Në cilindo rast, një lëvizje e gjatë protestuese e prirë nga Navalny, ngjashëm me atë në Bjellorusi, nuk ka gjasa që të jetësohet në Rusinë e së sotmes. Putini mund edhe ta humbë pushtetin një ditë. Por nëse e humb, do ta bëjë këtë me një “a la russe”. Rusët mund të pajtohen në heshtje pasive me pushtetin absolut dhe më pas t’ia kthejnë përnjëherë shpinën një lideri, i cili deri dje ishte figurë zoti. Rusia nuk njeh kompromise – mu sikurse Navalny
Vala më e madhe e protestave në vitet e fundit ka mbërthyer Rusinë, duke e ndjellë shpresën se presioni popullor do të vazhdojë dhe të intensifikohet, për ta gërryer gradualisht regjimin autokratik, siç ndodh në Bjellorusinë fqinje. Por duhet të jemi të vëmendshëm për dy ngjashmëritë e shpërfaqura të këtyre dy vendeve – të cilat përfshijnë historinë dhe gjuhën, besimin dhe represionin – në mënyrë që të arrijmë t’i kuptojmë dallimet e theksuara.
Në Bjellorusi protestat shpërthyen në gusht të 2020-s, pasi presidenti Aleksandr Lukshenko – lideri më jetëgjatë në Evropë – i manipuloi edhe një palë zgjedhje, duke e mposhtur rivalen e tij, Svetlana Tikhanovskaya, gjoja në mënyrë historike. Në Rusi kashta që e ndezi zjarrin ishte arrestimi i liderit opozitar Alexei Navalny menjëherë pas kthimit të tij në Rusi, nga shërimi në Gjermani prej pothuajse sigurt helmimit të urdhëruar nga Kremlini. Protestat u fuqizuan pasi që Navalny u dënua ngutshëm me afro tre vjet e gjysmë burgim.
Por këtu përfundon puna me ngjashmëritë. Për ata që nuk e dinë, Navalny nuk është as përafërsisht popullor në Rusi sa besojnë vëzhguesit e jashtëm. Mediat perëndimore kanë raportuar mbi mbërritjen e Navalnyt në Moskë me po të njëjtin ngazëllim që mbizotëroi edhe kur laureati rus i “Nobelit”, Aleksandr Solzhenitsyn, u kthye në vendlindjen e tij 27 vjet më parë. Mes rusëve, megjithatë, mbështetja për Navalnyn sillet në vetëm 5 për qind, sipas “Levada Center”, e vetmja agjenci kjo e pavarur e matjes së opinionit publik në Rusi.
Në anën tjetër, mbështetja për presidentin Vladimir Putin është 29 për qind (39 për qind do të votonin për Putinin në zgjedhjet presidenciale, ndërsa vetëm 2 për qind për Navalnyn). Derisa kjo shifër është më e ulëta ndonjëherë për Putinin, dallimi zor se mund të injorohet. Krejt kjo mund t’i ketë rrënjët tek perceptimi i rusëve të thjeshtë se pallatet janë më presidenciale sesa burgjet.
Siç analisti i pavarur, Alexei Levinson, kishte thënë për “Moscow Timws”, “në Rusi të qenët në pushtet automatikisht përkthehet në besim dhe legjitimitet”.
Për dallim prej pritshmërive të Perëndimit, mbështetja për Navalnyn ka mbetur praktikisht e pandryshuar që prej shtatorit. Pas protestave dhe dënimit, mospëlqimi për Navalnyn është rritur në 56 për qind (krahasuar me 50 për qind sa ishte në shtator). Natyrisht, nën regjimet autoritare, populli mund të jetë tejet i frikësuar që të përgjigjet sinqerisht edhe për sondazhet metodologjikisht të sakta. Por jo në Bjellorusi.
Në një sondazh të porositur nga “Chatham House”, vetëm 18.6 për qind e bjellorusëve kanë pranuar se kishin votuar për Lukashenkon në zgjedhjet presidenciale të gushtit të shkuar, krahasuar me mbi 50 për qind për Tikhanovskayan.
Kjo mund të shpjegojë pse protestat në Rusi kanë qenë më të vogla sesa në Bjellorusi.
Demonstrata më e madhe e Rusisë, në Moskë, ka tërhequr rreth 40.000 persona. Protesta më e madhe në Minsk – që ka vetëm sa një të gjashtën e popullatës së Moskës – ka tërhequr gjysmë milioni qytetarë, dhe çdo javë për dhjetë javë radhazi, mes 100.000 deri në 200.000 persona vërshuan rrugët, me gjithë represionin brutal.
Bjellorusët e vazhduan protestën deri në këtë ditë. Tekefundit, bjellorusët e kanë një lëvizje masive opozitare pa një lider derisa Rusia e ka një lider opozitar pa lëvizje masive.
Për më tepër, Navalny po lufton për diçka shumë specifike: korrupsionin. Putini është rreshtuar si një lloj polici që i nënshtron oligarkët dhe që kapitalizon nga kujtimi për anarkinë e viteve ‘90. Në fakt, ai ka qenë me banditët dhe vazhdon të mbetet një lloj “de facto” plaçkitësi i Rusisë.
I vendosur që ta ekspozojë këtë realitet, Navalny ka publikuar së fundi një video virale që shpërfaq pamjen e pallatit superluksoz në brigjet e Detit të Zi, për të cilën ai pretendon t’i përket Putinit.
Por derisa Rusia është ranguar e 137-a në Indeksin e “Transparency International” për Perceptimin e Korrupsionit më 2019 (duke u renditur në pozitë të njëjtë me Liberinë, Paraguain dhe Papua Guinenë e Re), Bjellorusia u rangua e 66-a, menjëherë pas Sllovakisë dhe përpara Hungarisë, Bullgarisë dhe Rumanisë – që të gjitha vende anëtare të Bashkimit Evropian. Dhe Bjellorusia njihet pak për mënyrën e “meta-korrupsionit” – që është, privatizimi. Në Bjellorusi kompanitë më të mëdha mbesin në pronësi të shtetit – një fakt ky që i pëlqen Kremlinit të etur për ta zgjeruar fushën aktuale të oligarkëve.
Me kaq shumë meta-korrupsion, Bjellorusia nuk ka vërtet nevojë për një Navalny. Në vend të kësaj, ajo ka nevojë për Tikhanovskayan, e cila, si një përkthyese e dikurshme e anglishtes, është sikurse çdo bjellorus tjetër i thjeshtë: e shtypur prej një sistemi totalitar. Tikhanovskaya, sipas fjalëve të Vaclav Havelit të ndjerë, është “një person i vetëm, qartazi i papushtetshëm që guxon të shqiptojë fjalë të së vërtetës”. Kësisoj, ajo është rivalja që Lukashenkos i duhet.
E Navalny është rivali që Putinit i duhet. Por, në rast se dëshiron që ta gjenerojë popullaritetin çfarë Tikhanovskaya gëzon në Bjellorusi, atëherë ai duhet që po ashtu ta përmbushë një tjetër kërkesë të votuesve rusë: nacionalizmin.
Mbi të gjitha, në Rusi, ndjenja nacionaliste është ndër më të fuqishmet në Evropë. (Në Bjellorusi është më e dobëta).
Navalny shpeshherë ka shprehur qëndrime që janë popullore mes nacionalistëve rusë. Për shembull, më 2014-n ai tha: “Nuk e shoh kurrfarë ndryshimi midis rusëve dhe ukrainasve”. Dhe, me gjithë pranimin se aneksimi i Krimesë përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ai tha: “Është realitet se Krimeja është tani pjesë e Rusisë” dhe shtoi: “Krimeja është e jona”.
Ç’është e vërteta, nacionalizmi i Navalnyt disi është përhumbur në territorin e së djathtës ekstreme. Për shembull, ai ka argumentuar se çështja e imigracionit ilegal është “100 herë më e rëndësishme” se çfarëdo tjetër që ndodh në Ukrainë dhe ka bërë thirrje për zbatimin e regjimit të vizave për punëtorët imigrantë nga shtetet sovjetike, si Uzbekistani.
Navalny ka mbështetur gjithashtu një fushatë nacionaliste të quajtur “Stop ikjes nga Kaukazi”, e cila synon që t’u japë fund subvencioneve federale për qeveritë në Çeçeni dhe në republikat e Kaukazit Verior. Dhe, më 2011 ai mori pjesë në “Marshin rus” nacionalist, sloganet e të cilit përfshinin “Rusia për rusët” dhe “Fund okupimit – liri kombit rus!”.
Mirëpo në realitet, Navalny nuk është aq nacionalist sa është politikan. Në librin e tij të 2016-s “Opposing Forces: Plotting the New Russia”, të shkruar bashkë me disidentin polak, Adam Michnik, ai shpjegon se si iu puthitën rrugët me të djathtën ekstreme ngase “ata e mbështesnin idenë se gjithçka duhet ta ketë një zgjidhje” dhe “ngriheshin për reformë në gjyqësor dhe pavarësi në media”. Po, “deklarimet e tyre shpeshherë janë tmerruese”, ka cekur ai, por “prapëseprapë besoj se kemi nevojë që të kemi dialog me ta”.
Në cilindo rast, një lëvizje e gjatë protestuese e prirë nga Navalny, ngjashëm me atë në Bjellorusi, nuk ka gjasa që të jetësohet në Rusinë e së sotmes. Putini mund edhe ta humbë pushtetin një ditë. Por nëse e humbë, do ta bëjë këtë me një “a la russe”.
Rusët mund të pajtohen në heshtje pasive me pushtetin absolut dhe më pas t’ia kthejnë përnjëherë shpinën një lideri, i cili deri dje ishte figurë zoti. Rusia nuk njeh kompromise – mu sikurse Navalny.
(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe anëtar i lartë i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).