Kosovë-Serbi ishte edhe roli i FR që mund ta ketë në këtë proces. Mungesa e përfshirjes së FR në këto debate tregon që është harrur fakti që gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë, SHBA dhe FR gati që nuk kishin hyrë në luftë.
FR krahas interesave strategjike të saj në rajon, mundohet të paraqitet si një alternativë e Perëndimit në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Rasti i Ukrainës ka ndikuar që politika e jashtme e FR të jetë më agresive në raport me shtetet e Perëndimit. Që nga ajo kohë Moska haptazi nisi t’i kundërshtonte normat dhe parimet e Perëndimit të prezantuara si universale. Lufta kundër dominimit të vlerave të Perëndimit në përgjithësi dhe hegjemonisë së SHBA-së në veçanti, ka bërë që FR të paraqitet si një alternativë ekonomike dhe ushtarake për vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithsesi, FR duke mos pasur një strategji të qartë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ajo është më shumë e koncentruar të përfitojë nga gabimet e Perëndimit në rajon, duke u treguar si alternativa e Perëndimit.
Së fundi, por jo me më pak rëndësi, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për FR, jo vetëm për nga perspektiva historike dhe kulturore, por edhe për nga aspekti i sigurisë së FR. Përderisa FR shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik vlerësohen si kufijtë e saj natyrorë që në çdo kusht mundohet edhe të mbajë larg ndikimit të fuqive të mëdha në këto vende; shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të konsiderohen si kufijtë e sigurisë. FR duke i parandaluar kalimin e fuqive të mëdha në kufijtë e saj natyrorë, qërimi i hesapeve me SHBA-në në veçanti, bëhet tek kufiri i saj i sigurisë pra në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Ballkanit Perëndimor po shndërrohen në vende ku fuqitë e mëdha mund t’i testojnë forcat e tyre.
(Autorja është studente e doktoraturës në Universitetin e Ankarasë dhe hulumtuese në KDI. Qëndrimet në këtë artikull janë personale dhe jodomosdoshmërisht përfaqësojnë qëndrimet e këtyre institucioneve)