OpEd

Ani që e vërteta dhemb

Ajo që po bëhet përherë e më evidente është se pushteti i tanishëm ka nisur ta imitojë pushtetin e mëparshëm sa i përket komunikimit nëpërmjet mediumeve. Ta bindësh dikë nga zyrtarët qeveritarë të të vijë në intervistë televizive është sikur ta fitosh lotarinë. Kjo qasje e lë përshtypjen se të gjithë ne po sillemi si qurat nëpër mjegull, duke mos ditur saktësisht as nga jemi nisur e as çfarë duam të arrijmë

Edhe pak, edhe shkoi gjysma e vitit, dhe kur merr e shikon se çfarë ndodh përreth, duket se askush nuk e ka pasur aq "interesant" punën sesa ne në këtë periudhë.

Ta bësh një përmbledhje të ngjarjeve kryesore që kanë ndodhur dhe e kanë karakterizuar këtë gjashtëmuajsh mbase edhe nuk do të ishte aq e koklavitur. Sepse të gjitha gjërat në Kosovë sillen, natyrisht, rreth dy temave kryesore: politika dhe COVID-i.

Në pikun e nuk e di se cilës valë të pandemisë neve na ra hisja të organizonim zgjedhje parlamentare. U mbajtën për shkak se zgjedhja e qeverisë paraprake qe shpallur nule, ngase ishte shkelur Kushtetuta. Porse nuk u shpallën nule vendimet e "qeverisë nule", pra u vazhdua me punën që e kishte lënë pas qeveria në ikje. Tipike kosovarçe.

Formimi i Qeverisë së re mori më shumë se 40 ditë nga zgjedhjet (numërimi i votave dhe ankesat e zakonshme që e përcjellin secilin proces) e më pas i erdhi radha zgjedhjes së kryetares së shtetit, që u bë falë qëndrimit të LDK-së në Kuvend. E më pas edhe nisi puna e institucioneve me njerëz të rinj në krye.

* * *

Po të bëhej një anketë për kënaqshmërinë e qytetarëve me performancën e kësaj qeverie në, edhe pak, 100 ditët e para, jam e sigurt se mendimet do të ishin të ndara dhe diametralisht të kundërta.

Premtimet dhe pritjet e mëdha që u krijuan pas rezultateve të zgjedhjeve që e dhanë një fitues absolut - thuajse krijuan përshtypjen se udhëheqësit e rinj e kishin me vete edhe një shkop magjik dhe se të gjitha gjërat do t'i vendosnin në vend sa hap e mbyll sytë.

Nuk është larg mendsh se këtë përshtypje do ta kenë pasur edhe anëtarët e qeverisë së re - se me ardhjen e tyre do të kishte ndryshime të menjëhershme, për vetë faktin se dikasteret qeveritare kishin udhëheqës të rinj.

E kurrë më gabim nuk do të kenë menduar. Për shkak se është krejt diçka tjetër kur i shikon gjërat nga jashtë e je në pozitë për të kritikuar gjithçka dhe për të mësuar mend, dhe diçka krejt tjetër kur je brenda dhe ballafaqohesh me një strukturë të ndërtuar prej dy dekadash, që nuk mund të ndryshojë brenda natës.

* * *

Qeveria u kritikua fort për programin qeverisës - dhe arsyet për këtë nuk munguan. Thuajse në asnjërin sektor nuk pati zbërthim të qartë dhe taksativ se si do të zgjidheshin telashet e grumbulluara, apo se si do të futej ndonjë risi në sistemet ekzistuese për ta përmirësuar gjendjen. Mbase pjesa më e dobët e elaboruar qe ajo për shëndetësinë - sektorin i cili shpenzon shumë para të buxhetit dhe nuk ofron shërbimet bazike cilësore për qytetarët e vet.

Përderisa programi nuk është gjë e cila nuk mund të ndryshojë, kjo Qeveri do të duhej ta kishte të qartë aty nga fundi i këtij viti se cilat janë ato punë në të cilat duhet ndërhyrë me plan e me themel dhe ta revidojë planin qeverisës, posaçërisht në pjesët ku mungon përmbajtja.

Porse për dallim nga qeveritë e tjera, kjo Qeveri së paku bëri përpjekje për ta hartuar një dokument, mbi të cilin, deri diku, mund të zhvillohet monitorimi nëse qëllimet po realizohen ose jo. Dhe të kërkohet edhe përgjegjësia politike nga ata që nuk arrijnë t'i realizojnë qëllimet programore.

Ajo që vazhdon të tingëllojë qesharake janë reagimet e opozitës ndaj gjithçkaje që vjen nga pushteti. Përderisa nga njëra anë puna e opozitës është pikërisht kjo, ta kritikojë Qeverinë dhe të përpiqet t'ia zbulojë gabimet në veprim, nga ana tjetër është se opozita e kalon kohën duke e kritikuar pushtetin aktual për gjërat që vetë nuk i ka realizuar derisa ka qenë në pushtet. E veçohen si kritikues më të mëdhenj njerëzit që kanë mbajtur poste ministrore dhe vendimmarrëse në shumë vjetët e kaluar të sundimit PDK-LDK-AAK plus partitë e vogla.

* * *

Ajo që po bëhet përherë e më evidente është se pushteti i tanishëm ka nisur ta imitojë pushtetin e mëparshëm sa i përket komunikimit nëpërmjet mediumeve. Ta bindësh dikë nga zyrtarët qeveritarë të të vijë në intervistë televizive është sikur ta fitosh lotarinë. Dhe kjo nuk është punë e mirë.

Komunikimi nëpërmjet konferencave të rralla për shtyp, përmes kumtesave dhe vetëm nga informatat që mund të mblidhen prej mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe të atyre të Qeverisë, nuk mjafton. Kjo qasje e lë përshtypjen se të gjithë ne po sillemi si qurat nëpër mjegull, duke mos ditur saktësisht as nga jemi nisur e as çfarë duam të arrijmë.

Nëse një gjë është urryer përtej masës gjatë sundimit të qeverive të shkuara ka qenë mungesa e transparencës. E krahas saj, për t'u urryer kanë qenë edhe rrenat që na thuheshin në bazë ditore. Përfshirë këtu edhe i famshmi premtim për liberalizimin e vizave brenda 15 muajsh, nga i cili kanë kaluar gati 11 vjet.

Pra, komunikimi i mangët dhe jo krejtësisht transparent ka të bëjë edhe me vaksinimin kundër COVID-it që nisi të çalojë që në çastin kur më 15 qershor u shpall "vaksinimi masiv". Kësaj i parapriu deklarata e ministrit se Kosova kishte kapacitete për të administruar deri në 13-14 mijë doza në ditë - që nënkuptonte se 600 mijë njerëz do të mund të vaksinoheshin për nja 40-50 ditë.

Pra, para se të niste vaksinimi, që quhet "masiv", Kosova kishte administruar gjithsej 99.394 vaksina (të rivaksinuar ishin 9.640). Deri dje Kosova i ka administruar 152.653 doza, prej të cilave 26.794 janë rivaksinuar. Kjo do të thotë se mesatarja ditore është rreth 4.841 vaksina në ditë. Ky numër është masiv krahasuar me 50 copa në ditë, porse është larg ideales së proklamuar.

Pra, kur thuhet kemi "doza relativisht të mjaftueshme" vaksinash - populli do të duhej të kuptonte se doza nuk ka dhe se pa to vaksinimi as që mund të bëhet masiv. Sërish po e shkruaj, nëse konfidencialiteti i kontratës ndalon që të zbulohet çmimi i blerjes, konfidencialiteti me siguri nuk e ndalon zbulimin e planit të liferimit. Pra, shumë do të ishte e udhës të tregohej se kur do të arrijnë dozat e porositura - pra të blerat. Ndërkohë që ato që na falen vazhdojnë të jenë të mirëseardhura.

Problem tjetër vazhdon të jetë sistemi eKosova dhe regjistrimi në të. Përpjekja për caktimin e terminëve vazhdon të jetë e pamundur dhe kjo çështje duhet të adresohet urgjentisht po qe se mëtohet që të arrihet së paku niveli i komunikimit me qytetarët që e kanë arritur Serbia e madje edhe Maqedonia.

E që problemi të bëhet edhe më i madh është numri i atyre që hamendësohen nëse duhet marrë vaksinën ose jo. E antivakserat mund të kenë efekt të dyfishtë të dëmshëm: ta bllokojnë rrjedhën e vaksinimit, po qe se janë në radhë sipas portalit eKosova dhe të ndikojnë negativisht te rrethi, e që as ata të tjerët të mos vaksinohen.

Ajo që është shumë evidente e që mungon në këtë çast është fushata vetëdijesuese për rëndësinë kyç që ka vaksinimi për shëndetin e popullsisë, me kusht që sistemi i regjistrimit për vaksinim të sillet më vete dhe të kryejë funksionin për të cilin është krijuar.

Pa këto dy parakushte zor se mund të flasim për vaksinim masiv dhe arritjen e qëllimit të proklamuar gjatë zgjedhjeve.

* * *

Opozita ndërkohë e ka kthyer krejt vëmendjen nga niveli lokal dhe zgjedhjet që do të mbahen në tetor. Krejt ata që mbajnë pushtet, pos Shpend Ahmetit, kanë shumë për të humbur. Kryetari i Prishtinës moti i ka çuar duart nga qyteti/komuna, për pasojë nuk e besoj se do të garojë sërish. Sepse edhe po të garonte dyshoj se do të kishte përkrahës që do ta votonin.

Pra, tash e gjithë gara dhe zhurma do të orientohen nga komunat dhe kush sa ka arritur të bënte në këta katër vjetët e fundit. Dhe përderisa mirëqenia dhe zhvillimi lokal janë shumë të rëndësishëm për shoqërinë në përgjithësi, megjithatë kjo nuk do të duhej t'i shërbente Qeverisë si alibi për të mos treguar se si i kemi punët.

Mirëpo, që këto punë të na i tregojnë me fakte e jo me parashikime se sa do të rritemi ekonomikisht deri në fund të vitit, ndërkohë që nuk thuhet asnjë fjalë e vetme se si do të ndihmohet sektori privat, super i goditur nga pandemia, për shembull.

Mirë do të ishte të na thuhej e vërteta, sado e dhimbshme të jetë - sikur atë që na e tha Kurti pas takimit me Macronin - se nuk ka premtime për liberalizim. Pikë.

Më mirë kështu, sesa të vazhdojmë të besojmë se e gjithë bota sillet rreth nesh dhe se gjërat zgjidhen vetvetiu.

[email protected]