TEMPUS

Shala: Qeveria ka dështuar në të gjitha reformat në sistemin e drejtësisë

Gzim Shala - IKD

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në të gjitha reformat në sistemin e drejtësisë.

Ai në emisionin “Tempus” në KTV, tha se detyrë e Qeverisë ka qenë që të ndërmarrë reforma që të reformojë sistemin e drejtësisë, për ta ngritur pavarësinë e këtij sistemi, për ta bërë sistem adekuat që u garanton qytetarëve mbrojtje të të drejtave të tyre.

“Sot në këtë situatë ku jemi, Qeveria qartazi ka dështuar në të gjitha reformat në sistemin e drejtësisë. Nuk ka asnjë reformë të madhe që kjo Qeveri ka arritur ta implementojë në sistemin e drejtësisë, që të mund të themi që tani se sistemi i drejtësisë është më i pavarur sesa që ishte më parë dhe që ky sistem më pas të ishte institucion adekuat që i garanton këto të drejta”, tha Shala.

Përpos dështimit në reforma të mëdha siç është Vettingu dhe reforma në Këshillin Prokurorial, Shala thotë se problematike ka qenë se pikërisht kjo Qeveri e ka cenuar besueshmërinë e publikut ndaj sistemit të drejtësisë dhe ka ndërhyrë në këtë sistem përmes deklaratave publike.

“Pothuajse jo vetëm vitin e kaluar, mirëpo gjatë gjithë kësaj qeverisje, pothuajse është normalizuar diskursi kur akterët politikë e akuzojnë gjyqësorin qoftë edhe për çështje individuale dhe shumë konkrete që janë duke u trajtuar nga ana e gjyqësorit”, tha Shala.

Kur foli për deklaratat e politikanëve ndaj sistemit të drejtësisë, i njëjti përmendi edhe prezumimin e pafajësisë, i cili parim në shumë raste është shkelur përmes reagimeve.

“E drejta për gjykim të drejtë dhe mjete efektive juridike janë të drejta procedurale në thelbin e tyre, përmes të cilave mbrohen të gjitha të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë dhe me Ligj. Nëse e shohim vetë aplikimin e tyre, në thelb i bie që për të gjitha këto çështje përgjegjës duhet të mbahet vetëm gjykata në kuptimin e ngushtë të fjalës. Mirëpo, kjo nuk qëndron kështu”, tha Shala.

Sipas tij, krahas gjykatës kërkohet që të gjitha institucionet ligjzbatuese të jenë efikase dhe efektive në mënyrë që ta kemi një gjyqësor të fortë që garanton të drejtën për një gjykim të drejtë dhe mjete efektive juridike.

“Elementi i parë krucial i kësaj të drejte është aspekti i pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese”, tha Shala.

Kurse, lidhur me kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tha se Raporti i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut, gjen dy aspekte: administratën dhe administrimin e rasteve.

Shala foli edhe për problemet kur qytetarëve nuk iu realizohet një e drejtë që iu takon, andaj detyrohen të ndjekin rrugët ligjore. Në këtë rast, foli për rastin e Kontratave Kolektive.

Një çështje tjetër që përmendi ishte edhe fakti që sipas tij drejtësia nuk ka qenë prioritet në buxhetin e Republikës së Kosovës.


Shala: Në 62% të rasteve, viktimat e dhunës në familje s’janë përfaqësuar nga mbrojtësit e viktimave

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se gjetjet e tyre tregojnë që në 62% të rasteve, viktimat e dhunës në familje nuk janë përfaqësuar nga mbrojtësit e viktimave.

“Është e shumë e rëndësishme që të ndërmerren të gjitha masat që në momentin kur kemi një grua që raporton për dhunën do të thotë që të funksionojë në mënyrë adekuate të gjithë mekanizmat, krahas të tjerave këtu hyn edhe çështja e ndihmës juridike për shkak se një palë laike nuk mund ta mbrojë të drejtën që ka në gjykatë. Në këtë situatë në të cilën jemi, ne kemi gjet se në 62% të rasteve, vikamat e dhunës në familje nuk janë përfaqësuar nga një mbrojtës i viktimave, nga një avokat. Pra, si laikë kanë shkuar në gjykatë dhe kjo definitivisht është shumë shqetësuese për shkak se është pothuajse e pamundur që në mënyrë efikase dhe efektive të mbrohen të drejta e tyre përderisa nuk e kanë një përfaqësim profesional”, tha Shala.

Ai në “Tempus” tha se edhe në ato pak raste kur kanë pasur përfaqësim viktimat, ngritën dyshime për mënyrën e përfaqësimit. “Në gjithsej 15 raste kur viktimat e dhunës në familje kanë pasur përfaqësues, në 12 prej tyre nuk ka pasur kërkesë pasurore -juridike dhe kjo ka qenë e shprehur vetëm në tri raste, që në njëfarë forme do të thotë se është problematike sepse në këto situata nëse pala që në rastin konkret është laike dhe nuk e di këtë, i nevojitet një përfaqësim profesional dhe nëse nuk e bën, nuk e paraqet kërkesën pasurore-juridike, atëherë as gjykata në procedurë penle nuk ia njeh këtë të drejtë”, tha Shala.

Sipas tij, ky fakt është shqetësues dhe flet për cilësinë e ndihmës juridike dhe mënyrës si përfaqësojnë viktimat.

“Sa i përket Ndihmës Juridike Falas, është shumë problematike që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas kalon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në njëfarë forme i merret pavarësia e saj dhe kalon në një inistucion politik dhe i raporton tani një personi politik, që është ministri i Drejtësisë, mirëpo një aspekt ndoshta pozitiv që e kisha përmed është se deri më tani përkundër faktit që kësaj Agjencie i mungon pavarësia objektive me ligj, deri më tani nuk kemi parë që kjo Agjenci ka vepru diçka politikisht”, tha Shala.