Pavarësisht shumë dukurive negative, të cilat na kanë kapluar si shoqëri dhe ndaj të cilave edhe vetë personalisht jam një kritik i zëshëm, prapëseprapë mendoj se ajo njerëzorja nuk na ka humbur ende dhe u ndava nga Prishtina me shpresën që m’u rikthye për atë se ne e kemi një rini të shëndoshë dhe humane, si dhe se e ardhmja jonë si popull dhe si një shoqëri e një shteti të ri me të vërtetë mund të jetë e ndritur
Fakti se nuk isha në shtëpi për tre vjet dhe se aty nuk kishte jetuar njeri mund të vërehej nga pluhuri i shtresuar në xhamat e shumtë të banesës. Edhe mospërdorimi i çezmave e kishte bërë të veten. Si duket, ato ishin të mbyllura nga zalli apo gëlqerja e shtresuar në to dhe më se gjysma e tyre nëpër banesë kishin fare pak shtypje të ujit. Banesa është e fillimviteve ‘80 të shekullit të shkuar. Ka një ndërtim solid, por është amortizuar ndër vite.
Porsa u zgjova nga gjumi i mesditës, zbrita poshtë deri në supermarket që të blija diçka për ta mbushur frigoriferin e zbrazur. Ajo që më ra në sy ishte se hyrja e banesës ishte e lyer, e pastër dhe se disa xhama të thyer ishin rregulluar e hyrja gjithashtu ishte e ngrohtë. Dera kryesore e hyrjes ishte ndërruar dhe rregulluar, ndërsa për qasjen në banesa ishin vendosur edhe bravat elektronike të sigurisë me çelësa elektronikë, si dhe me interfonë. Ishte pamje e njëjtë sikurse në secilën banesë në Londër, qysh prej viteve ‘80 e mbase edhe më herët.
Kjo ishte bërë e mundur nga Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja banesore, si dhe participimi i vetë banorëve. Mendoj se ishte një gjë shumë e duhur dhe e nevojshme. Me gjithë faktin se ndërtesa ku jetoj është masive dhe e rrethuar nga shumë ndërtesa të tjera, si dhe shkolla fillore "Ismajl Qemali", qetësia që mbretëron natën në këtë lagje është shurdhuese. Nganjëherë mund të dëgjoje të lehura qensh rrugëve dhe natyrisht zërin e ulluqeve dhe ujit të shiut që pikon.
Ardhjen në Kosovë do ta shfrytëzoja edhe për vazhdimin e letërnjoftimit tim, të cilit i kishte skaduar afati gjatë kohës së pandemisë, si dhe për nxjerrjen e patentë shoferit të humbur.
Sapo u zgjova të nesërmen, u nisa për në Komunë. Preferoj të ec kur dal nga shtëpia, pasi që është teposhte dhe ecja nuk është aq e vështirë. Një pjesë e madhe dyqanesh dhe kompanish që i njihja dikur, tashmë kishin ndërruar pronarë dhe veprimtari. Zyrat e “Raiffesien Bank”, në të cilën dikur punoja përballë sallës "1 Tetori", tashmë ishin të një kompanie sigurimesh. Shtatë vjetët e kaluar aty medoemos sjellin kujtime të shumta, takime të shumta pune, kolegë pune e kolegë që në ndërkohë kanë ndërruar jetë. Sigurisht se këto ndjesi nuk më bëjnë aspak të veçantë. Me to ballafaqohet gjithsecili prej nesh në mënyrat, situatat dhe përvojat tona specifike që na përball jeta. Ajo që më dallon mua është mundësia që më është dhënë për t’i shpalosur dhe përshkruar ato në një medium prestigjioz kosovar, siç është “Koha Ditore”.
Me të arritur në Komunë, mendja ma thoshte se punë do ta përfundoja shumë shpejt, pasi që ekstraktin e lindjes do ta nxjerrja nga e-kiosku praktik. Por, fatkeqësisht, ai ishte jashtë përdorimit, meqë, si duket, kontraktuesit për mirëmbajtjen dhe operimin e tij i kishte skaduar kontrata dhe tani prapë duhej kthyer në sistemin e vjetër të pritjes, me numrin rendor të tiketës. Faktikisht më ra që të prisja në rend për gati dy orë, goxha kohë e gjatë. Sidoqoftë, me të përfunduar punë aty, u drejtova në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku do të duhej të aplikoja për letërnjoftimin e ri.
Edhe aty ishte sistemi i pritjes me numrin rendor të tiketës. Fatmirësisht pritja nuk zgjati për më shumë se 45 minuta dhe zonja që më shërbeu në njërin prej sporteleve të destinuara ishte më se ekspeditive. Pas pagesës prej 60 eurosh për nxjerrjen e letërnjoftimit me procedurë të përshpejtuar, si dhe fotografimit dhe marrjes së shenjave të mia biometrike, më tha se letërnjoftimi do të ishte gati brenda 48 orësh. Nga kjo zonjë mora njashtu informatat e nevojshme mbi nxjerrjen e patent shoferit të humbur. Me të përfunduar punën, mora një taksi dhe u nisa nga stacioni policor "jugu", i cili qenka i vendosur te rrethi në lokacionin e ish-Hotel Victory. Kur mbërrita aty dhe pas paraqitjes në sportel, ku nuk kishte rend të pritjes, më ofruan një formë për të deklaruar mbi rrethanat se ku dhe si më kishte humbur patentë shoferi.
Pasi e përfundova procedurën, më thanë se raporti policor zgjat një javë për t’u gjeneruar dhe se kishte afat 3-mujor. Nga kjo e kuptova se do të më duhej që të kthehesha në Kosovë prapë pas tre muajsh, në mënyrë që të aplikoja për patentë shoferin e ri.
Sidoqoftë, me të përfunduar të edhe kësaj pjese administrative, shpresoja se pjesa e ditëve të mbetura do të ishte ajo për t’u çmallur me Prishtinën dhe miqtë e shumtë.
Fundjava ishte dita kur Komuna e Prishtinës kishte vendosur që të bënte një eksperiment me rrugët e kryeqytetit, duke e shndërruar unazën e brendshme të qytetit në rrugë njëkahore dhe duke e mbyllur rrugën kryesore pranë Katedrales së kryeqytetit, për ta shndërruar atë në pjesë të zgjatur të shëtitores së sheshit “Nëna Terezë”.
Si ide gjithsesi se tingëllon bukur, por në praktikë mendoj se do të lindin një sërë problemesh, të cilave u duhet gjetur zgjidhje para vendimit për implementimin e këtij projekti. Në disa vende të unazës njëkahore, pavarësisht faktit se ishte vikend dhe festë e zgjatur, ishin krijuar pika të fytit të ngushtë dhe tollovitë me vetura. Në ditë të rëndomta pune as nuk dëshiroj që ta shfrytëzoj imagjinatën time për të kuptuar se çfarë mund të ndodhte aty. Pastaj, sa më përket mua, mbetet çështja se si do të zgjidhej puna e autoambulancave, zjarrfikësve dhe mjeteve të tjera emergjente. Mendoj dhe shpresoj se Komuna e Prishtinës do t’i ketë të gjitha këto parasysh dhe t’i ofrojë të gjitha zgjidhjet e nevojshme para implementimit të një projekti të tillë. Përndryshe Prishtina e ngufatur, duke pasur sa më pak vetura do të ishte edhe më e bukur e edhe më e përballueshme, si dhe më e jetueshme për vetë qytetarët.
Për vikend edhe moti u përmirësua. Ani se frynte erë, dielli e bënte të veten. Ia ktheu Prishtinës shkëlqimin e humbur të disa ditëve më parë nga ditët e zymta të dimrit të vonuar. Një takim i rastësishëm dhe i paplanifikuar me mikun tim qysh nga ditët shkollore, Sislej Xhafa, motrën e tij Marsidën, si dhe burrin e saj Kreshnikun, të cilët jetojnë në Londër, si dhe me Artën, një shoqe tjetër e gjeneratës e për mua edhe ish-kolege nga “Raiffesen Banka”, ishte një natë aq e bukur dhe spontane që do të më mbetet në kujtim për një kohë shumë të gjatë, sigurisht.
Ditëve të qëndrimit tim po u vinte fundi dhe të martën e 26 prillit do të fluturoja për në Londër. Kjo do të ndërlidhej po ashtu me përvjetorin e tetë të vdekjes së vëllait tim, Nolit. Mërzia do të ishte e dyfishtë.
U përshëndeta me Prishtinën time dhe me gjithçka që doja rreth saj. Po i bëja edhe përgatitjet e fundit për kthimin në Londër.
Para se të flija, vendosa që t’i lexoja lajmet e fundit dhe ashtu i shtrirë, duke lexuar, befas më ra njëra prej urave të vendosura në dhëmbë. Nuk më ishte thyer, por vetëm kishte rënë. Më kaploi një ndjenjë shqetësimi se si do të shkoja kësisoj për në Londër? Mos do të më duhet që ta shtyja fluturimin që ishte në orën 12:00. Tashmë ishte ora 2 e mëngjesit. I dërgova një SMS doktoreshës Vjosa, e cila m’i kishte rregulluar dhëmbët para 5-6 vjetësh. E dija se në këtë kohë ajo ishte në gjumë, por isha i sigurt se posa ta shihte mesazhin do të më përgjigjej. Por paniku po e bënte të veten. Nuk do të mund të rrezikoja dhe ta prisja mëngjesin. Për një çast, m’u kujtua që ta shkruaja një status, duke u kërkuar miqve të shumtë që mund të ishin zgjuar nëse ndonjëri prej tyre ishte rastësisht dentist. Ashtu si zakonisht në statuset e mia, njerëzit e morën me shaka dhe nuk mungoi vërshimi me komente përplot humor, por edhe tagg-at e dentistëve. Nga taggu i parë, m’u lajmërua një zonjë dhe më pyeti nëse do të mund të më ndihmonte. Ia tregova problemin dhe më tha se ordinanca e saj do të hapej në orën 09:00 dhe se do të isha i mirëseardhur për të ma zgjidhur problemin. Me gjithë gatishmërinë e saj që ta hapte ordinancën në orën 08:00, për mua problemi qëndronte në faktin se gjendej në Prizren dhe disi më dukej punë e koklavitur, pasi që gjasat për të mos e arritur fluturimin ishin reale.
Më pas u lajmërua një dentist tjetër dhe më pyeti se si do të mund të më ndihmonte. Ia tregova problemin. Më kërkoi që t'ia fotografoja urën e dhëmbëve nga disa kënde. Pasi konkludoi se ajo nuk ishte thyer, më pyeti nëse do të mund të shkoja në ordinancën e tij, prapa ndërtesës së AAK-së, për 15 minuta. Shkova dhe u takuam. Ora kishte vajtur rreth 3:30 të mëngjesit. Atij nuk iu deshën as 20 minuta punë që urën e rënë ta rivendoste në pozitën e mëparshme. Nuk donte as të dëgjonte për pagesë, gjë të cilën unë assesi nuk do ta pranoja.
Në të njëjtat rrethana në Londër sigurisht se nuk do të gjeja zgjidhje në atë kohë nate, edhe pavarësisht çfarëdo shume parash që të ofroja. Dr. Eti Bajrami, ani se as nuk njiheshim, thjesht veproi nga ndërgjegjja e mjekut/stomatologut dhe më doli në ndihmë. Në këso gjestesh të njerëzishme dhe solidare mund të hasësh vetëm në vendlindje.
Pavarësisht shumë dukurive negative, të cilat na kanë kapluar si shoqëri dhe ndaj të cilave edhe vetë personalisht jam një kritik i zëshëm, prapëseprapë mendoj se ajo njerëzorja nuk na ka humbur ende dhe u ndava nga Prishtina me shpresën që m’u rikthye për atë se ne e kemi një rini të shëndoshë dhe humane, si dhe se e ardhmja jonë si popull dhe si një shoqëri e një shteti të ri me të vërtetë mund të jetë e ndritur.