Sot është dita e parë e tetorit dhe për dallim nga 1999-a viti shkollor ende nuk ka nisur. Sot nuk na mungojnë as godinat shkollore, për më tepër, duket se tash kemi më shumë seç na duhen, sepse kemi nxënës më pak seç kishim menjëherë pas luftës. Arsimin atëherë nuk e kishim të mirë, sepse Serbia punoi me vite që ta shkatërronte. Sot arsimin nuk e kemi mirë, sepse punuam dy dekada për ta shkatërruar vetë
Të nesërmen pas çlirimit i gjithë ekipi i UNICEF-it, i dëbuar me dhunë në Maqedoni në javën e dytë të bombardimit, u kthye në Kosovë. Kësaj radhe po e kapërcej pjesën e emocioneve që përjetuam atë ditë..., e mbase do ta kem treguar në ndonjërën zgafelle tashmë...
U kthyem në një Kosovë të shkatërruar, me telekomunikacion të cunguar, me energji elektrike që vinte e shkonte sipas tekeve të dispeçerit serb, me zyrë që duhej kontrolluar nga çminuesit, me dyqane gjysmë të furnizuara, me njerëz euforikë të kapluar nga gëzimi e të çliruar nga frika që deri atëherë kishin ndier në palcë. Ende nuk e kishim të qartë se si do të organizoheshim brenda në zyrë, por e kishim të qartë se posa të na lejohej do të dilnim në terren për ta parë situatën nga afër, ashtu që të mund të organizohej rikonstruktimi i gjithçkaje të shkatërruar.
Ekipi emergjent, të cilin e kisha koordinuar gjatë luftës, u shndërrua në ekip vëzhgues të gjendjes së objekteve shkollore e shëndetësore. Kishim hallin po qe se do të mund ta nisnim vitin shkollor shpejt, ende pa e ditur sa nxënës e sa arsimtarë ishin në Kosovë, dhe, ajo që ishte shumë me rëndësi, sa objekte shkollore ishin të shfrytëzueshme për ta nisur mësimin.
Për më pak se një muaj mblodhëm shënimet – konstatuam se rreth 40% e objekteve shkollore kishin nevojë për jo pak intervenime për t’u aftësuar (disa më shumë e disa më pak), ndërkohë që mbi 130 shkolla ishin shkatërruar krejtësisht.
Na propozuan të sillnin kontejnerë për t’i improvizuar shkollat – refuzuam, sepse kontejneri i përkohshëm do të shndërrohej në zgjidhje të përhershme. Në vend të kësaj shkuam me një propozim ekstrem: që të ngrinim tenda te të gjitha shkollat që më nuk ishin; që t’i furnizonim me stufa dhe dru për ngrohje dhe kështu ta shtynim së paku gjysmëvjetorin e parë deri në fund.
Brenda gushtit dhe shtatorit të 1999-s, 70 organizata ndërkombëtare kishin arritur t’i aftësonin një numër të konsiderueshëm shkollash, së paku më baziket: xhama, dyer e qeramidhe, me qëllim që viti shkollor të niste në tetor, me atë çka kishim: librat që kishin mbetur në Entin e Botimit të librave shkollorë dhe ato që ishin ribotuar falë ndihmës ndërkombëtare që kishte sjellë tonelata letre për shtyp; me arsimtarët që ishin lajmëruar në këshillat komunalë të arsimit dhe fëmijët që ishin të gatshëm të vazhdonin shkollimin, të zhvilluar me shumë pengesa gjatë luftës, sa herë që duhej dyndur prej një vendi në tjetrin, madje edhe nën tenda najloni të improvizuara nëpër lugje e male.
UNMIK-u kërkoi nga UNICEF-i që të ndihmonte edhe në gjetjen e njerëzve kompetentë dhe me ndikim që do të mund ta shtynin para idenë. Në kohën kur thuajse nuk kishte telefona mobilë dhe nuk dihej nëse njerëzit e kishin mbijetuar luftën dhe nëse po ku ndodheshin, fjalë pas fjale ramë në kontakt me Halim Hysenin dhe Bajram Shatrin. Kishin qëlluar bashkë. I gjeta në Bllokun e Parë të banesave në Prishtinë. Banesa ku qëndronin nuk kishte derë të hyrjes: paramilitarët e kishin copëtuar dhe nja dy dërrasa shërbenin si mburojë te korniza.
Me shumë përgjegjësi dhe pa asnjë hezitim pranuan që të takoheshin me personat përgjegjës të UNMIK-ut, ashtu që të koordinohej identifikimi i arsimtarëve nëpër komuna nëpërmjet kryetarëve të këshillave komunalë të arsimit që vazhdonin me punën aktive, pavarësisht rrethanave. Dy nga më të spikaturit do t’i takoja në terren javën e parë pas çlirimit: Feti Dashin në Gjakovë dhe Myrvet Dërgutin në Rahovec – me pasqyrë shumë të qartë të gjendjes së shkollave në komunat përkatëse.
Viti shkollor 1999/2000 nisi në tetor. Arsimtarët që mungonin u zëvendësuan nga të tjerët, mbase jo me përvojë, mbase as me kualifikim të duhur. Ishte situatë emergjente, nuk kishte shumë zgjidhje. Por kishte vullnet të jashtëzakonshëm – Kosova e lirë e niste një fazë të re të arsimit në një kohë të re, pas shumë vuajtjesh.
Dhe derisa zhvilloheshin përgatitjet për nisjen e vitit shkollor, UNICEF-i kishte dërguar një ekspert që të punonte në strukturën e organizimit të mësimit. Që në takimin e parë i pata thënë se nuk do të kishte nevojë për një gjë të tillë, sepse struktura tashmë ekzistonte: shqiptarët të shtyrë nga represioni e kishin krijuar sistemin e vet të arsimit, i cili qëndroi dhe funksionoi nëpër shkolla-shtëpi nëntë vjet të plotë. Tash dallimi ishte se nxënësit do t’u ktheheshin godinave shkollore që u ishin mohuar thuajse një dekadë. Në bisedë e sipër më pyeti se çfarë mendoja se do të duhej të ishte paga e arsimtarëve. I thashë se minimumi do të duhej të ishte 500 marka gjermane, ngase kjo ushtri arsimtarësh kishte punuar edhe pa para e edhe me nga 40 marka gjermane rrogë në muaj.
Nëse qëllimi vërtet ishte të nisej me një sistem të ri arsimi, ku do të nevojiteshin identifikimi dhe angazhimi i njerëzve më të kualifikuar dhe më cilësorë për këtë punë tepër të ndjeshme, atëherë nuk do të duhej kursyer te ta. Kjo që ia thashë shkoi në veshë të shurdhër. Buxheti me të cilin menaxhonte UNMIK-u e kishte më me prioritet t’ia falte rrymën krejt Kosovës për gjashtë muaj sesa ta vendoste standardin e rrogave bazë të arsimtarëve që nuk do ta kishin angazhimin në arsim thjesht vetëm një vend pune.
Kështu ia nisi – me nënçmimin e vlerës së arsimtarëve. Vazhdoi më pas, me shndërrimin e një pjesë të madhe syresh në vota me trajtë njerëzore.
* * *
Sot është dita e parë e tetorit, 23 vjet më vonë, dhe viti shkollor ende nuk ka nisur. Dhe, nuk na mungojnë as godinat shkollore, për më tepër, duket se tash kemi më shumë seç na duhen, sepse kemi nxënës më pak seç kishim menjëherë pas luftës. Arsimin atëherë nuk e kishim të mirë, sepse Serbia punoi me vite që ta shkatërronte. Sot arsimin nuk e kemi mirë, sepse punuam dy dekada për ta shkatërruar vetë.
Arsyeja se përse nuk ka nisur mësimi tashmë dihet – janë katër javë e më shumë që flitet vetëm për këtë: nga 100 euro, që në emër të arsimtarëve i ka kërkuar SBASHK-u, për ta kaluar krizën deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Argumenti i krizës, në situatë të përgjithshme krize, është i paqëndrueshëm dhe nuk ka nxitur përkrahjen që arsimtarët e kanë pasur sa herë kanë vendosur të mbajnë greva për kushte më të mira.
E mbase nuk e ka marrë përkrahjen, për shkak se si kurrë më parë i gjithë komunikimi i udhëheqësve të Sindikatës ka marrë ngjyrim politik e ka shkuar aq larg sa ka nxitur edhe përfshirjen e shefit të BIK-ut në një çështje që del absolutisht jashtë domenit të përgjegjësive të tij, duke ia dhënë një ngjyrim shumë të keq krejt situatës.
Se a ka pasur mungesë komunikimi ndërmjet atyre që kanë hartuar Ligjin e Pagave me grupet e interesit që do të përfitojnë nga ky ligj – me siguri se po, sepse mungesa e transparencës e ndonjëherë edhe ndjenja e konspiracionit duken të jenë modus operandi i kësaj Qeverie. Por, që SBASHK-u e ka keqpërdorur fuqinë që e ka për t’i bllokuar 320 mijë fëmijë vetëm pse mundet, për një kauzë shumë egoiste, edhe ky është fakt që qëndron e që më së shumti u ka bërë dëm vetë fëmijëve.
Nuk e besoj se BSPK-ja, e cila doli të mos ishte e suksesshme në organizimin e grevës së përgjithshme, ngase jo i gjithë sektori publik mbajti grevë, do të ketë besuar se kjo Qeveri do të zgjidhte ta zbatonte ligjin që i rregullon grevat dhe t’ua ndalte mëditjet atyre që nuk kanë punuar gjatë kësaj periudhe mbi njëmujore. Kjo për shkak se kurrë, asnjëherë të vetme, nuk është zbatuar me përpikëri – grevistët janë paguar sa herë që nuk kanë punuar.
Kësaj radhe, mbase dhe do të vendosin ta ndërpresin a ta pezullojnë grevën, njësoj do ta kemi të gjithë ne të tjerët dhe do ta kalojnë muajin pa para që do t’i merrnin po të kishin dalë në punë. Por, në tetor do t’i marrin 50 euro që Qeveria ia ofroi krejt sektorit publik, ndërkohë që sektorit privat ia ofroi subvencionin e marrë, për ta quajtur disi, për rritje rrogash punëtorëve të vet. Do të thotë, lëre që sektori privat duhet t’i sigurojë subvencionet dhe rritjet e rrogave sektorit publik, por tash mbase duhet marrë kredi për të rritur rroga, ashtu që të marrë subvencion për tre muaj. Po të mos ishte tragjike, do të ishte komike.
* * *
Konsultimi me anëtarësinë se a duhet vazhduar grevën apo duhet pezulluar a ndalur duket të jetë mënyra “elegante” që kanë zgjedhur nismëtarët e grevës për të dalë nga qorrsokaku ku janë futur me kokëfortësinë e tyre në ballafaqim me një palë tjetër po aq kokëforte. Nuk ishin të pakta reagimet që thoshin se këtë konsultë të brendshme është dashur ta kenë bërë para se të nisnin grevën, e që vendimi të mos merrej krye më vete për një çështje kaq të rëndësishme. Se a ka pasur konsultë paraprake apo jo nuk e di. Por, e di që nuk kemi parë kuti votimi nëpër shkolla më datën 25 gusht. Rezultati i konsultës mund të jetë edhe vazhdimi i grevës, porse nuk duhet harruar se e drejta për të hyrë në grevë është vullnetare.
Askush nuk po kërkon asnjë sakrificë nga mësimdhënësit, për shkak se nuk janë vetëm mësimdhënësit ata që e përjetojnë krizën. Krahasuar me sektorin privat të arsimit, i kanë të ardhurat më të mëdha dhe do të jenë përfitues të subvencioneve që privatët nuk do t’i kenë. Prandaj, me argumente që qëndrojnë mbi këmbë të qelqta të vetmen gjë të mençur që duhen bërë është që t’i kthehen mësimdhënies që të hënën. Dhe, të nisin të mendojnë se si duhen reformuar veten se tashmë dy dekada na shkuan thuajse huq.