Vendimin e UP-së do të duhej replikuar edhe në politikë, e edhe në shëndetësi. Profesorët e futur në politikë, duhen zgjedhur: o merren me politikë, o me arsim. Më tej angazhimi i tyre me pagesë nëpër borde e komisione duhet të ndalet dhe të shndërrohet në kontribut vullnetar – fundja kjo shoqëri, te shumica, ka kontribuuar për avancimin e tyre profesional. E nëse nuk e duan punën vullnetare, le t’u lëshojnë rrugë të tjerëve se nuk janë bash krejt “eminentë” në drejtimet e tyre
Nuk e di nëse mbaj mend korrik më të nxehtë se ky i sivjetmi. Dhe nuk e kam fjalën për politikën, por për klimën, së cilës të gjithë i kemi kontribuuar për ta prishur me ndotjen dhe shkatërrimin e gjelbërimit që ia kemi bërë.
Kosova e pasluftës qe vendi i gurthyesve të egër; të eksploatuesve të rërës lumore, natyrisht me lejen e Bajram Begut; të prerjes së pakontrolluar të pyjeve e madje edhe kontrabandës me pisha e çka mos tjetër; të ndotësve dhe të futësve në gypa të lumenjve... e plot të tjera. Krahasuar me krejt planetin, është fakt se paraqesim vetëm një pikë të vogël në të. Por pika si ne ka gjithandej dhe së bashku e bëjmë një pikë të zezë e shumë të madhe me të cilën e kemi “shpuar” mbulesën e ozonit.
Pra, në disa vjetët e fundit e kemi humbur orientimin e stinëve: asnjëra më nuk është siç kishte qenë dikur. Diçka si dimër në verë e verë në dimër... apo qashtu diçka. Nejse, i nxehti i madh më duket se kaloi. E mbijetuam.
Nana Pashke
Ani që veprim individual, dje e gjithë Kosova u mbulua me turpin që e shkaktoi ai veprim. Shkëmbi i Nanës Pashke, që javën e shkuar u zhvendos nga vendi ku kishte qëndruar 20 vjet, dje përfundoi në bërllok. Po, mirë e lexuat: në bërllok.
Nuk e besoj të ketë ofendim më të madh se ky për Pashken e vetëflijuar, për familjen e saj dhe të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.
Se a ka mundur të gjendej një zgjidhje tjetër për shkëmbin, mbase edhe po. Por nuk u gjet, derisa nuk u hodh mes mbeturinash. Qysh javën e shkuar ka mundur të zgjidhej që të merrej nën përkujdesjen e komunës a shtetit. Por jo, u desh të përdhosej për ta nxitur reagimin e menjëhershëm dhe transportimin e shkëmbit në Mejë. Aty ku prehen fëmijët e Pashkes. Aty ku ndodhi masakra më e madhe në luftën e Kosovës, me vrasjen e 377 njerëzve. U deshën 5 vjet që të ktheheshin mbetjet e para mortore nga poligoni i ushtrisë serbe, Batajnica. Sot, 24 vjet pas masakrës, 32 veta ende mbesin të pagjetur.
Zhvendosja e shkëmbit në këtë formë flet brutalisht për besën, solidaritetin, për njerëzoren. I zbulon në trajtën e vet më të shëmtuar.
Më mirë vonë se kurrë...
... po qe se vendimi do të mbetet në fuqi dhe do të respektohet me përpikëri, atëherë vendimi i djeshëm i Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës do të mund të quhej historik.
U vendos që UP-ja të mos u lejojë mësimdhënësve të vet që të mbajnë mësim në kolegjet private. Më në fund u gjet një numër njerëzish që e logjikuan dëmin që i është shkaktuar gjithë arsimit në Kosovë me vite, për shkak të tolerimit të “supermenëve” që punojnë në katër a pesë institucione e që i ligjërojnë nga 15-16 lëndë.
Se sa ka qenë dëmi i madh, e dëshmojnë brezat e rinj që pajisen me diploma baçelor e master, por që nuk pajisen me dijen e nevojshme për të ushtruar profesionin si duhet dhe me cilësi. Dhe e gjithë kjo nisi në kohën e pasluftës me liberalizimin e gjithçkaje dhe humbjen e kritereve për një arsimim të mirëfilltë.
Diku dy a tre vjet pas luftës, Kosova numëronte, nëse nuk e kam gabim, 32 universitete. Në fakt ato quheshin universitete edhe pse nuk kishin as hapësirë e as staf akademik të mjaftueshëm. Por e kishin fuqinë e lëshimit të diplomave, të cilat më vonë hasën në probleme legalizimi e nostrifikimi.
U deshën të kalojnë shumë vjet që të themeloheshin institucionet për akreditim e për cilësi në arsim. Me to, me gjithë problemet dhe skandalet që rrodhën nga proceset e parregullta të akreditimit, që përfunduan me parashkrimin e lëndëve në gjykatë, megjithatë u përcaktuan kriteret që duheshin plotësuar për të marrë statusin e universitetit.
Prej 32 sish, tash vetëm gjashtë janë universitete publike, ndërkohë që të akredituara si kolegje janë 13 institucione të arsimit të lartë. Dhe sërish mendoj se janë shumë.
E tash, nuk e di sa prej profesorëve të UP-së i kanë deponuar CV-të e tyre te kolegjet private për nevoja të akreditimit dhe sa prej tyre punojnë edhe në institucione private, e madje edhe në ato publike. Por fakti është se, sipas Agjencisë për Statistikat e Kosovës, në vitin 2022, Kosova ka pasur mbi 82 mijë studentë, prej të cilëve rreth 50 mijë i vijojnë studimet në universitetet publike.
Pra, 39% janë studentë në kolegjet private, në të cilat studimet paguhen. Që e bën shkollimin sipëror biznes fitimprurës, ngase diplomat aty nuk mund të merren nëse nuk paguhen semestrat dhe provimet me kohë. Nuk po futem në vlerësimin e cilësisë, për shkak se nuk jam kompetente për ta vlerësuar atë. Porse mund të komentoj për konkurset që i shpallim dhe ku kandidatët na lajmërohen me diploma të nduarnduarshme: flasim për sasi e jo për cilësi.
Do të jetë shumë interesante të shihet se sa prej programeve të institucioneve private apo edhe të UP-së do të mbesin pa u akredituar për shkak se nuk do t’i plotësojnë kushtet formale, ato të CV-ve të profesorëve që u nevojiten për akreditim. Por, po qe se ky vendim mbetet në fuqi dhe zbatohet si duhet, mbase ky do të jetë hapi i parë drejt “pastrimit të tregut” dhe konsolidimit të stafit akademik. Kosova është vend me më pak se 2 milionë banorë, dhe sinqerisht e besoj se ka shumë institucione të shkollimit të lartë, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Kjo. për shkak se besoj se profesorët nuk e kanë për detyrim vetëm të mbajnë ligjërata, por duhen të mbajnë edhe konsultime me studentë dhe të përqendrohen në punën hulumtuese-shkencore. Pra, kjo do të duhej të nënkuptonte një punë minimum 8-orëshe në ditë. Me këtë supozim, është e pabesueshme që dikush të ketë kapacitet fizik dhe psikik të punojë në disa institucione njëkohësisht e t’i kryejë të tri detyrat e përshkruara më lart. Nuk mundet, nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të trafikut në Prishtinë.
Pra, nëse ky vendim bën që dikush të heqë dorë nga pagesat ekstra, e që të merret kryekëput me këtë profesion, sepse e kuptojnë arsimin si mision e jo vend pune, atëherë do ta mbërrijë qëllimin. Detyra e tyre është që të përgatisin profesionistë të mirëfilltë, një pjesë e të cilëve do të angazhohej në arsimin fillor e të mesëm dhe për pasojë do ta përmirësonin shkallën e nxënies aty. Natyrisht, angazhimi i tyre do të ishte i kotë po qe se nuk reformohet sistemi i arsimit, i cili duhet të shkojë tok me ngritjen e cilësisë së të diplomuarve.
Po qe se ka filtrim kuadrosh universitarë, gjasat janë se edhe hiperprodhimi i diplomave do të ndalej, e me të edhe analfabetizmi funksional.
Shembull i mirë për të tjerët
Këtë vendim do të duhej replikuar edhe në politikë e edhe në shëndetësi.
Profesorët e futur në politikë duhen zgjedhur: o merren me politikë, o me arsim. Më tej angazhimi i tyre me pagesë nëpër borde e komisione duhet të ndalet dhe të shndërrohet në kontribut vullnetar – fundja kjo shoqëri, te shumica, ka kontribuuar për avancimin e tyre profesional. E nëse nuk e duan punën vullnetare, le t’u lëshojnë rrugë të tjerëve se nuk janë bash krejt “eminentë” në drejtimet e tyre.
E te shëndetësia, moti, moti është folur për çështjen e angazhimit të tyre edhe në sektorin publik dhe atë privat njëkohësisht. Sinqerisht, unë besoj se këtu ndarja duhet të bëhet: ai që do që të punojë në sektorin privat, nuk mund të punojë edhe në atë publik. Pra, përderisa ne si shoqëri ua mundësojmë shkollimin dhe specializimin në universitetet publike, këta duhen ta kenë detyrim qëndrimin në institucionet publike së paku derisa ata vet ta krijojnë brezin e ri të specialistëve. Dhe kjo nuk do të ishte ndonjë risi dhe nuk është kufizim i lirisë së lëvizjes profesionale. Për shkak se shkollimi ka një çmim, dhe ai shpaguhet me punën e mjekut, i cili në fund edhe paguhet, sërish nga shoqëria, për punën që e kryen. Natyrisht, në këtë rast edhe pagat e shërbimit shëndetësor do të duhej t’i përshtateshin edhe angazhimit të shtuar.
Fuqimisht e besoj se kjo ndarje mes publikut dhe privatit do ta sillte atë prerjen e përmendur më lart dhe jo domosdo do të ndikonte në cilësinë e shërbimeve të ofruara. Sërish sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë ka diku rreth 2800 mjekë në shërbimin publik, e gjithsej janë 4800 anëtarë të Odës së Mjekëve. Po qe se këta mjekë janë aktivë, po del se rreth 2 mijë mjekë tashmë janë të angazhuar në sektorin privat. Ose janë të papunë, gjë të cilën nuk e besoj të jetë kështu.
Natyrisht, kjo që po e them më lart nuk bëhet pa ligj dhe pa sistem të sigurimeve shëndetësore, që do të mund t’i mbulonin shpenzimet e shërbimeve mjekësore edhe në institucione private, po qe se ato për ndonjë arsye nuk ofrohen në ato publike. Por, përvoja e deritanishme tregon se ta bësh një ligj është lehtë. Ta zbatosh është shkencë më vete.
* * *
Kohë për t’i bërë të gjitha këto që i përshkrova në pjesën e dytë të tekstit kemi pasur më së paku 15 vjet. Por nuk kemi dashur t’i bëjmë. Thjesht për shkak se jemi adhurues të mjegullës.