Populli nuk tha se kush është më i përshtatshëm për t’i udhëhequr proceset e vështira që po na presin. Vota popullore tregoi se ka nevojë për bashkëbisedim e bashkëpunim në mes të forcave politike për të trasuar rrugën më të mirë për të kaluar proceset e vështira, të cilat nuk mund të lihen në duart e vetëm njërës forcë. Kosova është e të gjithëve, prandaj verdikti qytetar i 9 shkurtit e përçoi mesazhin e bashkëpunimit dhe jo të dominimit
As katër ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka dalë me rezultate finale. Gjatë numërimit të votave pati probleme teknike, për të cilat ende nuk ka shpjegim zyrtar nga KQZ-ja. Kanë mbetur pa u numëruar edhe diku mbi 80.000 vota të diasporës, administrimi dhe transporti i të cilave po ashtu u përcoll me probleme dhe me shkelje të dyshuara. Pra, mund të konkludoj se përderisa dita e votimit shkoi si jo më mirë, me një kulturë të lartë të shprehur nga qytetarët, shteti dështoi në kryerjen e punëve të veta gjatë procesit zgjedhor.
Vetëm sa për ta përmendur, ende më ka mbetur një shenjë e zbehtë e markerit, i cili u përdor për arsye se ngjyra/spreji që është përdorur për të shënjuar votuesit po ashtu nuk funksiononte. Ka vend për të dhënë përgjegjësi prej kryetarit të KQZ-së e deri tek udhëheqësit e pjesës teknike të këtij institucioni. Sidoqoftë, duke qenë se secila votë dhe secili deputet më shumë apo më pak çon peshë dhe mund të jetë vendimtar për kalkulimin e aleancave dhe koalicioneve paszgjedhore, përderisa nuk i kemi ende rezultatet finale të zgjedhjeve, është ende herët të flitet për opsionet finale për formimin e koalicioneve qeverisëse.
Prandaj do të provoj të parashtroj një sërë opsionesh mbështetur në rezultatet e deritanishme të ofruara nga KQZ-ja - me 40.84% të fituara nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), 22.05% nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), 17.67% nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), 7.45% koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma, 4.55% Lista Serbe dhe 0.47% për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, që, sipas raporteve, mund ta fitojë një deputet nga dhjetë sosh sa janë të garantuara për komunitetin serb. Dhjetë deputetë të tjerë u takojnë partive që përfaqësojnë komunitete të tjera joshumicë, siç janë boshnjakët, turqit, romët, egjiptianët, ashkalinjtë. Që në fillim duhet theksuar se tradicionalisht partitë e komuniteteve joshumicë nuk luajnë rol në formimin e koalicioneve. Ato gjithmonë i janë bashkuar koalicionit apo partisë që e ka formuar shumicën parlamentare. Pra, vendimi për koalicione paszgjedhore u takon partive shqiptare.
Janë tri opsione parimore, nëse përjashtojmë variantin konspirativ se një numër deputetësh nga opozita, më konkretisht nga NISMA, mund të ndërrojnë kampin e tyre politik dhe t’ia bëjnë LVV-së votat e nevojshme për të krijuar një shumicë të ngushtë parlamentare. Kjo teori konspirative, të cilën e kisha dëgjuar nga mbështetës të LVV-së menjëherë pas zgjedhjeve, nuk u mohua nga përfaqësues të NISMËS, edhe pse për të u fol edhe publikisht. Sidoqoftë, në këtë shkrim ky opsion do të përjashtohet. Po ashtu, nëse LVV-ja me votat e diasporës arrin të ketë 50 deputetë, asaj nuk i nevojiten koalicionet me partitë shqiptare, duke qenë se mund të marrë mbështetjen e komuniteteve joshumicë dhe një deputeti serb, përkatësisht Rashiqit. Në këtë rast do të mund të kishim një shumicë të brishtë që do të varej nga një votë e vetme dhe nga Lista Serbe.
Në formimin e mendimit se cili opsion është më i miri, duhet pasur parasysh ndryshimet e mëdha politike në SHBA dhe ato që mund të ndodhin në Evropë, nëse e djathta ekstreme “AfD” arrin t’i fitojë zgjedhjet në Gjermani. Politika e SHBA-së karshi Kosovës dhe në përgjithësi rajonit të Ballkanit do të ndryshojë rrënjësisht. Administrata e Trumpit nuk ka durim të merret gjatë me një problem dhe nuk ka durim me liderë që nuk e ecin udhën e kërkuar (don’t walk the walk) dhe që nuk e flasin atë që duhet (don’t talk the talk). Prandaj, politika kosovare e këtyre katër vjetëve do të ndryshojë ngase nuk mund të llogaritet në partneritetin e SHBA-së dhe në rolin e saj si garantues kryesor i sigurisë në Kosovë dhe në rajon nëse palët nuk bashkëpunojnë plotësisht për zgjidhjen e problemeve të mbetura. Madje, Kosovës mund t’i parashtrohen kushte dhe zgjidhje të vështira nga administrata Trump. Nëse ai u kërkon kanadezëve, aleatët më të afërt, që të heqin dorë nga pavarësia e tyre, vetëm mund ta paramendoj se çka mund të ndodhë në Kosovë. Me Trumpin në krye, gjithçka është e mundur. Prandaj, politika duhet të jetë e mençur, e pjekur dhe të dijë të navigojë kompleksitetin ndërkombëtar të krijuar me ardhjen e Trumpit në pushtet.
Nëse LVV-ja nuk arrin të ketë numër të mjaftueshëm deputetësh për të formuar koalicion me partitë joshumicë dhe me partinë e Rashiqit, atëherë situata ndryshon dhe hapet rruga për më shumë opsione politike. Këto po i paraqes më poshtë:
Opsioni numër 1 është formimi i një qeverie të unitetit, një koalicioni të përkohshëm të të gjitha forcave politike parlamentare që do t’ia lejojë Kosovës të marrë vendime të vështira që e presin Kosovën gjatë periudhës vijuese. Kjo qeveri e unitetit do të merrte vendimin mbi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe do të merrte përsipër dialogun Kosovë-Serbi deri në marrëveshjen përfundimtare, e cila me gjasë do të kërkohet nga administrata e Trumpit. Deri më tani askush nuk ka folur publikisht për këtë lloj koalicioni të gjerë. Përkundrazi. Madje kryeministri Kurti i ka fyer partitë opozitare e edhe votuesit e tyre me fjalën “hajvan” e “hajvanat”, duke treguar kështu se nuk di të sillet si fitues, me hir e me nur (graciously). Njerëzit duhet të kenë hir e nur edhe kur humbin, të dinë ta pranojnë edhe humbjen, edhe fitoren. Sidoqoftë, në teori ky opsion është i mundshëm dhe do të mund të shpërbëhej me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2026, para zgjedhjes së presidentit të ri.
Opsioni numër 2 është një koalicion i partive opozitare, të cilat së bashku mund t’ia kalojnë LVV-së me numrin e deputetëve të fituar. As ky opsion nuk është i lehtë, duke qenë se të gjitha partitë opozitare e synojnë postin e kryeministrit. Për t’u jetësuar ky opsion, partitë politike duhet ta bëjnë një ujdi që i merr parasysh rezultatet zgjedhore. Pra, me këtë opsion posti i kryeministrit do të duhej t’i takonte PDK-së, posti i zëvendëskryeministrit të parë LDK-së, kurse postet ministrore do të mund të negocioheshin, varësisht prej përgjegjësisë dhe peshës që e kanë dikasteret e ndryshme. Këto dikastere do të mund të riformatoheshin për t’iu përgjigjur kërkesave të partive opozitare. Nëse LVV-ja dështon në formimin e një mazhorance, ky opsion është krejtësisht i mundur dhe madje do ta kishte edhe mbështetjen ndërkombëtare dhe të mbi 47% të votuesve, më shumë sesa ka LVV-ja. Një qeveri e formuar nga opozita kërkon mirëkuptim dhe marrëveshje si dhe konfirmim të gatishmërisë për të mbetur pjesë e koalicionit dhe zgjidhjes së çështjeve kontestuese që mund të dalin në mënyrë miqësore. Natyrisht se pjesë e negociatave për formimin e koalicionit të partive opozitare do të ishte edhe posti i presidentit, i cili do të zgjidhet më 2026. Mos të harrojmë se në raundin e tretë zgjedhja e presidentit nuk kërkon më shumë se një shumicë prej 61 votash të deputetëve të Kuvendit.
Opsioni numër tre do të ishte dakordimi i partive opozitare për t’i dhënë mbështetje formimit të një qeverie të pakicës, të udhëhequr nga LVV-ja. Është mundësi teorike, por në praktikë vështirë se do të mund të realizohet dhe mund të jetë lojë kumbari me të ardhmen e Kosovës.
Përse do të kishte arsye të votohet një qeveri e pakicës e udhëhequr nga LVV-ja? Së pari, LVV-ja do të merrte përsipër barrën e përfundimit të proceseve politike, siç është themelimi i Asociacionit, si dhe do të ballafaqohej me një politikë ndryshe të administratës së Trumpit, me ç’rast shumë nga qëndrimet e kësaj partie do të zhvlerësoheshin. Për më tepër, një qeveri e pakicës do t’ia mundësonte opozitës rrëzimin e saj para zgjedhjes së presidentit dhe do t’i mundësonte që t’i tregojë sistematikisht të metat e qeverisjes së LVV-së. I varur nga mbështetja e opozitës, Kurti do ta ndryshonte tërësisht metodën e qeverisjes despotike që e ka ushtruar në katër vjetët e fundit, duke qenë se do të ishte i detyruar t’i jepte llogari parlamentit.
Si përfundim, rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i siguron askujt shumicë të qëndrueshme parlamentare. Madje edhe nëse ndonjëra nga partitë opozitare i bashkohet LVV-së, e që është më pak e mundur, do të kemi zgjedhje parlamentare të parakohshme, sigurisht para zgjedhjes së trashëgimtarit të Vjosa Osmanit apo konfirmimit të saj me edhe një mandat tjetër. Gjatë këtyre dy vjetëve do të kemi shumicë të brishtë, përgjegjësia politike e së cilës do të jetë e madhe - madje mund të quhet edhe historike - për arsye se po hyjmë në një periudhë që mund të jetë vendimtare për fatin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Populli nuk tha se kush është më i përshtatshëm për t’i udhëhequr proceset e vështira që po na presin. Vota popullore tregoi se ka nevojë për bashkëbisedim e bashkëpunim në mes të forcave politike për të trasuar rrugën më të mirë për të kaluar proceset e vështira, të cilat nuk mund të lihen në duart e vetëm njërës force. Kosova është e të gjithëve, prandaj verdikti qytetar i 9 shkurtit e përçoi mesazhin e bashkëpunimit dhe jo të dominimit.