Sot nuk ka përparësi marrëveshja me Serbinë dhe as ajo për bashkëqeverisje LVV-LDK. Nuk ka as korrupsioni dhe as edhe një premtim parazgjedhor i asnjërës parti. Përparësi do të duhej të kishte edhe përpjekja më e vogël në luftimin e koronavirusit. Nuk është e papranueshme ta rrëzosh qeverinë si të tillë, por jo edhe kur një veprim i tillë ia bën aleatin koronavirusit
12 prilli i 2020-s shënoi numrin rekord të testeve pozitive brenda një dite me COVID-19 në Kosovë. 79. Në po këtë ditë e morëm vesh edhe se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa u kishte kërkuar anëtarëve të Këshillit Drejtues të partisë që t’ia dërgonin nga një e-mail për t’i treguar nëse pajtoheshin me idenë e tij që të bashkohen me AAK-në, Nismën e pakicat në koalicion për një qeveri tjetër. Nuk ishin të pakënaqur me atë se si po luftohej pandemia. Arsyet qenë të njëjta me ato që ekzistonin qysh para arritjes së marrëveshjes së koalicionit mes LVV-së e LDK-së.
Votat i mblodhën nëpërmjet një lloj pakti shpresëdhënës edhe pse asnjëherë nuk qenë gati për t’u bërë bashkë. Që të dyja ia dinin hallin njëra tjetrës. E dinin edhe se nuk do të funksiononte. Këtë e ndienin edhe qytetarët. Por këta shpresonin.
LDK-së PAN-i i shkon më shumë. Dëshmi e fundit është muhabeti si për rrëzimin e qeverisë ashtu edhe ai për bashkëqeverisje. Po merr krejt pak ditë. Natyrisht, PDK-ja nuk qe as e interesuar por as e ftuar në qeveri. Synim i përbashkët qe veç rrëzimi i qeverisë. Motivet e AAK-së e NISMËS janë më të thjeshta. Mjafton kalimi i pragut dhe një mundësi çfarë ua ofron, në këtë rast, LDK-ja për të ngulur këmbë, për shembull, në Ministrinë e Shëndetësisë, resorin ku falë pandemisë do të ketë më së shumti pare.
Asgjë të keqe nuk ka me kiminë politike. Janë disa parti që kanë përshtatshmëri më të madhe mes vete e disa që nuk kanë. Që disa kanë me më shumë e disa me më pak. Profilizimi në rastin e Kosovës s’ka rëndësi. Po ashtu s’ka gjë të keqe me rrëzimin e një qeverie. Mocioni është mjet ligjor e demokratik, sikur që janë edhe zgjedhjet.
Megjithatë, janë dy aspekte në të cilat ka abuzuar LDK-ja.
I dyti, më pak i rëndësishëm, është ai që po vlerësohet si manipulim i votuesve të vet. Me një fytyrë mbledh vota, një fytyre tjetër i jep pushtet. Ky ka të bëjë me 206.516 qytetarë të Kosovës dhe u takon atyre të merren me të. Shqetësues është aspekti i parë dhe ai ka të bëjë me rreth 1.800.000 njerëz. Ka të bëjë me rrezikimin e shëndetit dhe të jetës së tyre.
18 marsi i 2020-s shënoi rastin e 20 të të infektuarve me virusin korona në Kosovë. Mbi 200.000 në botë. Por, diçka tjetër do të mbahet mend nga kjo ditë. “Kemi vendosur të iniciojmë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë”. Fjalët e kryetarit të LDK-së dhe paraqitja e tij pas mbledhjes së Kryesisë.
“Diskutuam për rrezikimin e marrëdhënieve me SHBA-në për heqjen e tarifës dhe problemi që lindi me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje – shkarkimi i ministrit Agim Veliu”.
Dhe, njeriu e mendon. Agim Veliu vs. COVID-19. Pavarësisht marrëveshjes. Pavarësisht kundërshtimit të përhershëm të saj nga Veliu, e shkeljes nga Kurti. Megjithatë mbetet: Agim Veliu vs. COVID-19. Mirë, nuk paska qenë veç Veliu.
“I kam shkruar Kurtit ta heqë tarifën sepse po rrezikohet miqësia me SHBA-në. Por, nuk kam marrë përgjigje”, tha Mustafa në paraqitjen e tij.
Dhe, njeriu mendon. Mediat në SHBA po shkruajnë se brenga e amerikanëve është mungesa e letrës së tualetit nëpër dyqane. Pavarësisht Trumpit e Grenellit. Pavarësisht Thaçit. Megjithatë mbetet: amerikanët hallin e kanë te pastërtia e te mirëqenia e vet, siç do të duhej ta kishim pasur edhe ne. Mirë, nuk paska të bëjë me qytetarët amerikanë por me kërkesën e Trumpit.
Ama, cila është kërkesa e rreth 1.800.000 qytetarëve të Kosovës? Jo veç e 206.516 votuesve të LDK-së dhe as e veç 221.001 votuesve të VV-së. Madje as e veç votuesve të të gjitha partive të tjera. Cila është brenga edhe e atyre nën 18 vjeç dhe edhe e atyre që nuk kanë votuar? Nuk e di në çfarë gjendje mendore ka qenë kryetari i LDK-së kur ka iniciuar rrënimin e strukturave institucionale që u ndërtuan në Kosovë për t’iu kundërvënë pandemisë. Këta njerëz, pra 1.800.000, edhe pse një pjesë e tyre të ngarkuar a manipuluar politikisht, pas një kollitjeje, teshtime, ethesh a temperature do të harronin gjithçka tjetër. Këtë kreu i LDK-së, si përgjegjës formal i atij rrënimi, është dashur ta dinte madje më së miri.
Sot nuk është me prioritet dialogu. Nuk është as korrupsioni. Nuk është me prioritet marrëveshja bashkëqeverisëse. Nuk është prioritet as edhe një premtim parazgjedhor i asnjërës parti. Në kohën e fushatës nuk na kanoste pandemia. Sot, përfaqësuesit e popullit dhe ata të partive politike do të duhej të mendonin për jetën e shëndetin e qytetarëve. Rrjedhimisht, me prioritet do të duhej të ishte edhe përpjekja më e vogël për t’i mbrojtur ata. Përpjekjet e çdo institucioni, partie, agjencie... e çdo njeriu të secilit komunitet, gjinie e moshe. Dëmtimi i tyre është veprim johuman. Nuk është e papranueshme ta rrëzosh qeverinë si të tillë, por jo edhe kur një veprim i tillë ia bën aleatin koronavirusit. Dhe pavarësisht që zyrtarët e partive që e synojnë qeverinë, nëse kontesti kushtetues përfundon në favorin e tyre, thonë se do të fokusohen në luftimin e virusit ata e dinë mirë që ristrukturimi e dëmton seriozisht atë.
25 prilli i 2020-s është dita kur po e shkruaj këtë kolumne. Numri i të identifikuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 703, nga ta 19 viktima. Prej ditës kur e morëm vesh se LDK-ja do të niste procedurat për rrëzimin e Qeverisë janë shtuar 683 raste. Në botë, nga 200.000 numri ka arritur në afro 3 milionë me 200.000 të vdekur. Sfidë gjithandej globit nuk është vetëm zbulimi i ilaçit e vaksinës, por edhe numri i vogël i testeve në dispozicion. Ndërkohë, në Kosovë po zhvillohen negociata për ndarjen e resorëve të qeverisë së re të mundshme, po kontestohet kushtetutshmëria e veprimeve të Presidentit, po i hapet rrugë marrëveshjes kundërthënëse me Serbinë, po riaktualizohet raporti i Dick Martyt... dhe çdo mbrëmje, “qershia mbi tortë”: numri i rasteve të reja me koronavirus.