OpEd

A do të përsëritet “Rasti i Beqir Ismailit” me Izraelin?

Me shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17.2.2008 u paraqit në reagime e arsyetime termi “sui generis“, pra si rast unik në rajon e më gjerë, që nuk duhet të jetë pengesë për njohje ndërkombëtare nga ato shtete (Spanja, Maroku, Izraeli etj.) që kanë ndonjë kërkesë për pavarësi. Mirëpo, me kohë, pasi që u bënë shumë njohje me ndihmën e aleatëve tanë, mbeti termi në përdorim për shumë paraqitje, sjellje, veprime, emërime etj., që mund të ndodhin vetëm në Kosovë, duke u arsyetuar se kemi të bëjmë me një “rast unik”. Në këtë kontekst, bie fjala, vetëm me ardhjen në detyrë të znj. Vjosa Osmanit në Presidencë u zbuluan (dhe u shfuqizuan) ca dekrete për emërimin e konsujve në vendet ku s’kemi konsullata.

Kuptohet, kjo praktikë filloi më herët dhe prodhoi me dekrete presidenciale ambasadorë në vende ku s’kishim ambasada. Rasti i parë ishte ai i Beqir Ismailit, i cili u emërua ambasador i Republikës së Kosovës në Kajro, në fund të vitit 2013, me dekret të presidentes Atife Jahjaga. Vlen të përmendet se ish-presidenti egjiptian, Muhamed Mursi, e kishte njohur me vendim presidencial Republikën e Kosovës më 26 qershor 2012, pra vetëm 4 ditë para rrëzimit të tij me anë të puçit ushtarak. Me rrëzimin e Mursiut më 30 qershor 2012, regjimi i ri nuk tregoi ndonjë simpati për atë njohje, pasi e kishte lidhur me ambiciet ideologjike të “Vëllezërve Myslimanë” për të depërtuar në Ballkan me anë të Kosovës, ndaj nuk shkoi procesi i njohjes më tutje, pra me notë verbale ose me njohjen formale drejt marrëveshjes për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike.

Megjithatë, në Kosovë si sui generis, pa pritur finalizimin e procesit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, u dekretua Beqir Ismaili për ambasador dhe u dërgua në Kajro në fund të vitit 2013. Vetëm disa javë pas arritjes së tij, shtypi në Kajro doli më 18.2.2014 me mansheta “Ambasada e Kosovës festoi përvjetorin e pavarësisë”, kuptohet në një hotel të njohur në Kajro. Mirëpo, askush nuk u ndal në listën e gjatë të mysafirëve të pranishëm në këtë ceremoni, e cila nuk kishte asnjë ministër nga Qeveria ose ndonjë zëvendësministër të MPJ-së, siç praktikohet në këto raste. Kështu, gjatë 2014-2015 kishte vazhdimisht lajme në shtyp për “Ambasador të Kosovës”, si dhe për “Ambasadë të Kosovës”, derisa më 2016 vetë ambasadori u tërhoq në Prishtinë për një aferë, kurse ministri i Jashtëm egjiptian më vonë shpalli në Beograd “ngrirjen” e njohjes së Republikës së Kosovës, e cila mbeti në letër me atë dekret presidencial, kurse ne gëzuam me “Ambasadën e Republikës së Kosovës” në Kajro, e cila po ashtu ishte vetëm në letrat e shtypit egjiptian, pa marrë parasysh sa i kushtoi buxhetit të Kosovës.

Tani, siç duket, kemi një rast të ngjashëm me Izraelin. Siç dihet, me një spektakël të paprecedent, kryeministri izraelit, Netanjahu, me anë të një telefonate live, komunikoi njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli, kurse kryeministri Hoti e nënshkroi zotimin e përgatitur më parë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem e jo në Tel-Aviv. Me gjithë gëzimin e madh që u ndie në Kosovë, pas disa çnjohjeve e skandaleve në MPJ viteve të fundit, diçka nuk shkoi si duhet pas asaj “njohjes telefonike” të 4 shtatorit 2020.

Megjithatë, më 2.10 doli lajmi në shtypin kosovar se “pas konfirmimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, pala kosovare ka bërë një hap në vendosjen e marrëdhënieve mes dy shteteve, duke emëruar Ines Demirin si e ngarkuar me punë e Republikës së Kosovës në Izrael” (Zëri,2.10.2020). Për çudi vërehet këtu se nuk përmendet kush e propozoi e kush e emëroi znj. Demiri në këtë post të rëndësishëm, sikurse nuk japin detaje fare për eksperiencën e saj diplomatike ose politike/partiake që arsyeton një vendim të këtillë.

Mirëpo, befasia na erdhi pas dy javësh nga ambasadori izraelit në Beograd, Yahel Vilan. Ai në një intervistë tha në mënyrë të sinqertë se “përpos deklaratave të bëra nga kryeministri Netanjahu, ministri i Jashtëm Ashkenazi dhe presidenti amerikan Trump, nuk është bërë asgjë në terren mes Izraelit dhe Kosovës” dhe “ende s’ka datë kur vendi i tij do ta njohë Kosovën”.

Megjithatë, ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Haradinaj-Stublla, në një raport para komisionit përkatës në Kuvend më 24.10.2020, jep informata për një vizitë të saj në Izrael gjatë nëntorit 2020 me një ftesë të homologut të saj Ashkenazi. Mirëpo asgjë nuk u bë gjatë nëntorit të kaluar, kurse “Koha Ditore” boton para disa ditëve (1.12.2020) se MPJ-ja nuk u përgjigj në kërkesën e saj dhe “nuk tregon arsyet e dështimit të vizitës së Haradinajt në Izrael”. Pra, kemi diçka që po zihet prapa perdeve, por era po ndihet, sepse ambasadori izraelit në Beograd tha atëherë se për çdo hap drejt Kosovës, Izraeli do të jetë në lidhje me Serbinë.

Ndoshta dihet në MPJ tani se Parlamenti izraelit pardje votoi në leximin e parë me 61 vota (prej 120) për rrëzimin e Qeverisë së tanishme të Netanjahut, me çka Izraeli për herë të parë në historinë e tij mund të shkojë (nëse konfirmohet vendimi në leximin tjetër) në zgjedhjet e parakohshme për herë të katërt brenda dy vjetëve. Kuptohet, opozita në Izrael ka gajlen e akuzave kundër Netanjahut për korrupsion dhe qeverisjen e tij gjatë COVID-19, e jo Kosovën. Ndërkohë, në ueb-faqen e MPJ-së sonë as në shtypin izraelit nuk kemi ndonjë lajm për selinë e as aktivitetin e znj. Ines Demiri, e cila është prej 1 tetorit 2020 “e ngarkuar me punë e Republikës së Kosovës në Izrael”.

Autori është historian kosovar, profesor shumëvjeçar (1989-2018) i historisë së Lindjes së Mesme në Jordani, tani kryeredaktor i revistës “Studime orientale” në Prishtinë