OpEd

90 vjet mençuri

Një homazh për së gjalli për shkrimtarin zviceran Peter Bichsel në prag të përvjetorit të lindjes - ose mbi fuqinë e fjalëve të thjeshta

Më 24 mars Peter Bichsel i mbush 90 vjet. Në vitin e largët 1964 ai botoi tregimet e tij me titullin legjendar “Në të vërtetë zonja Blum dëshiron të njoftohet me qumështshitësin”. Ky duhet të jetë ndër librat e parë që kam lexuar në gjermanisht. (Për përmbajtjen e librit pak më vonë në këtë tekst). 

Mora shkas për këtë shkrim nga një intervistë që magazina e gazetës zvicerane “NZZ am Sonntag” kishte zhvilluar me shkrimtarin e madh zviceran. Ajo që bie në sy e në veshë edhe nga kjo intervistë, si në çdo vepër të Peter Bichselit, është fuqia e fjalëve të thjeshta. Si askush tjetër Bichsel di të flasë për tema të mëdha me fjalë të thjeshta. Për shembull: “Më pëlqen të jem zviceran, më pëlqen të jetoj këtu, jam i interesuar për politikën. Por shteti më intereson më shumë sesa atdheu”. Atdheu pa shtet nuk i duhet askujt. Parakusht për atdhe është shteti funksional. Këtë e thotë, mes rreshtave, Peter Bichsel. Me fjalë filigran të thjeshta. 

Mbresëlënëse është se si Bichsel e paketon modestinë me urtësi e mençuri: “Unë nuk jam person me plot pasion. Thjesht kam shkruar, sepse isha futbollist i dobët”. Shkrimtarë të tjerë do të thoshin se idenë për t’u bërë shkrimtarë e kanë pasur para se të pinin qumësht nga gjiri i nënës. Bichsel thotë se u bë shkrimtar, sepse s’kishte talent për futboll. 

Në intervistë Bichsel në mënyrë elegante flet për ateizmin e tij: “E di që nuk ka Zot, por e dua atë”. Zoti si shpikje e bukur. Nga fundi i bisedës maratonike, gazetarët i thonë shkrimtarit se në qytetin e Solothurnit do të ketë “sheshe me emrin tuaj, rrugë ose stacione autobusi”. Bichsel përgjigjet: “Një stacion autobusi, po, do të ishte bukur”. Më i madhi shkrimtar i gjallë zviceran nuk ëndërron që emri i tij të vendoset në sheshe, institucione, bulevarde apo rrugë. Mjafton një stacion i vogël i autobusëve.
Peter Bichsel jeton në fshatin Bellach, afër Solothurnit. Në librin e tij “Në të vërtetë zonja Blum dëshiron të njoftohet me qumështshitësin” ai përshkruan në mënyrë lakonike dhe pa emocione ngjarje nga përditshmëria. Zonja Blum dhe qumështshitësi nuk njihen, por të dy mendojnë se në një mënyrë njihen me njëri-tjetrin. Qumështshitësi vjen herët në mëngjes te shtëpia ku jeton zonja Blum, sjell qumështin dhe aty gjen paratë dhe një copë letër. Zonja Bulm shkruan se dëshiron të porosis dy litra qumësht dhe 100 gramë tëlyen. Kështu ecën jeta, pa u takuar zonja Bulm me qumështshitësin.
Në kuptimin simbolik ata kanë diçka të përbashkët: kusinë e qumështit. Zonja Blum ka qejf të njoftohet me qumështshitësin, por nuk ka guximin. Ajo duket se ka frikë se nuk do ta takojë burrin të cilin e imagjinon gjatë gjithë kohës. Qumështshitësi është i bindur se e njeh mirë zonjën Blum. Ajo ka një shkrim të bukur, përherë bën porosinë e njëjtë, ka një kusi dhe nuk ka dëshirë të hyjë borxh. Në mendjen e zonjës Blum qumështshitësi ka duar të pastra, të trasha, ngjyrë rozë. Në të vërtetë zonja Blum dëshiron të njoftohet me qumështshitësin, por…

Kur ishte 86-vjeçar, pra para 4 viteve, Bichsel i dha një intervistë revistës “Schweizer Familie” (Familja zvicerane). Në pyetjen se çfarë e ka ndërmend të bëjë sot, Bichsel u përgjigj: “Në moshën time njeriu s’ka shumë plane. Në mbrëmje shkoj në qytet (Solothurn) për të pirë një birrë apo një gotë verë”. Në pyetjen se a shkon ende në kafehanen “Kreuz” (Kryqi) në Solothurn, ku ka vajtur me vite, Bichsel përgjigjet: “Jo. S’ka më kafehane të vërteta ku bën vaki që në tavolinën e njëjtë të jenë ulur drejtori i një firme dhe një punëtor ndihmës”. Ndjeni keqardhje për këtë? Bichsel: “Natyrisht. Nuk ka më as bulmetore me djathë apo berberhane ku njerëzit të shtunën rastësisht takojnë njëri-tjetrin”. Por ka raste të tjera për t’u takuar, shton gazetari. Bichsel: “Jo, nuk ka. Jemi bërë shoqëri ndejash dhe grilli: 20 persona përherë të njëjtë takohen në ndeja private. Njëherë e pjekin mishin te Hansi, herën tjetër te Kevini. Të takosh rastësisht njerëz të tjerë? Kjo bën vaki mbase në transportin publik”.

Ju jeni pesimist, nënvizon gazetari. Bichsel: “Unë jam madje pesimist i bindur. Sepse bëj pyetje. Nuk ka pyetje optimiste. Kur e dëgjoj frazën ‘mendim pozitiv’, më shkojnë mornica në trup. ‘Miku im më i mirë ka vdekur, por unë do të duhej tani të mendoja pozitivisht’. Jo. Kush mendon pozitivisht, nuk mendon”. 

Çka bëni në mëngjes kur zgjoheni? Bichsel: “Përgatis ushqimin. Unë jam dembel i madh në mëngjes. Kalon shumë kohë derisa të zgjohem. Nuk më pëlqen aq jeta në mëngjes. Përgatitja e ushqimit është një veprimtari që përqafon jetën, më pëlqen të përgatis ushqimin. Jeta ime qe 50 vjet fillon me përgatitjen e ushqimit”. 

Mosha e ka bërë të veten, tash Peter Bichsel nuk mund të ziejë ushqimin vetë. Por të mendojë dhe japë intervista ende mundet. Madje ka shumë humor. Në prag të 90-vjetorit të lindjes.