Pos shqipes, që nxënësit dhe studentët tanë me konsistencë tregojnë se nuk e njohin, për më keq, se nuk e kuptojnë kur e lexojnë, kemi problem shumë serioz me edukatën qytetare – dhe mjafton të përmendet vetëm një element: mirësjellja. Edukata qytetare pra, mirësjellja ndaj individëve, familjes, shoqërisë, ndaj natyrës dhe të kuptuarit se përse duhet përmbajtur disa parimeve kryesore që e mundësojnë jetesën në një ambient kolektiv, ku duhet pasur respekt edhe për të drejtat e të tjerëve
Javën, pa dyshim, e shënoi vdekja e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare. Dy ditë zie në Shqipëri dhe një në Kosovë; homazhe shtetërore dhe varrimi në rreth të ngushtë sipas kërkesës së vetë Kadaresë, e përmbyllën shtegtimin e tij jetësor 88-vjeçar.
Shumë u shkrua dhe u fol për të në tri-katër ditët e fundit. KOHA i botoi dy kolumne të shkëlqyera të Enver Robellit (https://www.koha.net/veshtrime/424873/nje-uragan-i-panderprere-si-dhurate-per-boten) dhe të Veton Surroit (https://www.koha.net/veshtrime/424952/rizbulimi-i-kosoves-ne-cafe-le-rostand) që në formë mjeshtërore e kujtojnë dhe e nderojnë figurën e tij.
Pas leximit të këtyre dy shkrimeve, zor se do të mund të shtohej edhe ndonjë gjë. Pos një fjalie: mëkat që nuk ia dhanë Nobelin për Letërsi.
* * *
Ndërkohë, jemi duke hyrë në javën e fundit të Kampionatit Evropian të Futbollit. Derisa po shkruhet ky tekst, tashmë dihet se cili është çifti i gjysmëfinales së parë. Po dihen edhe disa veçori që i ka sjellë ky kampionat – për herë të parë ka marrë pjesë Gjeorgjia; që deri tash janë shënuar madje 9 autogola dhe se asnjë gol nuk është shënuar nga gjuajtja e lirë.
Organizimi duket të jetë i jashtëzakonshëm. Gjermanët janë nikoqirë për herë të tretë dhe kanë infrastrukturë të jashtëzakonshme (një kusht për organizim ka qenë që stadiumet të kenë kapacitet për më së paku 30 mijë shikues). Incidentet kanë qenë minimale dhe futbolli i luajtur ka qenë kryesisht cilësor, kurse futbollin më të mirë, për shijen time, e kanë treguar spanjollët. Prognoza ime është se në finale do të takohen Spanja me Zvicrën.
E shohim javën tjetër.
* * *
E futbolli mundet lehtë të përdoret si një arsyetim për kopjim nga filloristët dhe maturantët që iu nënshtruan provimeve të arritshmërisë, përkatësisht të maturës.
Nuk e di përqindjen e atyre që i kanë kaluar provimet. Nuk e besoj se këta numra janë të rëndësishëm, sepse nuk janë realë.
Kopjimi masiv në të dy provimet flet shumë keq për të gjithë sistemin arsimor në Kosovë. Për shkak se rezultatet e këtyre provimeve mund të kenë ndikim në regjistrimin në shkollat publike – dhe mesme dhe fakultete. Dhe është për të vajtuar që teste, në të cilat kopjohet, për të mos thënë se mësohet se për të arritur sukses patjetër duhet mashtruar, duhet të përcaktojnë se kush mund të regjistrohet e kush jo në një shkollë të mesme apo edhe universitet publik.
Ka shumë vjet që fenomeni i kopjimit në këso provime është i pranishëm në Kosovë. Për më tepër është përkrahur edhe nga mësimdhënësit të cilët edhe kanë ndihmuar duke u shtirur se nuk shohin se çka po ndodhë, apo edhe duke i udhëzuar se çfarë përgjigjesh duhet dhënë.
Dhe ka shumë vjet që shtrohet pyetja se përse mbahen këto teste. Cili është qëllimi dhe çfarë synohet të arrihet në to? Për fat të keq rezultatet e PISA-s i demantojnë plotësisht çfarëdo rezultatesh spektakolare (e që nuk janë) që do të mund të prodhoheshin nëpërmjet kopjimit.
Pra në vend se të humbim kohë, energji e nerva duke u marrë me kopjimin ose jo në provimet e arritshmërisë apo edhe maturës, do të duhej të ndaleshim t’ia bëjmë vetes një vetëkritikë thelbësore se përse kemi lejuar të dështojmë në sistemin arsimor. Pse kemi dështuar që ta reformojmë arsimin, sidomos kur e dimë se pas luftës thuajse nisëm nga e para.
* * *
Pershendetje profe dashta met lajmru se un ekam ndrru nje provim per provimin ne TS ikam lajmru ekan aprovu por sum ka ardh as nje INV per provim amuj me hy shpejt me provu nese o muncia se pe humbi provimin per faj tjeter kujt.
Këtë porosi e ndau me miqtë e tij në FB një profesor i një institucioni të arsimit të lartë.
Kjo do të thotë se studenti që e ka shkruar këtë email do t’i ketë më së paku 20 vjet. Do të thotë, është student që e ka kaluar edhe provimin e arritshmërisë e edhe atë të maturës dhe në fund është regjistruar në një institucion të arsimit të lartë.
Siç do të thotë vetë miku profesor: “...nuk ka dallim esencial ndërmjet studentëve të fakulteteve publike apo private! Andaj, mendoj se gjuha shqipe (drejtshkrimi) duhet të futet urgjent si lëndë obligative në të gjitha fakultetet e Kosovës pa përjashtim!
Por, problemi i kësaj porosie shkon përtej njohurive që mund t’i ketë dikush për gjuhën dhe drejtshkrimin e shqipes. Kjo flet për një problem shumë më serioz që ka të bëjë me arsimin dhe edukimin (dhe qëllimisht po i përdori, për shkak se në këtë kontekst nuk janë sinonime).
Kjo porosi në esencë e shpërfaq mungesën absolute të respektit në komunikim me një person akademik që ofron nxënie si dhe me një person i cili detyrimisht është më i moshuar sesa studenti. Më tej, emaili nuk nis me: “I nderuar z. Profesor...”, pra tregon nivelin e ulët të edukatës bazike, ku merret guximi të komunikohet me profesorin, që supozohet se duhet të jetë autoritet në institucion arsimor, thuajse e ka dost kafehaneje me të cilin pi birra. Dhe e fundit, lehtësia me të cilën e kërkon “muncinë” (bëhet fjalë për “mundësinë”) për të hyrë shpejt në provim, pa u munduar ta elaborojë problemin përtej fajit të dikujt që nuk ia ka nisur INV (që supozoj është ftesë për provim).
* * *
Një porosi si kjo tregon se pos shqipes, që nxënësit dhe studentët tanë me konsistencë tregojnë se nuk e njohin, për më keq, se nuk e kuptojnë kur e lexojnë, kemi problem shumë serioz me edukatën qytetare – dhe mjafton të përmendet vetëm një element: mirësjellja.
Edukata qytetare pra, mirësjellja ndaj individëve, familjes, shoqërisë, ndaj natyrës dhe të kuptuarit se përse duhet përmbajtur disa parimeve kryesore që e mundësojnë jetesën në një ambient kolektiv, ku duhet pasur respekt edhe për të drejtat e të tjerëve.
Është shumë e vërtetë që edukata qytetare nuk mësohet vetëm prej librave dhe se shpesh nxënësit do të zgjedhin t’i kapërcejnë ato që thuhen në libra, për shkak se për shembuj do t’i marrin personazhet nga shoqëria jonë, në veçanti e pasluftës, që suksesin në jetë nuk e kanë arritur me edukatë qytetare, por me mashtrim, me dhunë, e mbase edhe me krim, e që për këtë punë të mos jenë marrë në përgjegjësi ligjore.
Në çerekshekullin e shkuar Kosova ka dështuar që t’i krijojë kushtet për rritjen sa më të mirë për fëmijët e lindur pas luftës. Pos mungesës së vizionit për ta zhvilluar një sistem arsimor të mirë, solid që do të shndërrohej në bazë të mirë të ngritjes së brezave të rinj me përgatitje të mirë arsimore, Kosova nuk ka krijuar hapësirë për aktivitete jashtëshkollore në formë të organizuar, që nënkupton identifikimin dhe kultivimin e talentit në art figurativ, sport, muzikë, shkenca natyrore dhe ekzakte – edhe nëpërmjet lojës.
Në vend të kësaj situate ideale, te ne shkollat riparohen nga tre vjet, duke i ngjeshur fëmijët nëpër ndërresa shtesë dhe klasa me banka e karrige të pamjaftueshme; shkollat ende ngrohen me dru e mbase edhe qymyr, kurse kur bëhet nxehtë nuk ndërpritet mësimi, në emër të respektimit të orarit. Dhe, thuajse rregullisht, hapësirat nuk ajrosen sepse tradicionalisht i druhemi “promajës”.
* * *
Arsimi është vetëm edhe një në rendin e gjatë të gjërave që kanë mundur të zhvilloheshin me më shumë cilësi dhe ku paratë kanë mundur të shpenzoheshin më mirë. Për fat të keq, që nga 2001-a Kosova pati ministra të dështuar të Arsimit – absolutisht asnjëri nuk diti ta bënte një ndryshim pozitiv.
E di që njëherë e kisha shkruar në njërën zgafelle, dhe po e shkruaj prapë: shumë më lirë dhe më mirë do të na kishte dalë po të kishim lidhur marrëveshje me finlandezët dhe po t’ia kishim dorëzuar atyre portofolin e arsimit.
Nuk është mëkat të pranosh se nuk di. Mëkat është t’i marrësh fëmijët në qafë, e nëpërmjet tyre edhe gjithë shoqërinë.