OpEd

A mund të jenë gazetarët aktivistë?

Gazetarët dhe avokuesit – krahas kolumnistëve dhe freelancerëve si Linekeri – duhet të jenë objektivë, që do të thotë se duhet të përpiqen për saktësi. Por mbështetja e një kauze dhe ndërtimi i një komuniteti në emër të saj nuk janë e njëjta gjë me “anësinë”. Për më tepër, kur mbrojtja e fjalës së lirë dhe e shtypit vihet në sulm të pamëshirshëm nga autokratët, virtyti i paanshmërisë mund të shndërrohet në ves

A duhet që gazetarët ta thonë dhe ta shkruajnë atë që e mendojnë? Polemikat e kohëve të fundit u dhanë urgjencë të re pyetjeve të vjetra mbi etikën profesionale të gazetarëve dhe rolin e tyre politik në demokraci.

Një padi ekzistuese për shpifje shpërfaqi se si - dhe sa shpesh – spikerët e Fox News i gënjejnë shikuesit në lidhje me pretendimet se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA ishin “vjedhur”. BBC-ja e suspendoi ish-sulmuesin e futbollit, Gary Lineker, për postimet e tij në Twitter, që i kritikonin politikat e Qeverisë britanike për refugjatët, që u pretendua se përbënin shkelje të angazhimit tradicional të transmetuesit për paanshmëri. Ndërkaq gazetarët gjetkë po debatojnë nëse marrja e një pozicioni politik e kalon vijën e rrezikshme ndarëse drejt “aktivizmit”.

Megjithëkëtë, dallimi konvencional midis “gazetarit” dhe “aktivistit” është i konceptuar keq, ngase kurrë nuk ka pasur ndonjë gjë pasive për rolin e gazetarëve. Në kohën kur autokratët po konsolidojnë pushtet duke i sulmuar “mediat” (ose duke i mohuar të gjitha raportimet kritike si “lajme të rreme”), ata që refuzojnë të ngrenë zë kundruall sjelljeve të tilla po e tolerojnë në mënyrë efektive autoritarizmin në rritje. Nuk ka asgjë neutrale në heshtjen e tyre.

Siç aluduan me të drejtë shumë kritikë të medias, praktika tradicionale e riprodhimit mekanik të “të dyja anëve” të një mospajtimi politik shpesh e shtrembëron realitetin. Kësisoj, titull i ballinës i vitit 2014 në “The Atlantic” paralajmëroi: “Po, polarizimi është asimetrik - dhe konservatorët janë më keq”. Që atëherë, Partia Republikane është bërë plotësisht e trumpifikuar dhe është kthyer kundër vetë demokracisë. Portretizimi i një situate të këtillë asimetrike si simetrike e krijon pamjen e objektivitetit tradicional gazetaresk në kurriz të së vërtetës.

Sipas kritikut të medias, Jay Rosen, kjo qasje e “të dyja anëve” është e nxitur jo aq fort nga një etikë profesionale e objektivitetit sa nga përpjekja parandaluese e një gazetari për t’i shmangur akuzat për “anshmëri”. Kjo ka të bëjë më shumë për “kërkimin e strehës” sesa “kërkimin e së vërtetës”, mbuluar nga një lustër e neutralitetit të panjollë.

Në anën tjetër, një gazetar që bëhet anëtar i vetëquajtur “i rezistencës” demokratike mund ta humbë besueshmërinë po qe se një rezistencë e tillë përkthehet në një pozicion të veçantë për çështjet si madhësia e duhur e përfitimeve të papunësisë, të cilat, ndonëse të rëndësishme, vështirë se janë në thelb pjesë të demokracisë. Meqenëse demokracitë do të kenë gjithmonë një mori mosmarrëveshjesh legjitime për të vëzhguar, investimi i çdo historie me një agjendë – qoftë progresive apo konservatore – bën më shumë sesa të çojë drejt raportimit të shtrembëruar. E nënkupton njashtu përbuzjen e bashkëqytetarëve të dikujt, të cilëve me sa duket nuk mund t’u besohet që të vendosin vetë. Nuk mungojnë dorëshkrimet për rënien e “besimit në media” të publikut, porse kjo marrëdhënie shkon në të dyja drejtimet.

Në vend të përkufizimit të çështjes si “gazetaria kundruall aktivizmit”, një dallim më i dobishëm është ai midis raportimit dhe avokimit (që nuk është i njëjtë me “gazetarinë e opinionit” të ofruar nga figura që komentojnë në mënyrë rutinore për të gjitha llojet e çështjeve). Të dyja praktikat duhet të mbështeten në fakte dhe të dyja i kërkojnë audiencës së tyre të mbajnë një mendje të hapur. Ndërsa theksi kryesor i gazetarëve është tek informimi, avokuesit përqendrohen te reformimi; por ky synim nuk ka përse t'i pengojë ata që të bëjnë punë hulumtuese – përkundrazi, është shpesh ajo që i jep forcë një pune të këtillë.

Kritikët e avokimit e portretizojnë këtë si alternativë ndaj raportimit besnik të fakteve pa anim. Por një avokues i mirë pa dyshim se do të ndjekë atë që Carl Bernsteini e quajti në mënyrë të famshme “versioni më i mirë i arritshëm i së vërtetës”. Mjafton vetëm të shikohet Ida B. Wellsi, e cila vazhdimisht e rrezikoi jetën e saj për të raportuar me përpikëri për linçimin në Jugun Amerikan. Raportimi i kujdesshëm dhe i saktë ishte vetë baza për fushatës së saj, e jo disi e kundërta e saj.

Ajo që e dallon avokimin nga raportimi është se ajo shkon përtej paraqitjes së fakteve, me anë të ndërtimit të një komunitet të ndjekësve. Mbajtja e komunikimit të vazhdueshëm për dhe rreth një kauze ka qenë përherë mënyra më e mirë për krijimin dhe mobilizimin e mbështetjes për të. Për aq kohë sa procesi është i hapur, nuk ka nevojë që të ketë ndonjë përplasje me etikën profesionale.

Thelbi i skandalit të Fox Newsit nuk është se tregoi që Foxi ishte haptazi i anshëm; është se “yjet” dhe producentët e rrjetit e dinin se pretendimet për zgjedhje “të vjedhura” ishin të rreme dhe zgjodhën t’i përforconin ato gjithsesi. Rejtingjet dhe përfitimet erdhën përpara fakteve.

Kjo renditje e prioriteteve u manifestua në kulmin e pandemisë COVID-19: përderisa personalitetet e ekranit të Foxit po brohoritnin për “liri” dhe për “hapje të ekonomisë”, zyrat e Foxit mbetën të mbyllura ndërsa punonjësve të saj iu kërkua që të punonin nga shtëpia.

Organizatat profesionale të lajmeve (një kategori kjo që qartazi nuk e përfshin Foxin) mund të kenë edhe avokues e edhe gazetarë. Ajo çfarë ka rëndësi është se audienca e një organizate të lajmeve mund të vlerësojë se për çfarë bëhet fjalë – se si i bën përzgjedhjet redaktuese dhe se si fiton para. Këto kritere mund të përmbushen më lehtë nëse organizatat e mediave kanë redaktorë publikë, të cilët angazhohen seriozisht me shqetësimet e audiencës, duke e rritur kësisoj besueshmërinë.

Sa për të qenë të sigurt, siç vëren Pippa Norris nga Universiteti i Harvardit, besimi nuk është një e mirë në vetvete. Shumë njerëz u besuan shakave online dhe mohuesve të COVID-it gjatë pandemisë, teksa disa njerëz janë ende në kërkim të medikamente dukshëm joadekuate, si Ivermectin, ngase Donald Trumpi dhe Jair Bolsonaro i mbështetën ato si “kura”. Ajo që demokracisë i nevojitet nga qytetarët është gjëja që Norrisi e quan besim skeptik, i bazuar në prova të kompetencës dhe integritetit të institucioneve, e jo një mosbesim cinik apo lehtëbesim.

Nëpërmjet angazhimit me audiencat dhe duke qenë transparente për sa i përket avokimit dhe raportimit, organizatat mediale mund ta rrisin besimin, duke e dëshmuar besueshmërinë e tyre. Gazetarët dhe avokuesit – krahas kolumnistëve dhe freelancerëve si Linekeri – duhet të jenë objektivë, që do të thotë se duhet të përpiqen për saktësi. Por mbështetja e një kauze dhe ndërtimi i një komuniteti në emër të saj nuk janë e njëjta gjë me “anësinë”. Për më tepër, kur mbrojtja e fjalës së lirë dhe e shtypit vihet në sulm të pamëshirshëm nga autokratët, virtyti i paanshmërisë mund të shndërrohet në ves.

(Jan-Werner Mueller, profesor i politikës në Universitetin Princeton, është autori i librit “Democracy Rules”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).