OpEd

Agresioni rus po e minon populizmin

Fatbardhësisht, teksa lufta (në Ukrainë) është zvarritur, spektri i populizmit është pakësuar në Evropë, ku ishte eklipsuar nga kërcënimi më i madh i një fitoreje të Rusisë.... Por ne duhet të tregohemi optimistë të matur. Viti i ri mund përherë të sjellë një përmbysje të trendit. Nëse lodhja me krizën e refugjatëve dhe me inflacionin e lartë thellohet, atëherë populistët e diskredituar të së sotmes do të ishin përfituesit e natyrshëm

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka ndikuar jetën politike në vendet anembanë botës, dhe ky ndikim ka qenë më i madh në vendet që janë politikisht më të afërta jo me Ukrainën, por me Rusinë. Shkaku që Ukraina është demokraci dhe Rusia një kleptokraci autoritare, lufta ka shpërfaqur përplasjen themelore midis sistemeve politike alternative. Kjo dinamikë e rrit ndjeshëm rrezikun, ngase një disfatë ushtarake për demokracinë mund të jetë ftesë për diktatorët gjetkë që t’i ndjekin pushtimet e tyre.

Fatbardhësisht, teksa lufta është zvarritur, spektri i populizmit është pakësuar në Evropë, ku ishte eklipsuar nga kërcënimi më i madh i një fitoreje të Rusisë. Përderisa ata populistë me prirje pro-ruse janë margjinalizuar, ata që janë moderuar dhe që dolën në mbështetje të Ukrainës janë mirëpritur sërish në grup, megjithëse kaluan me vjet të tërë duke e minuar demokracinë në vend.

Për shembull, para pushtimit rus, presidenti polak Andrzej Duda po përqafohej ftohtësish pothuajse çdo kund në Perëndim. Sidoqoftë, mbështetja e tij e vendosur për Ukrainën e shndërroi atë në pjesëmarrës kyç të takimeve të mëdha transatlantike dhe evropiane, si dhe në partner të rëndësishëm për politikanët perëndimorë antipopulistë, jo vetëm për presidentin amerikan, Joe Biden.

Njëkohësisht, vetë Duda është bërë më pak populist. Duke mos qenë kurrë një mendimtar apo politikan i pavarur, ai tani merr sugjerime nga ambasada amerikane, e jo nga liderit të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), Jaroslaw Kaczynski, të cilit ia detyron pozitën e tij aktuale. Duda duket se ka arritur deri te përfundimi se Kaczynski nuk mund të shpresojë që ta shpërblejë atë me atë lloj profili ndërkombëtar që munden amerikanët.

Në ndërkohë, populistët prorusë kanë humbur në përkrahje pothuajse çdo kund. Përjashtimin e theksuar e përbën kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili prej kohësh i ka bindur votuesit hungarezë se vendi i tyre mund të marrë më të mirën e të gjitha botëve të mundshme ekonomike, duke zhongluar me marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe me Bashkimin Evropian. Madje edhe Orbanit i është dashur që ta zbusë qëndrimin e tij. Ai nuk e pati guximin që të bllokojë pjesën më të madhe të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, ngase e di që duhet ta luaj të mirin me BE-në për t’i marrë fondet e pakos së rimbëkëmbjes nga COVID-19 që i janë frenuar si rezultat i shkeljeve të tij në rrafshin e sundimit të ligjit. Andaj, Orban është në limbo – as kundërshtar e as partner i liderëve në Washington, Londër apo edhe Berlin.

Por aksi dikur i hekurt Kaczyński-Orbán është i përfunduar. Polonia po e furnizon Ukrainën me çdo lloj armatimi, përfshirë më shumë se 200 tanke; dhe porsa deklaroi se do të jetë vendi i parë që do ta furnizojë me “Leopard 2”. Për dallim prej saj, Hungaria jo vetëm që refuzon ta ndihmojë Ukrainën, por edhe po e transmeton propagandën ruse nëpërmjet kanaleve të saja mediale, të kontrolluara nga qeveria.

Si rezultat i kësaj, marrëdhëniet midis Varshavës dhe Budapestit janë ftohur, me ç’rast Kaczyński madje e kritikoi Orbanin drejtpërsëdrejti.

“Ne nuk mund të bashkëpunojmë si më parë, nëse kryeministri Orban thotë se nuk e sheh saktësisht atë që ndodhi në Bucza (vend i krimeve ruse në fillim të luftës, ai duhet të këshillohet që të shkojë te oftalmologu”, ankohet ai.

Kur bëhet fjalë për fuqinë negociuese ushtarake, territoriale apo ekonomike, Orbani nuk mund të shpresojë të konkurrojë me presidentin joliberal të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Përderisa Orbani është ende duke u kapur për thërrimet nga tryezat e fuqive më të mëdha, pozita ndërkombëtare e Erdoganit është rritur brenda natës. Liderët perëndimorë duhet t’i japin atij çfarëdo që kërkon për të siguruar hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO, ndërsa Kremlini duhet të bashkëpunojë me të për të shmangur mundësinë që Turqia t'u bashkohet sanksioneve dhe embargove ndaj lëndëve të para, mallrave dhe teknologjive ruse.

Marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë nuk e pengojnë atë që të ketë relacione të mira me Ukrainën. Është sekret publik që Turqia po i ofron Ukrainës mbështetje më të madhe ushtarake sesa e lejon. Dhe ishte Turqia ajo që e negocioi shkëmbimin e të burgosurve dhe armëpushimet e kufizuara, të nevojshme për të zhbllokuar eksportet e Ukrainës nëpërmjet Detit të Zi.

Ç’është më e rëndësishmja, përderisa disfata e Ukrainës nuk është në interesin e Turqisë, as një disfatë e plotë e Rusisë nuk është në interesin e saj. Një Rusi e dobësuar do ta tkurrte ndikimin e Turqisë përbrenda NATO-s teksa Turqia është gjithashtu një përfituese ekonomike nga sanksionet kundër Rusisë (pavarësisht humbjes së miliona turistëve të rregullt nga Rusia dhe Ukraina). Teksa Erdogani sillet si një akter më i përgjegjshëm global, ai mund t’i ketë përmirësuar dukshëm gjasat e tija për ta siguruar rizgjedhjen këtë pranverë, me gjithë krizën ekonomike dhe inflacionin e shfrenuar, për shkaktimin e të cilit ndihmuan vet politikat e tija të çuditshme.

Përderisa populistët individualë ose i moderuan qëndrimet ose janë margjinalizuar, “ndërkombëtarja populiste” më e gjerë është bërë më e fraktuar me humbjen e padronit të saj rus. Politikanët perëndimorë nuk mund të enden më me kanotiere pro-Putin, siç bënte dikur lideri nacionalist italian Matteo Salvini, apo të huazojnë para nga bankat ruse, sikurse kishte bërë liderja e partisë franceze të së djathtës ekstreme, Marine le Pen. Pikëpamjet pro-ruse dhe anti-NATO më nuk janë të pranueshme. Në vitin 2022, partitë gjermane proruse “Alternativa për Gjermaninë” dhe “Die Linke” i humbën zgjedhjet lokale në të gjithë spektrin.

Populistët pësuan humbje edhe në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Francë, dhe lufta e agresionit të Rusisë ishte pa dyshim një arsye. Kandidatët e mbështetur nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump – një admirues i hapur i Putinit – janë mposhtur po ashtu edhe në zgjedhjet amerikane të mesmandatit. Dhe në zgjedhjet presidenciale e parlamentare të Francës në pranverën e kaluar, simpatitë e Le Penit dhe të liderit të krahut të majtë, Jean-Luc Melenchon, për Rusinë nuk kaluan të pavërejtura. Nëse ish-kryeministri populist, pro-rus i Çekisë, Andrej Babis, i humb zgjedhjet presidenciale të kësaj jave ndaj Petr Pavelit, ish-shef i Komitetit Ushtarak të NATO-s, atëherë edhe kjo do të ishte pjesërisht shkaku i luftës së Ukrainës.

Por ne duhet të tregohemi optimistë të matur. Viti i ri mund përherë të sjellë një përmbysje të trendit. Nëse lodhja me krizën e refugjatëve dhe me inflacionin e lartë thellohet, atëherë populistët e diskredituar të së sotmes do të ishin përfituesit e natyrshëm.

(Sławomir Sierakowski, themelues i Lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).