OpEd

Asociacioni nuk është “obligim”, është “liri”

Zgjidhja e nyjës së Asociacionit të komunave serbe mund të bëhet duke e ndërruar qasjen prej debatit legalist në atë të interesave të komunitetit serb në Kosovë. Kësisoj, Kosova nuk ka obligim të themelojë Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe; asociacionet duhet t’i bëjnë komunat me shumicë serbe në bazë të interesave të veta, me ndihmën e institucioneve të vendit

1.

Nuk kaloi shumë kohë prejse isha ulur në karrigen e sallës ku u prezantua një draft i Statutit të mundshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, organizuar nga Fondacioni i socialdemokratëve gjermanë FES, e pashë që emri im doli në disa portale, në disa prej tyre edhe me fotografi. E kuptova si sinjal i tejndjeshmërisë që ekziston në opinionin tonë publik këto ditë; çdo gjë duhet të jetë shenjë, pra edhe prania ime (e një personi pa funksione publike që përpiqet të këshillojë rreth procesit negociator) duhej të jepej për interpretim.

Nuk di saktësisht çka duhej interpretuar, por për t’ua lehtësuar interpretuesve mund të them që shkova të dëgjoja se çka e shohin autorët si një draft të mundshëm të Statutit të Asociacionit. Dhe atë që dëgjova qe një përpjekje për të vënë në një tekst koherent Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe legjislacionin kosovar.

Teksti tregon përkushtim dhe shumë punë të detajuar. Teksti po ashtu ndërtohet mbi një premisë themelore të gabuar dhe kështu draftstatuti nuk do ta kalonte në tërësi testin e kushtetutshmërisë dhe të funksionalitetit.

Premisa e gabuar, dhe jo vetëm në këtë përpjekje, është se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një obligim e jo një liri.

Vijon shpjegimi.

2.

Pra, pikënisja e punës së FES-it (dhe të diplomatëve, juristëve, politikanëve, pjesëmarrësve në hapësirën publike) është se Kosova ka obligim që të zbatojë Marrëveshjen e parë të vitit 2013 dhe se ky është tashmë një obligim që Kosova e ka marrë me ratifikim të Marrëveshjes si traktat ndërkombëtar. Për më tepër, duke e marrë epërsinë e marrëveshjes ndërkombëtare ndaj ligjeve në fuqi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aktgjykimin e saj shprehu qartazi se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe “do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës”.

Kjo qasje është e gabueshme. Marrëveshja e parë e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës, por nuk u ratifikua nga Kuvendi i Serbisë. Gjykata e saj Kushtetuese, më 10.12.2014, ka vlerësuar se “Marrëveshja e parë e kontestuar nuk i përmbush kushtet e parapara me konventat e përcaktuara ndërkombëtare dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Serbisë që të mund të trajtohet si marrëveshje ndërkombëtare”. Pra, Marrëveshja e parë nuk është traktat ndërkombëtar, ani pse Kosova ka konsideruar se është e tillë. Shtetet nuk nënshkruajnë traktate me veten; në mënyrë që Marrëveshja e parë të trajtohej nga Konventa e Vjenës për traktate ndërkombëtare, Marrëveshja e parë duhej të kishte natyrë të njëjtë vlerësimi nga të dy nënshkruesit. Meqë nuk e ka, Marrëveshja e parë nuk i nënshtrohet të drejtës ndërkombëtare e as deklarimit të përhershëm që e bëjnë diplomatët që vijnë në Kosovë “Pacta sunt servanda” (Marrëveshjet duhet të zbatohen me mirëbesim).

3.

Di që nga kjo pikë mund të vazhdojë kontestimi juridik me fjalët se megjithatë mbetet verdikti i Kushtetueses dhe kam përgjigje edhe për këtë, por nuk më duket se ia vlen për këtë shkrim të futemi më thellë në debat juridik. E përdora argumentin për të treguar se pikënisja e hartuesve qe “obligimi” (i supozuar ) i Kosovës nga i cili obligim pastaj doli edhe struktura e draftit në të cilin janë të shënuara edhe ingerencat e rrafshit të tretë të pushtetit që nuk ekziston në rendin e tanishëm kushtetues të vendit.

Përballë konceptit të “obligimit”, i cili ndërton një koncept të drejtash prej lart-poshtë, pra tregon se çfarë të drejtash duhet të kenë serbët në një Asociacion komunash ku ata janë në shumicë, më duket se më e mirë do të ishte qasja e “lirisë”. Pra, komunat me shumicë serbe duhet të kenë lirinë për asociim në bazë të interesave të veta. Këtë liri (të drejtë) ka mundësi të mjaftueshme zbërthimi me ligjet në fuqi, po qe nevoja edhe me amendamentimin e tyre.

Pikënisja për një qasje duhet të jenë çështjet e identifikuara në konkretësinë e tyre. Në debatet që po zhvillohen këto ditë e vlefshme është të dëgjohet se si do të akomodohen, për shembull, ndihmat që Serbia do t’ua japë në formë legale serbëve të Kosovës në fushën e arsimit, shëndetësisë e çështjeve sociale. Dhe në saje të nevojave të identifikohet forma e bashkëpunimit ndërkomunal që do t’i akomodojë ato, si dhe struktura vendimmarrëse që do ta bëjë këtë në formë sa më transparente dhe efikase.

4.

Ekziston edhe një avantazh i madh që narracioni publik të kalojë prej “obligimit” në “liri”, e ai lidhet me nevojën që të bëhet përqendrimi në Propozimin euroamerikan të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sikur me portalet që shënuan praninë time duke e nxjerrë jashtë konteksti të normales, ashtu edhe debati rreth marrëveshjes së normalizimit duhet të zbresë prej sensacionalizmit në një bisedë të esëllt për të gjitha.

Dhe, po, do të jetë më lehtë kur ta ndryshojmë perspektivën e shikimit prej konceptit “obligim” në konceptin “liri” apo e drejtë.

Kështu, do të dalë se Kosova nuk ka obligim të themelojë Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Por, njëkohësisht do të dalë se komunat me shumicë serbe kanë të drejtën që të krijojnë asociacione partneriteti për çështjet me interes të përbashkët dhe për këtë u nevojitet ndihma edhe e institucioneve të vendit.