Aspak për lëvdatë heshtja e Kurtit natën e zgjedhjeve, ku si kryeministër, i cili jo rrallëherë shkruan statuse, është dashur të dilte e ta uronte Kosovën për zgjedhjet fer dhe korrekte; t’i uronte fituesit dhe të shprehte gatishmërinë e Qeverisë që të punojë me të gjithë kryetarët e rinj për të mirën e qytetarëve të të gjitha komunave. Si kryetar i VV-së, sërish është dashur të dalë e t’i urojë fituesit dhe të thotë se VV-ja ka realizuar rezultat jo të mirë dhe se ky do të duhej të ishte sinjal se gjërat brenda kësaj partie duheshin rishikuar
Përfunduan zgjedhjet. Ka mbetur vetëm edhe certifikimi i rezultateve dhe diku nga mesi i dhjetorit do t'i kemi kryetarët e rinj (a të vjetër) duke i udhëhequr komunat për katër vjet.
Rezultatet qenë interesante. Projeksionet e rezultateve në qytete e mëdha ishin me margjinë gabimi që mund ta vendoste cilindo prej kandidatëve në krye të listës së fituesve dhe ashtu ndodhi. Balotazhi përherë ka qenë rast për mbledhjen e të gjitha partive kundër një kandidati a partie, dhe kjo u përsërit sërish në rastin e Prishtinës. Ndodhi po ajo që kishte ndodhur më 2013 - kur autsajderi Shpend Ahmeti e mundi Isa Mustafën që thoshte se do t’i fitonte zgjedhjet “me duar në xhepa”. Fitoi për shkak se të gjitha partitë u bënë kundër LDK-së.
* * *
Tashmë e kisha shkruar që në fillim të fushatës - që mbase gabimi më i madh i Vetëvendosjes kishte qenë emërimi i Arben Vitisë për kandidat kryetari komune, derisa ishte ministër i Shëndetësisë. Ka qenë gabim strategjik, për shkak se nëse Vitia ka qenë kandidat i planifikuar prej kohësh për këtë post, atëherë nuk është dashur të emërohej ministër fare. Falë rrethanave në të cilat punoi, Vitia është ministri i vetëm me gjasë, që të dyja mandatet i përfundoi as pa i bërë gjashtë muaj normale të punës aty.
Pra, sërish, nëse Vitia është paramenduar të jetë kandidat që nga fillimi i vitit, atëherë nuk është dashur fare të emërohej, dhe është dashur të lihej të punonte në zhvillimin e programit zgjedhor për Prishtinën, me projekte konkrete dhe të zbatueshme. E jo me një program të hartuar shkel e shko në vlug të fushatës, të cilin nuk ka mundur as ta argumentojë e as ta mbrojë, sepse nuk ishte program fare.
Natën kur dolën rezultatet preliminare e shkrova statusin sikur titulli i kësaj kolumne. Jo pak njerëz më shkruanin, jo vetëm në murin tim në FB, por edhe në chat privat, duke u mundur të më bindnin se Vitia nuk kishte qenë arrogant, duke e huq plotësisht qëllimin e statusit.
Te rasti i Vitisë, arroganca qe partiake: bindja se numëronin me mbi gjysmën e votave në nivel vendi, prandaj edhe me lehtësi do të mund ta fitonin kryeqytetin. Dhe jo vetëm kjo, por edhe për shkak se Vitia ishte treguar i mirë në menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave.
Qasja arrogante dhe shpërfillëse ndaj votuesit u shpërfaq fillimisht me nisjen e fushatës zyrtare dy javë më vonë, në kushtet kur të gjithë kundërkandidatët e tjerë e kishin nisur atë jozyrtare nja tre-katër muaj më herët. Qasja, “hajt se lehtë ia bëjmë”, iu revanshua me humbje.
Për ta bërë edhe më të keqe fushatën, ishin edhe kikset që u bënë me video përmbajtje. Përvoja e PDK-së me Astrit Salihun kundër Isa Mustafës e dëshmoi më së miri se votuesi prishtinas nuk e duron fushatën negative ndaj kundërshtarit e aq më pak përqeshjen.
Përqeshja që ia bëri Vitia Ramës, në lidhje me idenë e rrënimit të stadiumit për ta ndërtuar një liqe artificial aty, reflektoi shumë negativisht në opinion. Sikurse edhe një spot reklamues ku Kurti e Vitia luajnë biliard, porse goditjen e fundit e jep Kurti e jo Vitia. Porosia e dërguar ishte e gabueshme: po qe se e votoni Vitinë, në fakt e votoni Kurtin. Mbase edhe do ta votonin, porse Kurti nuk garonte për kryetar komune.
Ilustrimin e fundit që do ta përmend këtu është keqpërdorimi i resurseve shtetërore për nevojat e fushatës në nivel komunal. Të cilën gjë edhe Kurti e pranoi, porse u mundua ta amortizojë me një kundërargument: "Nuk mund të them që ne jemi duke keqpërdorur as për së afërmi dhe as ngjashëm sikurse që është bërë me qeveritë të cilat ne i kemi kritikuar, ekonomia po rritet, tatim mbledhja është shtuar pikërisht për shkak që Qeveria nuk ka korrupsion. Ndërkaq me veturat me të cilat ne vijmë, ta zëmë unë, janë protokolle të Qeverisë për të cilat nuk vendosi unë”.
Me të dëgjuar deklaratën, reagova me një status në FB: "...as për së afërmi, e as ngjashëm", do të thotë se po e pranoni se jeni duke i keqpërdorur resurset shtetërore/buxhetore për fushata partiake. Njëherë e pata shkruar, kur e pata kritikuar LDK-në kur "shkeljes së ligjit" i thoshin "ndrydhje e ligjit": Nuk mund të thoni ‘jam vetëm pak shtatzënë’- o jeni, o s'jeni.
* * *
Ka qenë tejet e pritur, madje edhe e paralajmëruar në njërën nga zgafellat paraprake, se rezultati i balotazhit më së shumti u shkonte për shtati LDK-së dhe PDK-së. E kishin mundësinë që të merreshin vesh e që t'i "këmbenin" votat, ashtu që LDK-ja të përfitonte nga votat e PDK-së në Prishtinë, e që PDK-ja t'ia shihte hairin votave të LDK-së në Prizren. Në të dyja rastet, numri i vogël i votave të ndërsjella, i qiti fitimtarë Ramën dhe Totajn.
Për shumë lëvdatë ishin reagimet e menjëhershme të humbësve thuajse në të gjitha komunat që uruan fituesit. Aspak për lëvdatë heshtja e Kurtit natën e zgjedhjeve, ku si kryeministër, i cili jo rrallëherë shkruan statuse, është dashur të dilte e ta uronte Kosovën për zgjedhjet fer dhe korrekte; t'i uronte fituesit dhe të shprehte gatishmërinë e Qeverisë që të punojë me të gjithë kryetarët e rinj për të mirën e qytetarëve të të gjitha komunave. Si kryetar i VV-së, sërish është dashur të dalë e t'i urojë fituesit dhe të thotë se VV-ja ka realizuar rezultat jo të mirë dhe se ky do të duhej të ishte sinjal se gjërat brenda kësaj partie duheshin rishikuar.
Doli të nesërmen, në konferencën për shtyp bashkë me kryeministrin kroat, Plenkoviq, ku tha se VV-ja ka probleme të brendshme, porse edhe se të gjithë ishin bërë bashkë kundër VV-së. Kështu, duke u viktimizuar, u përpoq që ta relativizojë paksa rezultatin e keq zgjedhor. Kurti është dashur ta dinte se rrota është e rrumbullakët: se kur të gjithë bëheshin bashkë kundër LDK-së e përfitonte VV-ja, do të vinte koha kur të gjithë do të bëheshin bashkë kundër VV-së, në favor të cilësdo parti. Sepse kështu e ka politika.
* * *
Shenjë arrogance, nëse jo frikësimi, ka qenë edhe fakti se jo rrallë kandidatët refuzonin të ballafaqoheshin në studio të caktuara televizive, ose zgjidhnin vetëm studio të caktuara për të përçuar mesazhe. Në çastin kur vendos të jesh selektiv në përzgjedhjen e udhëheqësit, studios, a mediumit - apo edhe më keq, refuzon fare të dalësh të komunikosh me publikun - tregon shpërfillje ndaj atyre që e përbëjnë trupin votues.
Mbase njëri nga ta që pësoi për shkak të një qasjeje të tillë qe veterani i LDK-së, Lutfi Haziri. Përderisa në rrethin e parë e pranoi ballafaqimin me të gjithë kandidatët, në të dytin u bë i heshtur dhe nuk doli në mejdan me Alban Hysenin. Ky i fundit e shfrytëzoi mirë hapësirën e dhënë dhe me gjasë mobilizoi shumë votues, meqë në këtë komunë kanë votuar thuajse 50% e elektoratit që në fund ia sollën fitoren.
Nëse Haziri ka besuar se tre mandate me automatizëm do t'ia sillnin edhe të katërtin, pa u munduar fort të argumentojë apo edhe t'i arsyetojë dështimet në komunën e tij - këto zgjedhje ia dëshmuan të kundërtën. Sepse gjatë fushatës, duhet të jesh përherë i gatshëm për ballafaqime, për shpjegime, për arsyetime, për komunikim me ata për të cilët je zgjedhur ose do të zgjidhesh që të punosh.
* * *
Këto zgjedhje treguan një vetëdijesim të votuesve, të cilët besuan në to. Pra, pavarësisht matematikave politike dhe marrëveshjeve të fshehta që kanë mundur të ndikojnë në ndryshime rezultatesh, megjithatë në disa komuna votuesit e kanë shprehur mendimin e tyre në vendvotime. Kanë treguar se nuk e kanë kujtesën e shkurtër dhe se dinë të ndëshkojnë, sepse janë të palumtur me atë që e kanë jetuar deri te zgjedhjet.
Për ata që nuk u besojnë zgjedhjeve, vetëdijesimi nuk ka mbërritur dhe është pikëpyetje e madhe po qe se ajo pikë do të mbërrijë ndonjëherë. Porse këta njerëz që në formë konstante refuzojnë të dalin të votojnë me gjasë janë edhe ata që ankohen më së shumti kur gjërat nuk shkojnë si duhet. E këtë të drejtë morale nuk do të duhej ta kishin. Sepse me mosvotim janë deklaruar kundër një procesi demokratik që i sjell njerëzit në pushtet për katër vjet.
Tash i kemi katër vjet për t'i përcjellë fituesit e zgjedhjeve, duke shpresuar se jeta nëpër komunat individuale do të përmirësohet, sepse premtimet e kryetarëve kanë qenë reale e jo përrallat e përhershme që na servohen. Po them katër vjet, edhe pse mund të ndodhë që mandatet e ndonjërit nga ta do të mund të shkurtoheshin. Kurrë nuk i dihet.