OpEd

A duhet të vdesë dikush?

KFOR-i dje doli me një deklaratë në të cilën thuhet se “nuk mund ta përcaktojnë me siguri se ku ka ndodhur arrestimi”. Pra, thuhet “arrestimi” dhe me këtë mbyllet rasti: sepse po të pranohej se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, atëherë kjo do të thoshte se KFOR-i ka dështuar për ta siguruar territorin. Njëkohësisht, do të thoshte se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës. E shkelja e Marrëveshjes së Kumanovës do të duhej të nënkuptonte edhe sanksione për Serbinë. Por, kush nuk i përmend sanksionet për Serbinë, por vetëm për Kosovën

E premtja përfundoi me 9 gazetarë të lënduar, një me krah të thyer, me bile nja katër telefona personalë të gazetarëve të vjedhur dhe një dhunë të shfrenuar të “popullit të pafajshëm, të paarmatosur dhe të pambrojtur serb” në Leposaviq, para së cilës ushtarët e KFOR-it, mbase, vetëm i rrudhën krahët.

Pra, një polici speciale e ngujuar në një ndërtesë administrative, plot ushtarë të kontingjentit hungarez të KFOR-it para po kësaj ndërtese, dikush prej dritareve e dikush nga rruga, shikonin se si hidheshin shok-bombat dhe gurët ndaj gazetareve dhe gazetarëve e kameramanëve. Shikonin se si kapadainjtë i suleshin një kameramani që nuk e lëshonte kamerën, “armën” e tij të vetme, nga dora, pavarësisht se shqelmohej e goditej derisa ishte në tokë. Asnjë reagim i vetëm. Asnjë.

A duhet vdekur dikush për të pasur reagim?

Fatmirësisht që ishin kamerat aty për ta regjistruar praninë e tyre inerte: tash bile nuk mund të thonë “nuk kemi qenë aty”.

Reagimi i parë kundër kësaj dhunë u shfaq katër orë më vonë nga Ambasada amerikane. Në një postim në Twitter thuhet: “Dënojmë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, përfshirë të sotmet. Ritheksojmë thirrjen që mediave duhet t’u mundësohet puna e lirë, pa dhunë e frikë”. Por, edhe kësaj radhe u shmang identifikimi i sulmuesve, i cili megjithatë ka qenë shumë i qartë: nëse s’kanë qenë të njëjtët, atëherë kanë qenë të ngjashëm me ata që i kishin plagosur 30 ushtarë të KFOR-it para dy javësh.

Përderisa sulmi ndaj KFOR-it ka qenë tregim i muskujve, sulmi ndaj gazetarëve, pos që ka qenë sulm ndaj fjalës së lirë, ka qenë edhe sulm shovinist i mbështetur në urrejtjen ndaj atyre “që e flasin gjuhën e atij tjetrit”. Relativizimi i faktit se kush janë sulmuesit nuk e bën vuajtjen e pësuar më të vogël. Përkundrazi.

* * *

Që nga nisja e trazirave në veri, gjuha së cilës i qasen diplomatët për ta përshkruar situatën është dukshëm e kthyer kundër Kurtit dhe Qeverisë, përderisa nga ana tjetër, ka një përmbajtje absolutisht të pabesueshme ndaj Serbisë dhe Vuçiqit. Edhe kur po shihet se dhunën po e shkaktojnë protestuesit, apo ata që shtiren si protestues, serbë.

Është shumë vështirë për të kapërdirë se pas plagosjes dhe lëndimit të më së paku 30 ushtarëve të KFOR-it, shumica italianë e hungarezë, të mos ketë pasur reagim të ashpër sa duhet dhe madje masa të menjëhershme hetimi që do t’i identifikonin sulmuesit që përdorën edhe armë zjarri për t’i sulmuar ata. U kalua nëpër turpërimin e KFOR-it, thuajse asgjë nuk kishte ndodhur. Aq sa disa ditë më vonë, në shenjë të paqes, u organizuan gara “kush o ma i forti” në ngrehje të konopit me “protestuesit” serbë në po të njëjtin vend.

Nuk e di se çfarë do të kishte qenë veprimi i KFOR-it dhe i komandës së saj, po qe se sulmin do ta kishin shkaktuar shqiptarët. Jam thuajse e sigurt se ana politike do të reagonte menjëherë duke thënë se “kosovarët shqiptarë duhen t’i ndalojnë veprimet e dhunshme, të cilat i dënojmë me gjithë fuqinë”.

Ky avaz vazhdoi edhe me rastin e kidnapimit të tre policëve nga njësitet speciale të policisë së Serbisë. Autoritetet e Kosovës insistojnë se serbët hynë brenda në territorin e Kosovës dhe i rrëmbyen këta tre, që janë policë kufitarë dhe në moshë pak më të avancuar krahasuar me kolegët e tyre të tjerë në njësitet speciale. Madje thuhej se një nga ta është afër pensionimit.

Nga fotografitë dhe xhirimet që i pamë (të bëra nga policia serbe), shihej se këta policë nuk e kishin konstruktin e pjesëtarëve të policisë speciale, pra vështirë që besohej se do të ishin nisur të bënin ndonjë diversion. E edhe nëse janë nisur, gjasat janë se atë diversion do të mund ta bënin kundër ndonjë arushe, duke e pasur parasysh konfiguracionin e terrenit.

KFOR-i e ka në mandat sigurimin e territorit. Por atë ditë nuk u bë i gjallë. Nuk u bë as të nesërmen deri vonë pasdite, për të thënë se KFOR-i nuk ka qenë andej atë ditë.

KFOR-i dje doli me një deklaratë në të cilën thuhet se “nuk mund ta përcaktojnë me siguri se ku ka ndodhur arrestimi”. Pra, thuhet “arrestimi” dhe me këtë mbyllet rasti: sepse po të pranohej se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, atëherë kjo do të thoshte se KFOR-i ka dështuar për të siguruar territorin. Njëkohësisht, do të thoshte se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës. E shkelja e Marrëveshjes së Kumanovës do të duhej të nënkuptonte edhe sanksione për Serbinë. Por, kush nuk i përmend sanksionet për Serbinë, por vetëm për Kosovën.

* * *

Kidnapimi i tre policëve ndodhi pasi që njësitë e policisë speciale e kishin arrestuar njërin sulmues të trupave të KFOR-it në formë spektakulare. Se a u nevojit ky spektakël, kjo është temë tjetër. Por, nuk ka dyshim se është veprim hakmarrjeje dhe lëvizje e menduar mirë nga Serbia, ngase në atë çast bëheshin tre serbë të arrestuar dhe në paraburgim. Policët e rrëmbyer do të shërbenin për t’i nxjerrë ata nga burgu në këmbim.

U desh të kalonte një ditë që të vinte reagimi i parë ndërkombëtar, dhe sërish ishin amerikanët, të cilët e kërkuan lirimin e tyre të pakusht, pa e përdorur asnjërin term, “kidnapim” a “arrestim”, por “ndalim”. BE-ja reagoi nëpërmjet Borrellit, i cili këtë incident quajti “arrestim” – pra duke iu referuar gjuhës së Beogradit. Dje reaguan shtetet e Pesëshes, me të njëjtën kërkesë: që të lirohen pa kusht. Ndërkohë, policët u transferuan në Kralevë dhe u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

E qartë, këta policë do të lirohen me trysninë e ndërkombëtarëve. Por, pyetja është, me cilin çmim që duhemi paguar?

* * *

Tashmë është bërë evidente se e kemi një luftë që po zhvillohet mes Qeverisë së Kosovës me në krye Kurtin dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Të bësh luftë me dikë që është shumë më i fuqishëm edhe në numra, armë, ndikim, para e çka të duash është a priori një luftë e humbur. Në formën se si po zhvillohen gjërat, lehtë mund të ndodhë që Kosova të detyrohet të shkojë në zgjedhje. Pra, nuk duhet përjashtuar fare mundësinë që të mbahet ndonjë mocion mosbesimi, sikurse kishte ndodhur atëherë në mes të pandemisë. Kjo, për shkak se Kurti po akuzohet se nuk po tregohet bashkëpunues, sidomos nga zyrtarët e BE-së. Aq, sa tashmë janë miratuar masat, që askush nuk i quan sanksione, por janë, ndaj Kosovës.

Vazhdimi i arrestimeve të kohëpaskohshme në veri ka nxitur një reagim absurd të Borrellit – që, sipas tij, çdo masë në veri duhet të koordinohet me KFOR-in dhe me EULEX-in. Hajde me KFOR-in edhe disi do të kishte logjikë, por me EULEX-in pse? Misioni i cili qëndroi me vite në Kosovë, e që është dashur t’i ketë zgjidhur këto telashe, tash do që të përfshihet. Pse? Përgjigjja e Kurtit nuk vonoi, duke i thënë se operacionet policore nuk janë punë e zyrtarëve evropianë. Do të ishin mbase po të ishim pjesë e “Interpolit” a “Europolit”, po ja që nuk jemi, ngase Serbia ka bërë lobim të fuqishëm që të mos jemi. Pavarësisht marrëveshjeve, të cilat herë ekzistojnë e herë nuk ekzistojnë, e herë zgjidhen për t’u zbatuar pjesshëm e herë jo.

E burimi i këtij acarimi dhe mosbesimi ndaj zyrtarëve të BE-së që janë edhe lehtësuesit e dialogut gjendet në vetë procesin e dialogut të stërzgjatur, i cili do të na i hajë edhe ato pesë gramë nerva që na kanë mbetur.

Në një analizë fantastike të cilën KOHA e botoi të enjten mbrëma, profesori Marc Weller i zbuloi prapaskenat dhe taktikën e zbatuar nga Lajçaku dhe Borrelli, me të cilën arritën ta shkatërrojnë nismën franko-gjermane që shpinte te njohja de facto e dyja shteteve, duke bërë ndryshime substanciale të çastit të fundit të një dokumenti tashmë të pranuar në parim nga Kosova. Zbuloi gjithashtu injorimin ofendues dhe arrogant që iu bë Kosovës sa herë që kjo shtronte ankesa apo kundërshtime të themelta juridike ndaj një vendimi, a pjesëze të procesit. Dhe fare në fund, e zbuloi intencën e vërtetë të Lajçakut: që t’ia zgjaste vetes mandatin (bile edhe nja 10 vjet, do të pandehja) duke e shndërruar veten në “arbitrin përfundimtar” të çfarëdo kontesti mes palëve. E që në praktikë do të thoshte imponimin e një vendimi sipas qejfit të vet. E qejfi i vet, sipas argumenteve që i jep Welleri në analizën e tij, do të ishte qejfi i Beogradit.

* * *

Kosova gjendet në një situatë shumë të palakmueshme.

Kësi lloj presioni patëm përjetuar në kohën kur u bë përpjekja për ta zhbërë Gjykatën Speciale, por ajo pati zgjatur shkurt dhe bëri që nismëtarët e idesë të tërhiqeshin.

Kjo tash u bë gjatë dhe po bëhet keq – për shkak se presioni ndaj palëve nuk është fare i balancuar. Po kërkohet që palët të jenë konstruktive, por që Kosova ta themelojë Zajednicën, ndërkohë që Serbia të mund të vazhdojë të thotë se marrëveshja nuk ekziston.

Ndërkohë, Vuçiqi vazhdon të ushtrojë presion ndaj serbëve në veri, përderisa infiltron policë e huliganë që rrahin KFOR e gazetarë. Dhe askush nuk i thotë: ndal.

E kemi një problem: kemi shumë probleme.

[email protected]