Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), mediat obligohen që t’i heqin komentet të cilat pa një analizë gjuhësore apo juridike, vërehen haptazi se janë të paligjshme.
Në emisionin “Tempus” në KTV, tha se problemi i komenteve në rrjete sociale tashmë është problem global.
Ai tha se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka përcaktuar standarde që mediat duhet të jenë përgjegjëse për komentet haptazi të paligjshme dhe që të njëjtat duhet të fshihen pa vonesë nga ana e mediave.
“Vetë GJEDNJ e thekson se edhe komentet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e debatit politik në diskursin publik dhe kjo realisht është edhe liria e shprehjes që përmes komenteve njerëzit diskutojnë, japin mendime, shprehin ide e të tjera”, tha Shala.
Ai tha se kjo nuk është absolute dhe duhet t’i ketë disa kufizime. Tha se obligimet e mediave shtrihen vetëm ndaj komenteve që GJEDNJ, i cilëson si haptazi të paligjshme.
“Mediat sipas GJEDNJ nuk janë të obliguara me verifiku vërtetësinë ose ligjshmërinë e një komenti të caktuar. Ato janë të obliguara me i heq pa vonesë vetëm rastet -komentet të cilat pa një analizë gjuhësore dhe pa një analizë juridike vërehet se janë të paligjshme”, tha Shala.
Sipas tij, këto komente janë: nxitja e urrejtjes, gjuha seksiste, sharjet, bullizmi, krahasimi me kafshë, e të tjera.
Këto komente, Shala tha se i shohim vazhdimisht dhe se janë haptazi të paligjshme e që për to nuk kërkohet kurrfarë analize.
“Komentuesi e mban përgjegjësinë juridike për atë që e ka thënë, nëse është e vërtetë ose jo, por që nuk përjashtohet edhe media. Mirëpo, niveli i asaj që duhet të kontrollojë media nuk është vërtetësia e asaj çka thuhet, ligjshmëria e asaj çfarë thuhet. Është thjesht nëse ka këso gjuhe nxitëse, urrejtëse, përçmuese, etj, të cilat duhet t’i largojë”, tha Shala.
Sipas tij, situatë tjetër është kur e kritikon për shembull performancën e një politikani, por dallon kur ka për shembull gjuhë seksiste ndaj një deputeteje.
Por, tha se ka vështirësi monitorimi i komenteve, megjithatë sipas GJEDNJ-së, më mirë i monitoron media komentet e veta sesa personi që është subjekt i atij komenti.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi, të hënën ka publikuar raportin “Përgjegjësia e mediave ndaj komenteve të paligjshme“, gjetjet e të cilit tregojnë se komentet e postuara në lajmet e publikuara në rrjete sociale janë bërë pothuajse burim kryesor i gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, linçimit publik, kërcënimeve dhe thirrjes për dhunë. /BetimipërDrejtësi
