Rrëfimet e një familjeje pesanëtarëshe, tashmë të ndarë në kilometra dhe që pret bashkimin në Gjermani, e ngërthejnë në vete si emëruese të përbashkët një histori tipike të Kosovës. Të humbjes së shpresës se një ditë do të bëhet mirë. Që e ardhmja e fëmijëve dikur do t’i thyejë barrierat e kacafytjeve për 50, 100 e sado eurosh. Është bërë kjo një përditshmëri në dukje krejt e zakonshme, por alarmuese në esencë
Valoni është 42 vjeç. Ka të përfunduar fakultetin dhe ka bërë edhe një sërë trajnimesh në rrafshin e teknologjisë informative, vetëm që të perfeksionohet në fushën e tij të interesimit. Prej vjetësh është punësuar herë në një e herë në një tjetër kompani që merret apo ofron shërbime që lidhen me teknologjinë informative. Secilën herë në ato që veprojnë si pjesë e sektorit privat - që e mbush arkën e shtetit, e merr fare pak apo aspak prej saj.
Në këtë sfond, s’i ka rënë të jetë përfitues i ndonjë pakoje ekonomike qeveritare dhe as i beneficioneve më esenciale. Është prej atyre 200 e sa mijë të punësuarve në një sektor që për pagë mesatare ofron një shumë prej rreth 380 eurosh. Për dallim prej mesatares, pagën ai e ka pak më të lartë. Apo, në të vërtetë, e ka pasur.
Që nga fundqershori i këtij viti, e ka lënë vendin e tij më të fundit të punës në Prishtinë për edhe një tjetër. Kësaj radhe me pagë bukur më të majmë, porse në Gjermani.
Është bërë pjesë tani e më shumë se dhjetëra mijëra punëtorëve të privatit që vetëm gjatë pak muajve të fundit kanë braktisur Kosovën. Megjithëkëtë, është prej atyre të shkuarve që mund të llogariten si të privilegjuar në Gjermani. Në këtë shtet është vendosur duke e pasur në xhep një kontratë pune të dakorduar ende pa u nisur, me vizë pune. Bazuar në të dhënat e kohëmëparshme nga Ambasada gjermane në Prishtinë, vetëm brenda një viti mbi 5 mijë viza të këtilla u lëshohen kosovarëve.
Veçse i akomoduar në Berlin, ai qysh në ditët e para të mbërritjes e ka nisur punën. Sërish në një kompani private. Por, ndryshe prej atyre që i ka pasur në Kosovë, me kushte e beneficione pakrahasimisht të tjera. Dhe ndryshe prej privatit të Kosovës, që e ka kualifikuar “të vjetër për punë”, aty i çmohet përvoja. E krahas rrogës, punëdhënësi edhe ia ka gjetur banesën me qira në të cilën jeton përkohësisht bashkë me disa kolegë. I ka të siguruara njashtu vizitat e rregullta mjekësore për çfarëdo lloj shqetësimi shëndetësor që ka apo që mund të ketë.
Gjithçka thotë se ka ndryshuar për të. Për të mirë. I ka mbetur veç edhe një qëllim për ta arritur. Po përpiqet që ta gjejë një banesë të re, sipas standardeve e kritereve të përcaktuara nga shteti, për t’u bashkuar në të me anëtarët e tjerë të familjes që ka lënë pas vetes në Kosovë. E në Berlin thotë se është më vështirë të gjesh një banesë sesa një vend pune.
Vendimin për largim nga vendlindja, babai i tre fëmijëve e ka marrë pikërisht duke e vënë në rend të parë të ardhmen e tyre. Malli s’do mend që e merr. Por sa herë që përmallimi ia kapërcen kufirin e asaj që e quan të durueshme, tregon se ngushëllimin e gjen në mendimin se kur një ditë – me shpresë brenda tre muajsh - të bashkohen, e ardhmja për të gjithë familjen do të jetë më e sigurt. Se, përtej të ardhurave më të larta, fëmijëve do të mund t’ua sigurojë së paku një shkollim të mirë.
* * *
Vesa edhe pak muaj do të bëjë 40 vjeç. I ka të kryer dy fakultete që lidhen me ekonomikun. Pas shumë vjetësh pa punë, vetëm pak kohë më parë ka arritur që të punësohet. Ani se nuk i lidhet aq me përgatitjen profesionale, punën e ka gjetur në një ndërmarrje të sektorit publik, në të cilin si të punësuar llogariten me qindra mijë. Paga mesatare bruto për punonjësit e këtij sektori është përafërsisht 500 euro. Edhe paga e saj, pak a shumë, aty diku sillet. Hiq e shto pagesat për shujta e kushedi se çfarë tjetër, krahas rrogës bazë. Përveç tyre, i ka rënë të përfitojë edhe nga ato që janë normuar si “ndihma” të Qeverisë, qoftë për përballimin e izolimit të shkaktuar nga pandemia apo për ballafaqimin me krizën ekonomike dhe ndikimin e inflacionit.
Si me, ashtu edhe pa këto shtesa, thotë se nuk e ka aspak të lehtë ta përthekojë muajin. Për ushqim e për të mira të tjera që i quan esenciale, pandeh se nuk heq. Por për veshje e mbathje për vete e fëmijët i duhet të bëjë akrobacione matematikore. Me hesape nuk qëndron keq. Llogaritjen e ka mësuar, përveçse në fakultet, edhe në trajnimet që i ka ndjekur në këtë drejtim. Por faturat e barazimet ia sfidojnë goxha ato që ia ka mësuar shkolla. I ka edhe dy vajza rioshe, që veçse i kanë hyrë “botës së grimit” e Nike-ve. E këto veç ia rëndojnë punën.
Djemtë e vajzat e moshës së përafërt me të sajat sot e përbëjnë pjesën më të madhe të atyre që zgjedhin largimin nga Kosova. Bazuar në të dhënat nga viti i shkuar, kësaj rruge i janë vënë me dhjetëra mijëra syresh. E mes destinacionesh më rrallë kanë Shtetet e Bashkuara a Kanadanë, e më shpesh vendet e Bashkimit Evropian. Kryesisht për qëllime punësimi a studimi. E pikërisht për këtë arsye, edhe Vesa pret që viti të mos i zërë në Kosovë.
* * *
Është imcak me shtat e porsa ka mbushur gjashtë vjeç. Ka arritur moshën kur mund ta hapë kapitullin e nxënies së dijes. Veçse është regjistruar në një nga shkollat fillore të Prishtinës. Edhe me mësuesen është takuar një ditë fundgjysmëvjetori të këtij viti në oborr të shkollës. Ngjarjen e mban mend si përjetim të gëzueshëm, veçmas për tri maskotat e personazheve të pëlqyera nga filmat vizatimorë që atij dhe shokëve e shoqeve të klasës ua kishte sjellë mësuesja enkas për rastin.
Rreth katër muaj që prej asaj dite, ende nuk i ka rënë që të ulet pranë bankës së shkollës. Këtë atij, bashkë me dhjetëra mijëra nxënësve të tjerë, ia ka pamundësuar greva së cilës mësimdhënësit i kanë hyrë qysh prej fundgushtit. Por kjo punë djaloshit as nuk i lë përshtypje e as që e bezdis. Çantën e fletoret kryesorja i ka blerë...
Puna qëndron më ndryshe për nënën e tij. Ajo i di mirë pasojat që djali mund t’i ketë nga vonesa e nisjes së mësimit. I përcjell përditë lajmet në portale për të mësuar nëse pajtimi Qeveri-Sindikata që do ta çonte djalin e saj në shkollë do të arrihet. E sëkëlldiset sa herë që në to sheh tituj të stilit: “Greva vazhdon, s’kapërcehet ngërçi në arsim”. Do që ai me çdo kusht ta nisë mësimin sa më parë. Që bile për disa muaj ta ketë mundësinë për ta mësuar ndonjë shkronjë të shqipes. Se brenda pak kohësh, mësimin pritet që ta vijojë në gjermanishte. Në ndonjë prej shkollave të Berlinit.
Rrëfimet e një familje pesanëtarëshe që e ndajnë kilometrat ngërthejnë një histori tipike të Kosovës. Asaj të humbjes së shpresës se një ditë do të bëhet mirë. Se e ardhmja e fëmijëve dikur do t’i thyejë barrierat e kacafytjeve për 50, 100 e sado euro. Derisa ajo ditë të arrijë, mbase do të jenë edhe shumë familje të tjera që kthejnë sytë dhe përqendrojnë pritjet diku tjetër. E kjo është bërë një përditshmëri në dukje krejt e zakonshme, por alarmuese në esencë.