Si asnjëherë më parë, për një muaj, çdo ditë rresht ora 15:00 pritej me ftohtësi. Edhe pse mbi 30 gradë temperatura, bënte shumë ftohtë. Stinës më të nxehtë ndonjëherë në Kosovë, fundi i erdhi shpejt e papritmas. Në fund të gushtit e fillim të shtatorit, të ftohtin e madh e sollën shifrat me koronavirus.
Sikur në akull po rrëshqitnim, përditë, pa e kuptuar se çka po na priste. Shtegu që u nis e kishte finishin e panjohur. Në fillim askush s’kërkonte rrugëdalje për shpëtim. Nuk dinte çka po e priste. Me hapa jo të vegjël, këmbëzbathur, u nis lëshimi në teposhtën e lëmuar. Shfryrje e pa kontroll nga një frustrim i paparë. Çdo sekondë shfrytëzohej sikur të ishte e fundit. Mallin prej gati dy vjetësh, të gjithë e hoqën në ditët e verës. I gjithë fokusi ishte aty. Festë, turma e ndeja gjithë kohën. U harrua çdo masë që na mbronte. Virusi po vlonte në grumbujt e shoqërisë, e më pas po shpërndahej nëpër shtëpi. Pa e menduar fare, koha e acartë erdhi më herët se që pritej. Nga ditët e lumtura me lirinë e shumëkërkuar, po u ktheheshim ditëve që s’do të kishim dashur t’i kujtonim kurrë. Sikur ato grafikonet e parashikimit të motit – nga portokallia, për shkak të të nxehtit, kaluam shpejt në fërfëllizë. Po vinte ngjyra “e ftohtë”. Hymë në ndryshim. Nuk kishte kontroll. Lëvizjes pa frerë iu hoqën të gjitha pengesat. Ecte shpejt. S’kishte degë për t’u kapur. S’mund të ndaleshim drejt gropës që e hapëm vetë. Ngrohtësia shpirtërore që u gjet te njëri-tjetri u kthye shpejt në mërzi e lot. Për 10 ditë në fillim të shtatorit nga virusi vdiqën më shumë se 250 persona. Mbi 550 për një muaj, nga 15 gushti deri më 15 shtator. Dridheshin duart kur raportohej për mbi 30 të vdekur në ditë. Në mesin e tyre shumë të rinj e shtatzëna. Mijëra të tjerë shtriheshin në spitale e përditë shtoheshin mbi 2000 raste të reja. Shumë të sëmurë rëndë e me pak gjasa për mbijetesë. Frika kaloi në nivel tjetër. Asgjë s’funksiononte. Ndjenja u krijua se ai 30-shi i vdekjeve ditore, në fund do të mund të dukej shifër e ulët. Boshllëku i paraverës u rikthye. Trauma ishte më e madhe. Edhe më i frikshëm bëhej çdo minutë që kalonte, sepse s’dihej nga po kërciste lajmi se vdiq edhe një...
S’mund të ketë asi që ato ditë s’e kanë ndier tronditjen. Shumë njerëz s’e tejkaluan. U ndalën në mes. Virusi shoi jetë grash që ëndërruan të merrnin epitetin më të ëmbël e shumë të rinj që jetën e kishin përpara. La shumë jetimë, e shumë të moshuar pa përjetuar nipat e mbesat. Të gjithë u prekën nga këto humbje. Megjithatë, shumicës iu dha një tjetër rast, fare në metrat e fundit. Acare të tilla s’falin shumë herë. Treni i fundit për të falurit po vinte. Nisi të përhapej kripa, e cila do ta shkrinte ngrirjen e mëtejme në fund të verës. Nga spitalet e plotmbushura e panikun te të gjithë, vëmendja u kthye nga qendrat e vaksinimit. Për shkak të frikës u detyruam të kërkonim shpëtim. U hodhën grushtet e para të kripës shkrirëse. Vetëdija po ngjallej. Nisën të rriteshin me hapa masivë vaksinimet ditore.
Një degë e njomë u shfaq. Me nisjen e uljes së rasteve të reja ditore e shifrat në ngritje të vaksinimit, shpresa nisi të kthehej. Por ishte herët. Kërkonte kohë. U deshën disa javë që të vinte koha e ta pyesnim njëri-tjetrin për gjësende të tjera, pos asaj se si e kanë situatën me COVID-19. Me një fije shprese nisi edhe hamendësimi se “po m’doket u kry?!”. Me një lloj ngazëllimi sa vinte e shtohej pyetja shpresëdhënëse kur shifrat po binin. Edhe më lehtë raportohej kur shifrat e vdekjes ranë në zero. Dukej sikur po rimerrnim frymë. Mushkëritë nisën t’i ktheheshin normalitetit. Kishin disa javë që ishin të zëna tërësisht. I hapëm edhe sytë. Shtresat e ngrira nisën të merrnin ngjyrë tjetër. E njoma nisi të forcohej e të mbante më shumë. Valës më të rëndë po i vinte fundi. Më në fund edhe kjo duket se nisi të bëhej më e vobektë.
Vjeshta nisi të jepte më shumë ngrohtësi. Por, gjithsesi të lënduar. Më s’ishte asgjë e njëjtë. S’mund të pranohej me lehtësi ndarja e rrugëve për një numër të madh të njerëzve. Janë bërë afro 3000. Shifrat janë të tmerrshme. Bëhet fjalë për jetë njerëzish, jo veç numra...
Pavarësisht alarmit, shoqëria po harron shpejt. Me kalimin e kohës shkrirja ka nisur të ndalet. Vaksinimet ditore kanë rënë e grumbullimet po shtohen. Sikur po krijojmë terren të rrezikshëm sërish. Në prag të verës së ftohtë ishte njëjtë. Gabim. Vuajtjet e i ftohti s’duhet të hiqen lehtë nga mendja. Për të shpresuar me gjithë mend se një ditë do të bëhet mirë, kujdesi nuk duhet të mungojë. Shpëtimi i vetëm s’duhet të lëshohet. Tash që shkrirja mund të zgjatet me një dozë të tretë, s’ka çka të pritet. S’ka vend për vetëkënaqësi e liri. Është bërë gjatë e jemi lodhur, por një ditë akull s’do të ketë. Bashkë me të s’do të ketë as nevojë urgjente për shkrirje. Pa dyshim, një ditë do të ketë tamam verë.
Në vitin e ri po hyjmë. Me festën kthehen pak harmonia e momentet e përbashkëta. Kujtimet do të jenë të trazuara për 2021-tën. Shumë do të festojnë, por për shumëkënd lajmi më i mirë i 31 dhjetorit do të jetë se thjesht po i jepet fund një viti tejet të rëndë. Mijëra familje do të jenë në lot duke i kujtuar ata që i humbën. S’kanë festë. Shumë s’do t’i kenë më të dashurit afër. Do të ketë më pak buzëqeshje. Me fotografi do të shohin se ishin më shumë në numër një vit më parë.
Kalimi me zor i vitit 2021 për dikë është rast i ri. E panë çka solli moskujdesi. Shansi u fitua, por s’duhet harruar që me të, të vijë edhe kujdesi i shtuar. Ata që rifituan rastin pa dyshim që do të jenë më të lumtur. Për ta shpresa do të jetë më e madhe. Motivi do të jetë më i lartë. Ndoshta madje do të mendojnë se i ftohti “u krye”. Por ata që i humbëm s’mund të kthehen më kurrë. Ata që s’u kapën për dege do të na bënin lutje të mos gabonim sërish. Të mos kemi të tjerë që s’mund t’i kthejmë. Besoni e vaksinohuni!
Unë s’dua akull të tillë më. Jo, faleminderit!