OpEd

A po bëhet gati MPJ-ja për hapjen e ambasadës në Jerusalem?

Tani, pasi që bota mori frymë me fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidenciale amerikane, menjëherë u panë reagimet pozitive dhe negative të shtetarëve në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme, ku pritet të ndiqet një qasja e re që ka të bëjë me disa regjime “të lazdruara” antidemokratike, si dhe me zgjedhjen e disa problemeve rajonale, sikurse midis Kosovës e Serbisë, sikurse midis izraelitëve e palestinezëve. Kuptohet, fitorja e Bidenit është një plus i madh për Kosovën në këto ditë kritike, pasi që krerët e UÇK-së paraqiten në Hagë me akuza për krime të luftës, sepse qëndrimi i Bidenit për “pavarësinë e pakthyeshme” të Kosovës është një garanci për të ardhmen. Nga ana tjetër, Bideni mbajti gjithnjë qëndrimin për zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit në bazë të parimit “dy shtete” për dy popujt.

Me qasjen e Trumpit ndaj “konfliktit 400-vjeçar” midis Kosovës e Serbisë, në “Marrëveshjen historike” kishte më pak zgjedhje politike e më shumë “zotime” për Mini-Shengenin ballkanik, si dhe qëndrime të tjera që i shërbenin fushatës zgjedhore të Trumpit, sikurse vendosja e ambasadave të Kosovës dhe të Serbisë në Jerusalem. Siç dihet, Trumpi kishte premtuar në fushatën e tij më 2016 për transferimin e Ambasadës Amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe e zbatoi atë premtim më 2018, përkundër vendimeve të Kombeve të Bashkuara që nuk e njohin “Jerusalemin e unisuar” (pra me Jerusalemin e vjetër ose lindor) si kryeqytet të Izraelit. Kështu, gjatë mandatit të tij, Trumpi arriti të joshte edhe dy shtete – Guatemalën dhe Paraguain – t’i transferojnë ambasadat e tyre në Jerusalem, kurse Paraguai e ktheu përsëri ambasadën e vet në Tel Aviv para tre muajsh.

Kuptohet, jo rastësisht, Trumpi e prezantoi Kosovën me këtë rast si “shtet mysliman”, përkatësisht “shteti i parë mysliman që do ta hapë ambasadën e vet në Jerusalem”, me shpresë që t’ua hapë rrugën vendeve të tjera myslimane. Mirëpo, çështja e Jerusalemit, si në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, ashtu edhe në aspektin sentimental të shteteve myslimane në botë, nuk është e lehtë. Ndaj, u shprehën rezerva, si nga Bashkimi Evropian, si nga shtetet myslimane për këtë “zotim” të Kosovës dhe të Serbisë në lidhje me hapjen e ambasadave të tyre në Jerusalem.

Sa për Serbinë, që kishte shumë përfitime prej asaj “Marrëveshjeje historike”, ajo nuk paraqet ndonjë ngarkesë sikurse për Kosovën. Megjithatë, Serbia nuk kaloi lehtë, sepse në paraqitjet për shtyp dhe në kanalet diplomatike ka kritika që kanë peshë, pasi Serbia ka ruajtur interesat e saj në “botën e tretë” me maskën e mosinkuadrimit (ende është anëtare vëzhguese në Organizatën e vendeve të painkuadruara) për shkak të bllokimit të njohjes së Republikës së Kosovës. Në saje të kritikave të ndryshme, Beogradi gjeti një zgjedhje sipas një burimi zyrtar që u citua në mediat arabe: Beogradi nuk do ta transferojë ambasadën e vet në Jerusalem, nëse Izraeli e njeh Republikën e Kosovës. E pasi që Izraeli pritet ta njohë Republikën e Kosovës së shpejti, Beogradi nuk do ta transferojë më ambasadën e vet në Jerusalem, e sidomos tani pasi që Trumpi nuk do të jetë më president.

Por, çka për Kosovën?

Padyshim, vendimi i qeverisë izraelite për njohjen e Republikës së Kosovës ishte hap i guximshëm (në saje të interesave të shumta që i ka me Serbinë), që u prit me entuziazëm të madh në Kosovë për dy arsye. Izraeli nuk është çfarëdo shteti në Lindjen e Mesme, por një shtet që peshon shumë në botë me zhvillimin që arriti për disa dekada në aspektin ekonomik, shkencor, teknologjik, ushtarak e diplomatik. Nga ana tjetër, kjo njohje e vlershme nga Izraeli erdhi në një moment dështimi në Kosovë si pasojë e çnjohjeve që lidhen me aktivizimin e Serbisë në “botën e tretë”. Është e vërtetë se Serbia tani u zotua të “ngrijë” fushatën e vet për tërheqjen e njohjeve të Republikës së Kosovës vetëm për një vit, por tani Serbia nuk ka nevojë të aktivizohet në këtë fushë, pasi deklaroi se nuk do të transferojë ambasadën e vet në Jerusalem, sepse hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem e bën të veten.

Nuk di nëse ministrja jonë e Punëve të Jashtme, ose ekipi i vet profesional, janë në dijeni për atë se çka ndodhi në shtator-nëntor 2018, e cila ishte arsyeja e vërtetë për dështimin tonë në pranimin e Kosovës në INTERPOL, në konferencën e radhës që u mbajt në nëntor 2018 në Dubai. Pyetja është e arsyeshme, sepse çka ndodhi atëherë nuk doli fare në shtyp dhe mbeti e panjohur gjer më tani, ndaj është mirë të merret parasysh.

Në shtator 2018, ish-presidenti Hashim Thaçi deklaroi në një intervistë në një medium të Shqipërisë se “nëse Izraeli e njeh Republikën e Kosovës, ne jemi gati ta hapim ambasadën në Jerusalem”. Kjo deklaratë koincidoi me mbledhjen e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku nxiti reagime të stuhishme në mesin e ministrave të Punëve të Jashtme, e ambasadorëve që ishin atje. Një ambasador i pranishëm atje më tregoi se vetë ambasadori izraelit ishte në siklet për atë deklaratë, duke thënë se “ç’i duhej tani Thaçit me këtë deklaratë?”, e mos të flasim për ministra arabë e myslimanë. Në saje të reagimeve u detyrua ministri i jashtëm i atëhershëm, Behgjet Pacolli, t’ua drejtojë ministrave të Jashtëm të vendeve arabe e myslimane një “sqarim” në lidhje me atë deklaratë të presidentit të atëhershëm.

Mirëpo, ai “sqarim” nuk kishte efekt, pasi që intervista ishte botuar me kohë dhe nuk ishte përgënjeshtruar ndonjë fragment i saj. Për fat të keq, kjo ndodhi në prag të konferencës së INTERPOL-it, që u mbajt në nëntor 2018 në Dubai, ku Kosova ishte e sigurt për pranimin e saj pas shumë përgatitjeve, saqë ministri Pacolli në krye të delegacionit të madh të Kosovës ishte tejet i sigurt për pranimin e Kosovës, duke caktuar edhe orën kur do të shpallet vendimi për pranimin e Kosovës. Mirëpo, votimi solli befasi sepse shumë vende arabe e myslimane që ishin zotuar ta votonin Kosovën u tërhoqën pas asaj rrëmuje që ndodhi si pasojë e asaj deklarate të Thaçit.

Tani kjo çështje vlen më shumë për momentin e rëndë në Kosovë, kur ka më shumë nevojë për unitet politik, pra për momentin kur qeveria e tashme e humbi “votën e artë” me burgosjen e autorit të asaj vote. Megjithatë, Koha Ditore vëren me të drejtë para disa ditëve (31.10.2020) se as Presidenca, e as MPJ-ja nuk deklarohen fare, por janë duke punuar “në diskrecion të plotë” për “procesin e finalizimit e vendosjes së marrëdhënieve midis Kosovës e Izraelit”, përkatësisht për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Krejt çka u tha më vonë është se një delegacion i MPJ-së do të shkojë në Izrael gjatë këtij muaji për t’i finalizuar detajet e njohjes reciproke.

Pasi që Serbia gjeti pretekst për mostransferimin e ambasadës së vet në Jerusalem, të shohim tani ç’pasoja do të kemi nëse vazhdojmë me “zotimin” që e nënshkroi kryeministri Avdullah Hoti në emër të Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem, që do të reklamohet si “ambasada e parë e një vendi mysliman në botë”, ose si “ambasada e parë e ndonjë vendi evropian”, pasi që as Bashkimi Evropian dhe as Vatikani nuk e njohin Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

(Autori është historian kosovar, profesor shumëvjeçar (1989-2018) i historisë së Lindjes së Mesme në Jordani, tani kryeredaktor i revistës “Studime orientale” në Prishtinë)