TEMPUS

Ukshini: Lista Serbe ka humbur imazhin para serbëve pas sanksionimit të Radoiçiqit nga SHBA

Syle Ukshini

Ish-ambasadori dhe profesori i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini, ka deklaruar se sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj liderëve të Listës Serbe kanë shkatërruar mitin e “të paprekshmëve” në sytë e komunitetit serb.

Gjatë një interviste në emisionin “Tempus” në KTV, Ukshini tha se Lista Serbe nuk është më një parti e paprekshme, pasi anëtarët e saj janë sanksionuar dhe janë futur në listën e zezë të SHBA-ve, duke dëmtuar kështu imazhin e partisë në sytë e qytetarëve serbë.

“Nëse e shohim sanksionimin e Listës Serbe dhe të zyrtarëve të saj, si Radojqiq dhe të tjerë, mund të vërejmë se ky veprim ka dëmtuar imazhin e partisë, sidomos në sytë e serbëve dhe në opinionin ndërkombëtar. Po ashtu, ka kontribuar në margjinalizimin e saj. Nuk është më Lista Serbe e paprekur, pasi liderët e saj kanë hyrë në listën e zezë dhe janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Ukshini.

Ai shtoi se këto masa janë një paralajmërim për ata që dëshirojnë të angazhohen në politikë për një periudhë afatgjatë dhe duhet të shmangin këtë formë të sanksionimit.

Në vazhdim, Ukshini theksoi se e mira për Kosovën është se ajo është një vend evropian, por shqetësimi qëndron në faktin se Bashkimi Evropian nuk është konsistent në ndjekjen e veprimeve që ndërmerr SHBA.

“E mira është që jemi një vend evropian, por e keqja është se Bashkimi Evropian nuk është konsistent në përcjelljen e hapat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai./BetimipërDrejtësi