Nuk do të befasohesha sikur sjellja neveritëse e Trumpit dhe e Vance-it do të provokonte kundërreagim nga publiku amerikan. Por evropianët nuk mund t’ia ofrojnë vetes luksin për të pritur. Me Trumpin e rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, amerikanët do të kenë goxha probleme të mëdha për të cilat duhet të brengosen. Evropianët duhet ta marrin fatin e tyre në duar të veta
Sulmi verbal i Donald Trumpit dhe i J.D. Vance-it kundër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Zyrë Ovale do ta lërë 28 shkurtin e 2025-tës të shënuar si një moment turpi në historinë amerikane dhe atë botërore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e rrënojnë me shpejtësi të madhe emrin e mirë që e kanë dhe po e tjetërsojnë këdo tjetër, pos diktatorëve më brutalë të botës.
Dëmi i shkaktuar ndaj kredibilitetit dhe reputacionit të Amerikës do të kërkojë dekada kohë për t’u riparuar – dhe mund të jetë edhe i pariparueshëm.
Në aspekt më të gjerë, me përfundimin e rendit ndërkombëtar të pasluftës, me SHBA-në në qendër, ne po bëhemi dëshmitarë të kolapsit të çdo autoriteti global. Teksa shtetet që konsiderohen si bosht i së keqes synojnë të kapitalizojnë nga kaosi, Evropa duhet të veprojë dhe ta marrë përsipër rolin që SHBA-ja e pati dikur. Kjo nis me ofrimin e mbështetjes së plotë për Ukrainën karshi agresionit të Rusisë.
Po, Evropa nuk është aq e fuqishme sa që është SHBA-ja ushtarakisht; por kjo nuk do të thotë se është e dobët. Në fakt, ajo i mban në duar të gjitha kartat që i duhen. Forcat e saj të kombinuara ushtarake janë ndër më të fuqishmet në botë, janë më me përvojë dhe më inovativet.
Përplasja në Zyrën Ovale – të cilën Trumpi dhe Vance dukeshin tejet të interesuar që ta provokonin – duhet të jetë ajo shtysa e fundit për Evropën që ngrihet për të vepruar e bashkuar, pas dekadave të tëra vetëkënaqësi. Ajo i posedon krejt ato që i duhen për t’u ngritur e vetme, për ta mbështetur Ukrainën dhe për ta zmbrapsur Rusinë.
Për më tepër, sjellja e turpshme e Trumpit po i shtyn aleatët më të ngushtë të Amerikës që të përafrohen me Evropën, duke ndihmuar kësisoj në ndërtimin e një ure lidhëse për ndasinë e pas-Brexitit. Po i nxit forcat demokratike dhe po i detyron elitat politike të zgjohen. Evropa së shpejti mund të bëhet me një qeveri të moderuar të koalicionit dypartiak në Gjermani dhe me atë që i përkushtohet demokracisë në Austri. Pas një viti të tmerrshëm, presidenti francez, Emmanuel Macron, po ngrihet përsëri.
Evropa ka gjysmë miliardi banorë dhe një GDP të krahasueshme me të SHBA-së. Ne mund të mos jemi aq inovativë, porse boshllëku nuk është aq i madh sa ekspertët do të donin ta besonit. Nëse lidhim koalicion me Japoninë, Tajvanin dhe Korenë e Jugut, këtë boshllëk mund ta mbyllim së shpejti – veçanërisht tani që Trumpi, Vance dhe Elon Musku po i rrënojnë shtyllat e fuqisë amerikane me revolucionin e tyre kulturor.
Krahas rritjes së kostos për konsumatorët amerikanë me tarifat e zbatuara, administrata Trump po zhvillon luftë ndaj imigrantëve – të cilët prej kohësh kanë qenë burimi unik i fuqisë amerikane. Evropa duhet të kapitalizojë, duke i mirëpritur më të mirët dhe më të mençurit – përfshirë edhe ata që janë përzënë nga agjencitë federale të klasit botëror të Amerikës.
Për sa u përket kapaciteteve të mbrojtjes, baza industriale e Gjermanisë mjafton për ta armatosur gjithë kontinentin, përderisa ombrella bërthamore e Francës dhe e Britanisë së Madhe mund ta zëvendësojë atë të Amerikës. Pesë vendet më të mëdha evropiane dhe Britania e Madhe kanë aktualisht qeveri të përgjegjshme dhe të parashikueshme që tallen me atë që tani është në pushtet në Washington.
Polonia ka për ta luajtur një rol veçanërisht të rëndësishëm në atë që do të pasojë. Trendet ekonomike janë në anën tonë. Ushtria jonë po rritet. I bëmë blerjet e duhura të armëve kur pati ende kohë. As Trumpi nuk mund ta gjejë një fjalë të keqe për ta thënë për ne. E gjithë Evropa mund ta shohë këtë. Francezët (paksa xhelozë) flasin për “le moment polonais” (Momentin polak). Udhëheqësit aktualë polakë janë ndër burrështetasit më me përvojë, më të respektuar dhe më të palëkundurit që mund të gjenden ndokund.
Në konferencën e fundit të sigurisë në Munih, bisedova me shumë politikanë amerikanë – përfshirë edhe ata si senatori Lindsey Graham, që po i përkulen Trumpit – dhe nuk pashë hapësirë për vetëbesim. Në vend që ta thonë atë që përnjëmend e mendojnë, ata e poshtëruan veten dhe iu përmbajtën linjës së Liderit të Dashur. Kjo ishte e turpshme për t’u shikuar.
Kur emisari i administratës Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, u pyet prapa skenës nëse “ende e kemi një aleancë”, ai pranoi se edhe vetë nuk e di këtë. Pushteti në Washington është tani krejtësisht i përqendruar te Trumpi. Më nuk ka “të rritur në dhomë”, por vetëm papagaj lajkatarë që konkurrojnë mes vete se cili e zmadhon më shumë padronin budalla.
Historiani Timothy Snyder e goditi pikën e duhur kur argumentoi se 2025-ta nuk është viti, në të cilin ka rëndësi se çfarë thotë Amerika; porse viti kur rëndësi ka se çfarë Evropa mund të bëjë. Politikat e Trumpit (në një term bujar) mund të jenë përfituese vetëm në aspektin afatshkurtër; tani për tani, askush nuk do të guxojë që të shkojë kokë më kokë me SHBA-në. Por në aspektin afatgjatë, shpërbërja e shtetit amerikan, tarifat e pakuptimta dhe tjetërsimi i miqve dhe i aleatëve do të shkaktojë dëm të vazhdueshëm.
Ky është momenti për të qëndruar prapa Ukrainës. Trajtimi të cilin e mori Zelenskyy ishte turpërim i pakontestueshëm, që është mirëpritur zëshëm në Rusi. Dhe jo, ai nuk do të nxirrte rezultat më të mirë edhe sikur t’ia lejonte vetes të shtyhej matanë. Kjo Qeveri amerikane ka treguar se ku i ka përqendruar besnikëritë. E njëjta gjë ndodhi me marrëveshjen e mineraleve të rralla, të cilën këshilltarët e Trumpit po ia imponojnë Ukrainës. Versioni i parë i saj ngërtheu një zhvatje të stilit mafioz dhe Zelenskyy së fundi edhe e kundërshtoi atë. Kur versioni pasues u nxor, ishte shumë më i mirë.
Nuk do të befasohesha sikur sjellja neveritëse e Trumpit dhe e Vance-it do të provokonte kundërreagim nga publiku amerikan. Por evropianët nuk mund t’ia ofrojnë vetes luksin për të pritur. Me Trumpin e rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, amerikanët do të kenë goxha probleme të mëdha për të cilat duhet të brengosen. Evropianët duhet ta marrin fatin e tyre në duar të veta.
(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë i Mercator. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë Project Syndicate, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore)