OpEd

A po e humb Vuçiqi tapinë mbi çështjen e Kosovës

A po shfaqet bërthama e alternativës politike ndaj Listës Srpska? A është kujtuar përfundimisht opozita se mund t’i ndihmojë serbët në Kosovë? Dhe, si? Sa e rëndësishme është kjo? Në ç’mënyrë regjimi në Beograd (nuk)reagon ndaj faktit që dikush po guxon të shkelë në ndalesën politike të presidentit?

Pjesa më e madhe e opozitës mezi do të priste ta njihte pavarësinë e Kosovës, ndërsa të tjerët, njësoj me tradhti, do të dërgonin të tjerët në luftë, madje edhe të vriten. Këtë frazë, në shumë variante dhe në një mënyrë shumë më të pakëndshme, e përsërisin pushteti në Beograd dhe mediat pro regjimit tashmë një dekadë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, me veprimet e tij dhe me një sërë gabimesh përmes degës së SNS-së në Kosovë, Listës Srpska, Aleksandër Vuçiq me siguri ia ka dalë të sigurojë vend në ndonjë libër të ardhshëm të historisë si një faqe e errët mbi autoritarizmin, politikën ditore dhe pasojat shkatërrimtare të manipulimeve për të mbajtur pushtetin.

Gjatë gjithë kësaj kohe, po ashtu, as opozita nuk është ngutur të deklarohet për çkado qoftë që lidhet me Kosovën. Prandaj lajmi se të shtunën e fundit u takuan përfaqësuesit e një pjese të serbëve nga Kosova me përfaqësuesit e të gjitha partive të këtushme opozitare parlamentare për të diskutuar strategjinë e veprimit në luftën për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë, u injorua plotësisht nga mediat nën kontrollin e shtetit, me një ose dy përjashtime të dezinformimit të pafshirë tabloid.

Çfarë solli ky tubim: Për çka u fol? Dhe, çka më tej?

Dialogu ekziston

Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë përfaqësues të serbëve nga Kosova të tubuar nga Lëvizja Popullore Serbe, Lëvizja Popullore e Serbëve nga KeM dhe individë që kryesisht i lidh fakti se janë kritikë ndaj autoriteteve në Beograd dhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Nga politikanët opozitarë nga Beogradi morën pjesë: lideri i SSP-së, Dragan Gjilas, lideri i partisë SRCE, Zdravko Ponosh, lideri i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Miroslav Aleksiq, lideri i Kryengritjes Ekologjike, Aleksandar Jovanoviq Quta, lideri i Partisë së Re Demokratike, Milosh Jovanoviq, lideri i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Gërboviq, Borko Stefanoviq nga SSP-ja, Milosh Parandiloviq nga Fytyra e Re e Serbisë, Aleksandar Ivanoviq nga NPS-ja, si dhe Slobodan Samarxhiq, Gjorgje Vukadinoviq…
“Për herë të parë që kur mbaj mend, e patjetër që nga koha kur SNS-ja është në pushtet, u mblodh e gjithë opozita – edhe e majta, edhe e djathta, edhe kombëtarja, edhe qytetarja – me përfaqësues seriozë të serbëve nga Kosova, të cilët nuk janë serbë privatë të askujt, as të Vuçiqit, as të Kurtit, as të Gjilasit,” - e përshkruan ngjarjen Gjorgje Vukadinoviq. Ai thotë se në tryezën e rrumbullakët, kur është fjala për përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës, morën pjesë praktikisht të gjithë, përfshirë njerëz të rinj nga organizata dhe parti të porsaformuara. Përveç, natyrisht, përfaqësuesve të Listës Srpska.

Gjithsesi, ky nuk ishte një rreth i bashkëmendimtarëve – nuk mendojnë njësoj as partitë e këtushme opozitare, por as përfaqësuesit nga Kosova. Megjithatë, as ideja për gjetjen e një zëri i cili do të flasë për gjithçka, fundja këtë e kemi dhe asgjë të mirë nuk solli – por të gjejmë pikët e përbashkëta rreth të cilave aktorët politikë dhe shoqërorë mund të bien dakord dhe që për to secili brenda kompetencave të veta të luftojë me qëllim që përditshmëria e serbëve në Kosovë të bëhet më e durueshme, si dhe të forcohen në luftën për të drejtat e tyre në regjimin e Kurtit. Thjesht – të pyeten kur është fjala për jetën e tyre…

Në tubim u prezantuan dy dokumente për përdorim të brendshëm: “Korniza e strategjisë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi: aspekti ekonomik-social” dhe tezat për diskutim lidhur me strategjinë e mbijetesës së serbëve  dhe të popullsisë tjetër joshqiptare në KM. Në krye të faqes shkruan: “Nuk ka zgjidhje për Kosovën dhe Metohinë, por zgjidhje në proces”.

Mbi bazën e këtyre dokumenteve dhe propozimeve që pasuan në tryezën e rrumbullakët dhe pas saj do të bëhet një propozim për masa konkrete me të cilat do të dilet në publik.

Rrjedhimisht pjesëmarrësit diskutuan mbi katër orë për ndalimin e rënies ekonomike të komunitetit serb, nevojën për forcimin e Universitetit të Prishtinës (me seli në Mitrovicën e Veriut), krijimin e një alternative politike ndaj Listës Srpska dhe për formimin e një ekipi dhe këshilli të përbashkët anketues që do të merrej me rrjedhat e parave që Serbia jep për Kosovën, përkatësisht se në xhepat e kujt përfundojnë, e ku nuk mbërrijnë, e do të duhej të arrijnë.

Për televizionin Nova S, Zdravko Ponosh deklaroi se në planin afatgjatë ndryshimet do të ndodhin kur të ndryshohet pushteti në Beograd, por se edhe deri atëherë duhet të punohet përmes institucioneve, opozita duhet të ushtrojë presion mbi pushtetin dhe të shfrytëzojë kontaktet e veta ndërkombëtare dhe diplomatike me qëllim që gjendja ekzistuese të ndryshojë dhe të avancohet. Momçilo Trajkoviq, i cili inicioi tubimin, theksoi në fjalën e hapjes se serbët në Kosovë nuk duan të jenë vëzhgues, por aktorë aktivë në proceset që lidhen me jetën e tyre dhe përgjithësisht me mbijetesën e tyre, dhe se qëllimi i tryezës së rrumbullakët është promovimi i strategjisë së re  dhe i faktorëve politikë  që kanë forcë dhe fuqi  për të ndryshuar gjendjen aktuale.

“Detyrë e Kurtit është që populli serb të zhduket nga këto hapësira“, – tha Trajkoviq  duke kërkuar mbështetjen e të pranishmëve për krijimin e strategjisë  që do të mundësojë që serbët të bëhen partnerë të barabartë në kërkimin e zgjidhjes, e jo të mbeten pa krye në luftën politike dhe atë për ekzistencë.

Ecja mbi tel si skenari më i mirë

Është e njohur se serbët në veriun e Kosovës janë lënë tash e një kohë të gjatë jo vetëm në një vakum institucional, por edhe në një krizë të rëndë të liderizmit politik.  Gjatë kohë një pjesë e komunitetit serb në Kosovë – ajo e askujt –  përsërit se është e domosdoshme të dilet nga pozicioni midis çekiçit dhe kudhrës – Kurtit dhe Vuçiqit. Nga ana tjetër, shtrohet pyetja se si do të ishte që cilado organizatë politike, e cila nuk do të kishte kurrfarë mbështetjeje nga Beogradi zyrtar, çfarë ndikimi të madh do të mund të arrinte.

Gjorgje Vukadinoviq çmon se nën disa kushte, kjo teorikisht është e mundur, por çështja është se sa është e realizueshme kjo praktikisht. Ai beson se  diçka të këtillë mund të bëjë eventualisht një kolonë e përbërë nga organizata dhe individë të vjetër që kanë qenë aktivë në jetën politike dhe shoqërore, por që nuk janë komprometuar me bashkëpunimin me regjimet e Beogradit dhe Prishtinës, si dhe e figurave të reja – fjala vjen nën ombrellën e SNV-së së KM-së ose ndonjë organizmi si ky.
Po edhe nëse ia dalin të korrin fitore në zgjedhje, do të pasonte një vallëzim  delikat mbi telin mes Beogradit, Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Por gjithsesi, edhe një autonomi më e madhe dhe një luftë më e fortë për interesat e komunitetit serb në Kosovë sesa ka qenë rasti me veprimin e Listës Serbe. Në fakt, ajo me metoda të ndryshme të serbëve të atjeshëm ka krijuar makinën votuese për Partinë Progresive Serbe dhe ka ushtruar një presion të paimagjinueshëm që çdo gjë që arrihet në negociatat në relacionin Beograd- Prishtinë-bashkësia ndërkombëtare të zbatohet në vepër, pavarësisht disponimit të komunitetit serb në Kosovë. “Meritë“ e Listës Serbe është edhe dalja e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet kosovare pa një plan se çfarë do të ndodhë më pas.
Duke folur për këtë takim, Pavle Gërboviq tha se ngjarja është e rëndësishme, sepse ka peshë dhe simbolikë politike se në mesin e komunitetit serb në Kosovë po vendoset sërish pluralizmi. Ai theksoi se është detyrë e parive opozitare në Serbi që këtë proces ta nxisin dhe të trimërojnë të gjithë ata që duan të marrin pjesë në të, dhe që gjejnë forcën për t’iu kundërvënë monopolit shtetëror mbi jetën politike të serbëve në Kosovë, të mbështetur nga “terrori i Listës Serbe“.

“Ka pasur më shumë se 50 pjesëmarrës, dhe prandaj pati mesazhe përmbajtjesh të ndryshme me të cilat jeni dakord dhe me të cilat nuk jeni. Por gjithashtu ka pasur mesazhe nga përfaqësues autentikë të serbëve se ata kërkojnë zgjidhjen më të mirë duke marrë parasysh situatën reale në terren“, – shpjegon më tej Gërboviq dhe thekson se qëndrimet që paraqitën ata njerëz ishin të pjekura dhe realiste. “Nuk arritëm të analizojmë të gjithë hapat e ardhshëm, por u vendos një kornizë për pjesëmarrjen aktive të serbëve në jetën politike në Kosovë, që në të ardhmen zgjedhjet të mos bojkotohen dhe se serbët duhet të marrin pjesë në institucione, si dhe se zgjidhje e vetme e pranueshme është ajo që bazohet në paqe“.

Kapni hajdutin dhe heshtjet

Reagimi i pushtetit ndaj takimit të më shumë se 50 politikanëve, profesorëve dhe individëve të angazhuar shoqërorë, respektivisht ndaj propozimeve dhe çështjeve të tyre të cilat i hapën ishte kryesisht një heshtje e thellë.

“Ishte një shok për regjimin“ – konsideron Gjorgje Vukadinoviq. “Prandaj iu deshën 24 orë për të përgatitur një reagim. Arritën ta dërgojnë Simou Spasiqin, por pa megafon, kështu që nuk la ndonjë përshtypje. Regjimi ishte i shtangur edhe nga ideja, edhe nga jehona“.

Pse?

Së pari, sepse u përgënjeshtrua teza  shumëvjeçare e Aleksandër Vuçiqit se opozita është tradhtare dhe se dëshiron ta heqë qafe Kosovën. Thjesht, në tubim mori pjesë e gjithë opozita – e majta dhe e djathta, qytetare dhe kombëtare. Dhe për këtë arsye, fillimisht ndodhi heshtja, dhe pastaj (si) me komandë, në shumë  media u publikua një tekst identik.

Fjala ishte për një shkrim të shkurtër, të panënshkruar, të publikuar në “Informer“, në një version pak më të gjatë në “Večernje Novosti“, shkrime në tabloidin “Alo“ dhe në disa portale të tjera.

Aty në tituj thuhej se “e gjithë opozita hyri në koalicion me Albin Kurtin“, në nëntituj se u takuan me disa serbë antivuçiqistë nga KeM dhe më pas pasonin një ose dy fjali për luftën heroike të Aleksandër Vuçiqit.

Në “Informer” doli edhe një shtojcë. Edhe pse dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, ky tabloid publikoi se PSG e Pavle Gërboviqit hyri në grupin parlamentar në Kuvendin e Serbisë me Partinë e Veprimit Demokratik të Sanxhakut (SDA) të Sulejman Uglaninit dhe Partinë për Veprim Demokratik (PDD) që drejtohet nga Shaip Kamberi. Përfundimisht u paraqit edhe një “provë” – një incizim pa zë në të cilin dëgjohet muzika për Vallen e Shotës, ndërsa zëvendësohen fotot e liderëve opozitarë, si dhe dokumenti nga themelimi i grupit parlamentar. Me fjalë të tjera: për takimin nuk u tha ama asgjë.
“Tubimi dëshmoi se Vuçiqi e humbi tapinë mbi problematikën kosovare si një fushë ekskluzive dhe e ndaluar politikisht“,- konsideron Vukadinoviq. “Dhe kjo nuk mund të fshihet me atë ‘kapni hajdutin’ dhe me heshtje“.  Ai mendon se pushteti nuk do të ndalet në këto reagime të para.

“Shpresoj se në veprimet e ditëve të ardhshme Kosova do të bëhet, si nxjerrja e litiumit, një nga pikat kryesore të veprimit dhe tubimit të opozitës,” – shton Vukadinoviq.

I pyetur se si u bë “personazhi kryesor” në raportimin tabloid nga tubimi, Pavle Gërboviq thotë:

“Propaganda e regjimit nuk do të ndikojë në perceptimin tonë të nevojave të kësaj shoqërie. Krijimi i grupit parlamentar me përfaqësues të pakicave në Serbi nuk guxon fare të jetë çështje për një opsion qytetar”.

Ai përmend se megjithëse paraqitjet e përfaqësuesve të pushtetit dhe mediave të tij mund të duken shoviniste, nuk është fjala për këtë: “E vetmja pyetje është – a përshtatet dikush në modelin e tyre të biznesit apo jo. Ata nuk kanë problem që me listën shqiptare të mbajnë shumicën në Bujanoc, të mbajnë lidhje të mira me kryeministrin shqiptar Edi Rama, megjithëse dihet qëndrimi i tij për Kosovën,  kultivojnë marrëdhënie shumë të mira biznesi, private dhe politike me ata përfaqësues të boshnjakëve që përshtaten në atë modelin e biznesit të tyre. Nëse nuk përshtaten, të gjithë bëhen armiq, pavarësisht nëse janë boshnjakë, serbë, shqiptarë…”

E ndërkohë…

Dhe, ndërsa Beogradi për momentin hesht, Lista Serbe, e cila është gjithnjë e heshtur, u bë e gjallë në lidhje me tubimin dhe këtë e bëri në mënyrën e njohur, duke përzier shtetëroren dhe partiaken deri në humbjen e kufijve:

“Ndërsa Sholak, jarani i tij Gjilas dhe Albin Kurti bëjnë gjithçka që serbët në Kosovë të jenë më pak, Lista Serbe, me mbështetjen e plotë të presidentit Aleksandar Vuçiq, të Qeverisë së Serbisë dhe Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, ka arritur të sigurojë qindra vende pune, si dhe paketën më të re të ndihmës financiare për 5000 të papunët, të gjithë fëmijët në kopshte, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, që janë më shumë se 23.000 persona që do të kenë mbështetje shtesë nga shteti i tyre, Serbia”.

Ndërkohë, Albin Kurti nuk është marrë me këtë, por gjithashtu në mënyrën e njohur ka deklaruar se kritikat e bashkësisë ndërkombëtare për trajtimin e Qeverisë kosovare ndaj komunitetit serb janë të tepruara, ndërsa veprimet e Prishtinës i ka karakterizuar si hapa të domosdoshëm për integrimin e zonave me shumicë serbe në sistemin juridik dhe financiar të Kosovës, si dhe ka njoftuar zgjedhjet në komunat në Veri vetëm për vjeshtën e vitit 2025.

Prapëseprapë, në prag të jubileut – dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit dhe takimit të CEFTA-s – Kurti u detyrua, nën presionin gjerman, të heqë ndalimin e mallrave nga Serbia – tani për tani vetëm në vendkalimin Merdar, ku është vendosur një skaner i veçantë për kontroll të detajuar. Rrjedhimisht, ndalesa u vendos në qershor të vitit 2023, kur organet serbe arrestuan tre policë kosovarë – disa thonë në rrethin e Rashkës, të tjerë në territorin e Veriu të Kosovës. Ndonëse ata të tre u liruan pas më pak se dy javësh, ndalesa mbeti në fuqi.

Ndërkohë, Kurti vazhdon të pretendojë se të gjitha masat që po zbaton janë shtetërore dhe të sigurisë. Në oborrin e tij përsërit se si serbët i ka sjellë në rregull, ndërsa jashtë kërkon kthimin e zonës së sigurisë tokësore prej pesë kilometrash midis Serbisë dhe Kosovës për shkak të pretendimeve për kërcënime me ushtri dhe artileri.

Kurtin dhe Kosovën i presin zgjedhjet në shkurt të vitit 2025, që do të thotë se – pasi rezultatet e tij ekonomike janë të dobëta, kurse pozita në bashkësinë ndërkombëtare edhe më e dobët – pikët do t’i mbledhë, si dhe deri tani në politikën e ashpër ndaj komunitetit serb. Vuçiqi tashmë ka treguar se si sillet ndaj serbëve në Kosovë.

Çfarë mbetet? Disa njerëz të askujt me mundësi të vogla dhe një zë autentik që dëshirojnë një jetë me dinjitet dhe disa të tjerë që do të duhet t’i mbështesin.

(Shkrimi është marrë nga: vreme.rs/Përktheu: kdp.mk)