OpEd

6 muaj që ndryshuan botën

Diktatori rus e sulmoi Ukrainën më 24 shkurt. 6 muaj më vonë bota ka ndryshuar – përgjithmonë.

Sulmin kundër Ukrainës Vlladimir Putini e kishte (para)menduar si një shëtitje treditore të trupave të tij drejt Kievit. Në kryeqytetin e Ukrainës do të instalohej një qeveri marionetë, mbrojtësit e shtetësisë së Ukrainës do të futeshin në burg, mijëra të tjerë do të iknin, ndonjëri do të vritej. Ideja e Putinit ishte restaurimi i Bashkimit Sovjetik. Shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik Putini e kishte përjetuar si agjent sovjetik në Dresden të Gjermanisë Lindore në fillim të viteve 90-të. Më vonë këtë ndryshim epokal Putin e ka quajtur si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të. Pra, rënien e Murit të Berlinit, fitoren e forcave demokratike në vendet e Europës Lindore dhe triumfin e modelit liberal perëndimor ai e sheh si “katastrofë”.

Me çfarë nuk kishte llogaritur Putini më 24 shkurt 2022 ishte rezistenca e fuqishme e ukrainasve – burra e gra të gatshëm të mbrojnë shtetin e tyre. Nacionalistët rusë e shohin Ukrainën si pjesë të perandorisë ruse (sovjetike). Gjuha ukrainase nga këndvështrimi i tyre është një dialekt i parëndësishëm.

Sidomos në luftërat e kohës moderne po aq sa fuqia e armëve me rëndësi është epërsia e narracionit. Këtu ukrainasit ishin në epërsi. Po mbronin pragun e shtëpive të tyre. Po kundërshtonin një pushtues brutal. 6 muaj më vonë Ukraina ende qëndron. Putin qe i shtyrë të tërheq forcat e tij nga rrethina e Kievit. Këto trupa lanë pas qindra civilë të vrarë në vendbanime si Buça. Të vrarët e lenë në rrugë të kujtonin skenat e agresionit serb kundër popujve të tjerë në ish-Jugosllavi në fillim të viteve 90-të.

Agresioni rus e ka bërë Ukrainën shoqëri më homogjene, së paku rreth idesë se duhet mbrojtur mëvetësinë. Edhe ata ukrainas që për arsye gjuhësore apo kulturore kishin ndonjë simpati për Rusinë, janë pozicionuar qartë kundër agresionit brutal të Moskës. Me qëndrimin e tij stoik dhe me fjalimet dramatike një rol vendimtar në mobilizimit e shoqërisë ukrainase e ka luajtur presidenti Vollodimir Zelenski.

Lufta e Putinit e ka lëkundur rendin e sigurisë të vendosur pas rënies së Perdes së Hekurt. Politika tolerante sidomos e Gjermanisë ndaj Putinit ka pësuar debakël. Lideri rus nuk ka arritur të destabilizojë shoqëritë perëndimore, përkundër investimeve shumëvjeçare në partitë e ekstremit të djathtë. Në prag të zgjedhjeve në Itali në fund të shtatorit ka indikacione se Rusia po përpiqet të përkrah forcat antieuropiane. Gjasat janë të mëdha që qeveria e ardhshme e Italisë të dominohet nga partitë e djathta, disa prej të cilave kanë simpati për regjimin e Putinit. Italia në muajt e ardhshëm mund të jetë arena ku Putin do të provojë potencialin e tij destabilizues.

Me sulmin kundër Ukrainës Putin synonte ta mbante së larg NATO-n nga kufijtë e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik. Ndodhi e kundërta: shtete neutrale si Suedia dhe Finlanda pritet së shpejti të anëtarësohen në NATO. Ukraina mori statusin e vendit kandidat për hyrje në BE – një gjest simbolik, por i rëndësishëm.

Në 6 muajt e fundit u pa se në ballafaqimin me Rusinë agresive për Europën është esenciale mbrojtja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Perëndimin është fat i madh që në Shtëpinë e Bardhë është shef një politikan me përvojë gjysmëshekullore në marrëdhëniet ndërkombëtare. A do të jetë kështu pas dy viteve? Në nëntor të vitit 2024 SHBA-të do të zgjedhin një president të ri. Partinë Republikane tashmë e ka futur nën kontroll ish-presidenti Donald Trump, i cili matet nëse do të kandidojë sërish për president në vitin 2024.

6 muajt e fundit ndryshuan botën përgjithmonë, por ky është vetëm fillimi. Ekziston rreziku i një konflikti të ngrirë në Ukrainën Lindore dhe në qytetet me dalje në Detin e Zi që tashmë janë pushtuar nga Rusia. Politikanët udhëheqës ukrainas do të gjenden para shumë vendimeve ekzistenciale. Qëndresa ukrainase varet nga vagonët dhe kamionët me armë që i dërgon Perëndimi. Pyetja është sa do të zgjasë solidariteti europian?

Testi i ardhshëm e pret Europën gjatë stinës së dimrit. Mungesa e energjisë elektrike, rritja e çmimeve, inflacioni, papunësia mund të shkaktojnë tensione brenda shoqërive perëndimore. Ky është edhe kalkulimi i Putinit, andaj zor se mund të merret me mend se para pranverës së ardhshme do të ketë negociata serioze mbi zgjidhjen e konfliktit.