Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se rritja e pensioneve për 20 euro, është klientelizëm i vonuar, por edhe i refuzuar nga pensionistët.

“Në këtë situatë kur na po flasim, flasim për një 20 euro që unë e quaj klientelizëm i vonuar, por për mendimin tim i refuzuar edhe nga pensionistët sepse më shumë e kanë pranu nga ato që po shohim nga bisedat individuale ose grupore, më shumë e thonë si refuzime apo ironi e kësaj Qeverie për të përkrahur diçka për përmirësim të jetës së tyre sesa një rritje që do të ishte e mirëpritur e që do të përkrahej edhe nga ne, po flas së paku nga LDK”, tha Zemaj.

Zemaj në “Tempus” tha se Kosova është zhytur në varfëri dhe se kësaj kategorie veçse u është rënduar jeta.

Përpara kësaj, Zemaj tha se kjo Qeveri nuk ka bërë vlerësim të indeksimit të pensioneve.

“Janë veprime që i kemi pa si dhënia e disa pagesave në formë joshëse për disa grupe të caktuara por edhe për pensionistët. Tash vendimi i fundit që është tregues i qartë që është bërë pa ndonjë analizë, pa ndërmarrje të asaj që është quajtur reformë e skemës sociale dhe logjika e kësaj Qevere dhe sistemi që është bërë tek Ministria e Financave dhe Transfereve, skemat sociale i ka bërë si transfere. Nuk ka pas vlerësim të indeksimit të pensioneve”, tha  Zemaj.

Deputeti shtoi se ka shumë probleme në krejt ecurinë se si e ka adresuar Qeveria e Kosovës qasjen e pensionistëve edhe këtë të moshës edhe tek pensioni kontributdhënës./BetimipërDrejtësi

Dreshaj: 25 vite pas çlirimit ende s’janë zgjidhur skemat sociale

6 muaj më parë / 14 tet 2024 21:40
Shemsedin Dreshaj

Shemsedin Dreshaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se është turp që 25 vite pas çlirimit, nuk është zgjidhur ende problemi i skemave sociale.

“A ka ma turp që 25 vite pas çlirimit të vendit ende nuk ke sigurime shëndetëesore, nuk është zgjidhur ende problemi i skemave sociale, e mos të flas për skemat pensionale”, tha Dreshaj në “Tempus“.

Ai tha se vullneti i opozitës ka qenë dhe kanë propozuar largimin e nenit 8 dhe se këtë e ka aprovuar edhe Gjykata Kushtetuese, që neni 8 duhet të largohet se është nen diskriminues.

Tutje, Dreshaj tha se nëse ndodh që Aleanca të vjen si parti që do të menaxhojë këtë segment të shoqërisë, premtimet e veta do t’i mbajë për shkak se ato premtime i kanë dhënë edhe para organizatës së pensionistëve, ku sipas tij, kanë biseduar gjer e gjatë.

“Këtë është dashur ta bëjë Kryeministri, të shkojë të debatojë për hallet e tyre, Kryeministri sot është në prag të hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm,  ky kryeministër është dashur të debatojë me strukturat e ndjeshme”, tha Dreshaj. /BetimipërDrejtësi

Haxhiu: Qeveria erdhi me premtime tjera, tash me afera korruptive të niveleve të larta

6 muaj më parë / 14 tet 2024 21:27
Bekim Haxhiu PDK

Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka ardhë në pushtet me premtime tjera, por tani i shohim me afera korruptive të niveleve të larta.

Deputeti Haxhiu, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është e palogjikshme që një parti vjen në Qeveri me program të majtë, e pastaj e shuan Ministrinë e Mirëqenies Sociale.

“Është e palogjikshme që në pushtet vjen një parti me program të majtë dhe kur vjen e shuan Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Qysh në hap të parë është parë se krejt çka kanë folë në opozitë dhe në fushatë elektorale kanë qenë mashtrim. Pra, për t’i mashtruar qytetarët, për t’ia marrë votat ndërsa sot po shohim afera korruptive të niveleve më të larta milionëshe dhe këta nuk e qajnë hallin asnjëherë për këto shtresa nga të cilat i kanë marrë votat”, tha Haxhiu.

Ai shtoi se është e padrejtë që ata që kanë vazhduar të punojnë në regjimin e Millosheviqit, gëzojnë benificione nga Ligji për kontributpaguesit, ndërsa ata që e kanë bojkotuar këtë regjim nuk përfitojnë.

Deputeti i PDK-së, tha se Trusti Pensional tani ka rreth 3 miliardë buxhet dhe sipas tij mund të projektohen dhe dizajnohen skemat pensionale dhe ato të plotësojnë nevojat e pensionistëve në mënyrë që ata të trajtohen me dinjitet.

Ai gjithashtu se viti i ardhshëm do të duhej të ishte vit i reformës sociale dhe pensionale dhe sipas tij kjo është e mundshme që të arrihet. /BetimipërDrejtësi

Gashi: Gjatë gjithë qeverisjes vetëm një herë na pritën në takim

6 muaj më parë / 14 tet 2024 21:26
Nijazi Gashi

Nijazi Gashi, ish-kryetar i Shoqatës së Pensionistëve, tha se gjatë gjithë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm një herë janë pritur në takim përfaqësuesit e kësaj Qeverie.

Këtë deklarim, Gashi e bëri në emisionin “Tempus” në KTV.

“Gjatë krejt kësaj Qeverie, vetëm para një muaji e gjysmë ose dy muaj, na ka pritë Emilija Rexhepi dhe na ka pritë për me na dëgju dhe ka marrë informata prej nesh. Vetëm Emilija Rexhepi dhe na ka premtu që do të na realizojë një takim me kryeministrin dhe nuk ka ndodhë. Por, ministri, unë mendoj që së paku e ka pasur obligim moral për me u interesu për çështjen e pensioneve, përpos profesional, administrativ dhe juridik, ai është dashtë që thjesht në baza tradicionale me i taku këta njerëz dhe me i pyet si i keni punët”, tha Gashi.

Ish-kryetari i Shoqatës së Pensionistëve tha se edhe në kërkesat e tyre për të qenë pjesë e grupeve punuese për hartimin e Ligji për skemat pensionale, qeveritarët nuk u janë përgjigjur thirrjes se tyre.

“Ne i kemi bërë dhjetëra kërkesa pa ndërprerë që të na i falë 5 minuta të prezantojmë dokumentacionet, t’i prezantojmë idetë tona për këtë çështje. Kemi bërë kërkesë të na përfshijë në grupet punuese për plotësim-ndryshimin e Ligjit aktual të skemave pensionale. Pastaj, kanë thënë që dojnë me e përpilu një ligj të ri të bazuar në Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe atëherë kemi bërë kërkesë e që nuk na kanë pranu. Jo vetëm që nuk na kanë pranu ,por nuk na janë përgjigjë fare. Nuk na janë përgjigjë as në imella, as në telefon dhe as kur kemi shku fizikisht aty”, tha ai.

Po ashtu, Gashi tha se edhe kur kanë shkuar fizikisht, kanë qenë të fyer, injoruar dhe përbuzur. /BetimipërDrejtësi

Dreshaj: Rritja e pensioneve, një lëmoshe e re në prag të zgjedhjeve

6 muaj më parë / 14 tet 2024 21:24
Shemsedin Dreshaj

Shemsedin Dreshaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se rritja e pensioneve është një lëmoshë e re për pensionistët në prag të fushatës zgjedhore.

“Një pension nënkupton një vlerësim meritor të kontributit tuaj që në momentin kur nuk jeni të aftë të kontribuoni të mos jeni barrë e shtetit. Realisht është bërë ajo që e përmendi deputeti Bekimi (Haxhiu) që në filim të pandemisë i është dhënë pensionerit 20 euro për mbijetesë gjatë pandemisë dhe tash e njëjta i është kthyer pas një inflacioni katastrofik që e ka pas vendi”, tha Dreshaj.

Dreshaj tha se kjo Qeveri me një program të majtë, me një legjislaturë të propozuar në agjendën legjislative të majtë, nuk solli asnjë ligj bazik që do ta përmirësonte situatën në shoqëri, por ligje sektoriale të segmenteve të caktuara që nesër duhet të harmonizohen me ligjin bazik nëse ai bëhet.

“Më i vogli çka ka qenë, ka qenë Ligji për skemat pensionale që ne kemi pas për pensionistët kontributdhënës, në të cilin vërtetë kemi punuar pozitë e opozitë kemi punuar, por në fund ‘gjarpri i tregoi dhëmbët’, pasi i rregulluam e përfunduan krejt, erdhëm në dakordim, në mbledhjen e fundit nuk ekzistonte dëshira që të implementohet”, tha Dreshaj.

Deputeti Dreshaj duke folur për pensionin kontributdhënës, tha se ai Ligj është joekzistent.

“S’ka ligj, që të dilni në pension kontributpagues, ju duhet të jeni të punësuar 30 dhjetor të viti 1983, është 15-vjetëshi i famshëm… Kosova nga qershori i vitit 1999 e deri në shtator të vitit 2002, qytetari i punësuar nuk ka pasur ku të kontribuoj, s’ke pas as vend ku me kontribu, për me i nda kontributet për sigurimet tuaja shëndetësore”, tha Dreshaj. /BetimipërDrejtësi