OpEd

A e ka dorëzuar Bideni Ukrainën?

Në këto rrethana, një luftë ende mund të shmangej vetëm duke i bërë kostot e Putinit vërtet të padurueshme. Do të duhej të ekzistonte një kërcënim i besueshëm se Perëndimi do të vendoste sanksionet më të ashpra që mund të imagjinohen. Përveç anulimit të Nord Stream 2 dhe largimit të bankave ruse nga SWIFT, këto mund të përfshijnë vendosjen e një embargoje ndaj tregtisë së rëndësishme me Rusinë; armatosja e ukrainasve me armë konvencionale të përshtatshme për kërcënimin rus; sekuestrimi i të gjitha pasurive të oligarkëve rusë jashtë vendit – përfshirë miliardat e shumta që vetë Putini ka vjedhur

Pas një heshtjeje të gjatë misterioze, presidenti amerikan, Joe Biden, ka folur për përqendrimin gjithnjë në rritje të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Ai do të ishte më mirë të heshtte, duke pasur parasysh mesazhin e tij mahnitës dhe të rrezikshëm. Zyrtarëve të NATO-s – dhe ndihmësve të tij – u është dashur të përpiqen të ripërcaktojnë kuptimin e fjalëve të tij.

Kur u pyet në një konferencë për media nëse mendonte se presidenti rus Vladimir Putin do të sulmonte përsëri Ukrainën, Bideni tha: “Mendoj se ai do të lëvizë. Ai duhet të bëjë diçka”. Për më keq, Bideni zbuloi më pas se nuk ka unitet midis anëtarëve të NATO-s se sa i ashpër duhet të jetë kërcënimi me sanksione të reja kundër Rusisë. Gjithçka që Aleanca do të bëjë në përgjigje të një pushtimi të Ukrainës është të vendosë më shumë trupa në Poloni dhe Rumani. Kjo përgjigje është krejtësisht e papërshtatshme për shkallën e krimit që Putini po kërcënon të kryejë.

Në Rusi, Bideni konsiderohet një president i dobët dhe burokratët e Kremlinit e shohin mungesën e tij të lidershipit si një mundësi për veprim. Bideni sapo konfirmoi pikëpamjen e tyre. Rrjedhja e disa trupave të tjera nuk është një politikë; është një alibi. Perëndimi duhet parë se po bën diçka për të ruajtur virtytin e tij moral, ndaj ofroi një gjest simbolik me shpresën për të rifilluar fokusin në shqetësimet e brendshme. Bideni nuk ka thënë as nëse dislokimet në Poloni dhe Rumani do të bëhen një prani e përhershme (aktualisht ato janë me rotacion). Si rezultat, përgjigjja e SHBA-së as do të përmirësojë situatën e Ukrainës dhe as do të përforcojë sigurinë e Polonisë.

Në vend që të ofrojnë ndonjë detaj në lidhje me sanksionet e mundshme, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të aludojnë në mënyrë të fshehtë për një “çmim të shtrenjtë” me të cilin do të përballet Putini nëse fillon pushtimin. Mirëpo, sanksionet janë një pengesë vetëm kur ato janë të pashmangshme dhe konkrete, kur krimineli i mundshëm e di se sa i rëndë është një dënim me të cilin përballet. Falë mospërmbajtjes verbale të Bidenit, është e qartë se dënimi do të jetë i lehtë – dhe ndoshta edhe i pezulluar. Duke pranuar se Putini “duhet të bëjë diçka”, Biden ka ofruar një lloj pëlqimi për veprim. Ai po përgatit publikun në vend që të pengojë agresorin.

Duket se SHBA-ja dhe Gjermania, lojtaret më të forta të Aleancës, po i dërgojnë një sinjal Kremlinit: një pushtim në shkallë të vogël – aso që do të zgjeronte kufijtë e rajonit të Donbasit ose do të krijonte një korridor për në Krime – do të thotë sanksione të kufizuara. Nuk do të ketë braktisje të gazsjellësit Nord Stream 2, asnjë largim të bankave ruse nga sistemi global i kleringut të pagesave SWIFT dhe nuk do të ketë ndryshime të mëdha në lëvizjet e trupave të NATO-s.

Kjo marrëveshje të kujton Marrëveshjen e Munihut të vitit 1938: shpëton paqen duke i lënë vendin pushtuesit. Pse nuk ka unitet në çështjen e sanksioneve? Faji ndoshta qëndron te Gjermania, vendi i Nord Stream 2, i cili lidh Rusinë me Evropën dhe anashkalon Ukrainën dhe Poloninë. Sjellja e Gjermanisë për këtë çështje është bërë gjithnjë e më e turpshme. Qeveria gjermane jo vetëm që ka bllokuar furnizimet me armë për Ukrainën, por gjithashtu refuzon të deklarojë se Nord Stream 2 do të ndalet nëse Ukraina sulmohet përsëri.

Argumenti standard (dhe idiot) për Nord Stream 2 është se ai është thjesht një projekt ekonomik. Mirëpo, askush nuk e beson këtë – madje as ata që e bëjnë atë. Tubacioni jo vetëm që do të heqë fondet nga Ukraina, e cila mbledh tarifat e tranzitit nga Rusia për gazin që kalon aktualisht në territorin e saj. Ai gjithashtu do të anulojë fuqinë e fundit të Ukrainës kundër Putinit: aftësinë e saj për të bllokuar dërgesat e gazit rus, duke penguar Rusinë të përmbushë kontratat e saj me Evropën Perëndimore. Në kohë normale, ukrainasit nuk do ta luanin kurrë këtë kartë, nga frika e reagimit të Perëndimit. Por, tani që po kërcënohen me therje, situata ka ndryshuar.

Një pjesë e problemit është se Partia Socialdemokrate, e cila udhëheq koalicionin e ri të qeverisë gjermane, ka qenë tradicionalisht shumë e nënshtruar ndaj Rusisë. Dhe partnerët e tyre, të Gjelbrit, kanë heshtur papritmas për tubacionin që kur u bashkuan me koalicionin. Një problem tjetër ka qenë pacifizmi i pasluftës i Gjermanisë, i cili përbën një ftesë të hapur për agresorët si Rusia, dhe që tani mund ta ndihmojë Putinin të shmangë çdo pasojë të sulmit ndaj Ukrainës.

Ironia tragjike është se pacifizmi gjerman supozohet të përfaqësojë shlyerjen për Luftën e Dytë Botërore. Si e tillë, politika e jashtme gjermane vazhdon të ndikohet nga falsiteti historik se krimet e vetme të kryera në frontin lindor ishin thjesht nga rusët. Në fakt, të gjitha etnitë në Ushtrinë e Kuqe Sovjetike dhe në mesin e civilëve vuajtën. Numri më i madh ishin ukrainas, jo rusë. Dhe përveç ukrainasve, janë rusët ata që do të paguajnë çmimin më të madh për një luftë të re në Ukrainë. Lufta nënkupton regres të mëtejshëm ekonomik, rënie të standardeve të jetesës, izolim ndërkombëtar dhe shtypje të brendshme.

Në këto rrethana, një luftë ende mund të shmangej vetëm duke i bërë kostot e Putinit vërtet të padurueshme. Do të duhej të ekzistonte një kërcënim i besueshëm se Perëndimi do të vendoste sanksionet më të ashpra që mund të imagjinohen. Përveç anulimit të Nord Stream 2 dhe largimit të bankave ruse nga SWIFT, këto mund të përfshijnë vendosjen e një embargoje ndaj tregtisë së rëndësishme me Rusinë; armatosja e ukrainasve me armë konvencionale të përshtatshme për kërcënimin rus; sekuestrimi i të gjitha pasurive të oligarkëve rusë jashtë vendit – përfshirë miliardat e shumta që vetë Putini ka vjedhur; dhe zgjerimin e pranisë së trupave amerikane në krahun lindor të NATO-s në nivele që nuk janë thjesht simbolike.

Putini ka të ngjarë të mos pengohet nga asgjë më pak – veçanërisht tani që Bideni ka zbuluar dorën e tij të dobët. SHBA-ja mund të ketë arritur në përfundimin se një pushtim rus është i pashmangshëm, por Ukraina nuk do të heqë dorë, sepse nuk mund të lejojë asnjë humbje të mëtejshme të sovranitetit. Një përgjigje e plotë do t’i kushtonte financiarisht Perëndimit, por Rusisë do t’i kushtonte shumë, shumë më tepër. Fatkeqësisht, tani ka shumë indikacione se Bideni dhe Perëndimi do ta braktisin Ukrainën për fatin e saj.

(Sławomir Sierakowski, themeluesi i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)