Gjykatësi në Gjykatën Supreme, Afrim Shala, ka thënë se nëse Kosova bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, qytetarët që konsiderojnë se janë viktima të ndonjë shkeljeje, mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejta e Njeriut (GJEDNJ).
Shala ka theksuar se përfitimet e qytetarëve të Kosovës me anëtarësimin në KiE, do të jenë të natyrave të ndryshme.
“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës që konsideron veten se është viktimë e ndonjë padrejtësie nga organet gjyqësore, do të ketë të drejtën që tani t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka deklaruar Shala në emisionin “Tempus” në KTV.
Gjykatësi ka deklaruar se GJEDNJ-ja është një mekanizëm i KiE-së, i cili e ka përgjegjësinë që ta mbikëqyrë zbatimin e Konventës Evropiane, që është ndër dokumentet më të rëndësishme të KiE-së.
“Konsideroj që në momentin kur Kosova bëhet anëtare zyrtare e Këshillit të Evropës, qytetarët tanë do të kenë mundësi që çdo rast që konsiderojnë se janë viktima të shkeljes së këtyre të drejtave që garantohen me këtë Konventë dhe me protokollet e saj shtesë ta referojnë pikërisht në këtë mekanizëm, duke kërkuar drejtësi prej saj”, ka theksuar Shala.
Ai ka deklaruar se me anëtarësim në KiE, do të ketë avancim të të drejtave të njeriut dhe përmirësim të drejtësisë dhe sistemit gjyqësor në veçanti.
Ademi: Drejtësia nuk është matematikë, palët kërkojnë mbrojtjen e të drejtës
Burim Ademi, gjykatës i Gjykatës së Apelit, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se drejtësia nuk është matematikë dhe se palët kërkojnë mbrojtjen e të drejtës.
“Sistemi gjyqësor nuk është ekuacion, nuk është matematikë, e drejtësia nuk ka të bëjë me matematikën, drejtësia ka të bëjë me dhënien e të drejtës, palës që i kërkon mbrojtjen gjyqësore në proces gjyqësor dhe nëse e shndërrojmë thjesht në matematikë atëherë gabimi jonë është brenda sistemit”, ka theksuar Ademi.
Gjykatësi Ademi ka thënë se pasi gjyqtari nuk do të jetë në gjendje ta trajtojë çështjen në temel, atëherë zero do të jetë efikasiteti në përfundim të një rasti.
Ademi për politikën ndëshkimore: Apeli mund të unifikojë praktikën vetëm në rastet e ankesave
Burim Ademi, gjykatës i Gjykatës së Apelit, lidhur me politikën ndëshkimore ka thënë se Apeli mund të unifikojë praktikën vetëm në rastet e ankesave.
“Fatkeqësisht, roli i Gjykatës së Apelit krejt është i varur nga pjesëmarrësit në procedurën penale, rrjedhimisht nga prokurori dhe mbrojtja, sepse në kontekst të dënueshmërisë, Gjykata e Apelit ka kompetencë për të shqyrtuar çështjen e sanksionit penal, vetëm në rast se ka pretendime të arsyetuara në raport me sanksionin që i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë”, ka theksuar Ademi në “Tempus” në KTV.
Po ashtu, ai ka përmendur një rast që sipas tij ishte absurd, ku në një rast për vrasje në tentativë në bashkëkryerje, Prokuroria ka bërë ankesë vetëm për njërin.
Andaj, gjykatësi Ademi ka thënë se Gjykata e Apelit i ka duart e lidhur sa i përket çështjes së sanksionit.
“Gjykata e Apelit në njëfarë forme ka duart e lidhura sa i përket çështjes së sanksioneve, nëse nuk ka pretendime nga ana e palëve dhe madje madje Gjykata Supreme ka një praktikë të ndërtuar që edhe për llojin e sanksionit penal, nëse nuk ka propozime nga ana e palëve në ankesë, Gjykata e Apelit nuk mund të ndërhyjë në atë çështje”, ka shtuar Ademi.
Shala: Aktgjykimet nganjëherë janë të përgjithësuara, abstrakte dhe të parafrazuara
Afrim Shala, gjykatës i Gjykatës Supreme, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se aktgjykimet e gjykatave në instanca më të ulëta janë të përgjithësuara, abstrakte dhe të parafrazuara.
“Thjesht ne kemi vlerësuar se aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta janë të përgjithësuara, ndonjëherë janë abstrakte dhe në disa raste janë thjesht parafrazime ligjore dhe mbi bazën e saj ne kemi qenë të pakompromis”, ka theksuar Shala.
Ai ka thënë se Gjykata Supreme ka qenë e pakompromis në drejtim të ndërprerjes së paraburgimeve, pasi nuk ka pasur arsye për vendosjen e kësaj mase.
Tutje, ai ka sqaruar se në bazë të të dhënave që kanë, rezulton se një numër i madh i qytetarëve janë kompensuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për shkak të faktit që kanë qëndruar në paraburgim pa bazë ligjore.
Po ashtu, ai ka theksuar se gjyqtarët po caktojnë masën e paraburgimit pa e pasur në konsideratë parimin e prezumimit të pafajësisë, e si pasojë e kësaj po reflektohet pastaj kompensimi i shumave të mëdha të dëmit, për qytetarët të cilët qëndrojnë në paraburgim pa bazë ligjore.
“Në bazë të dhënave që ne i kemi, rezulton se një numër i madh i qytetarëve tanë kanë realizuar kompensim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pikërisht për shkak të faktit që kanë qëndruar në paraburgim pa bazë ligjore, kjo për faktin se edhe njëri prej parimeve bazë që garantohet me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane është parimi i prezumimit të pafajësisë, shpeshherë gjyqtarët tanë caktojnë paraburgimin pa e pasur në konsideratë një parim të tillë, e që më vonë po reflekton në kompensim të shumave të mëdha të dëmit për qytetarët e tillë”, ka shtuar Shala.
Ademi: Ka raste kur vendimet për paraburgim bien pre e ndikimit publik
Burim Ademi, gjykatës i Gjykatës së Apelit, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se ka raste kur vendimet për paraburgim bien nën ndikimin e publikut.
“Fatkeqësisht, ne e kemi vërejtur nga praktika e përgjithshme ku ka edhe situata të tilla, ku gjyqtari për shkak të presionit publik edhe ka marrë vendim për caktim ose moscaktim të masës së paraburgimit të një rasti konkret”, ka theksuar Ademi.
Ai ka thënë se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka ndërtuar disa standarde.
Gjykatësi ka deklaruar se kur Gjykata e Apelit konsideron se pretendimet janë të njëjta, është i mjaftueshëm arsyetimi i Apelit për të mbështetur arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë.
Sipas gjykatësit Ademi, ka situata kur ka edhe presion në kontekst të publikut, kur bëhet një çështje problematike edhe në medie dhe gjyqtari i rastit bie nën ndikimin e tillë.
Në lidhje me këtë, ai ka deklaruar se këtu është roli kryesor i Akademisë së Drejtësisë.
“Mendoj se këtu është roli kryesor i Akademisë së Drejtësisë, për ta trajtuar çështjen e zhvillimit të shkathtësive të gjyqtarëve që thjesht ta këqyrin çështjen që e kanë përballë për të vendosur dhe fare mos të merren me çështje të mediave dhe çështje të publikut se çfarë diskutohet për atë fenomen të ngjarjes që ka ndodhur dhe për të cilën ka ardhur në Gjykatë për t’u trajtuar”, ka shtuar ai.
Sipas tij për Gjykatën e Apelit është e rëndësishme, kur gjykata e shkallës së parë edhe arsyeton vendimin që e ka marrë, “pra arsyeton specifikisht pse ekzistojnë rrethanat në rastin konkret”.
Shala: Mungesa e arsyetimit të vendimeve duhet të trajtohet nga akterët e drejtësisë
Afrim Shala, gjykatës i Gjykatës Supreme, ka thënë se mungesa e arsyetimit të vendimeve, duhet të trajtohet nga akterët e drejtësisë.
Në “Tempus” në KTV, gjykatësi Shala ka theksuar se një ndër problemet me të cilat është përballur sistemi i drejtësisë është politika ndëshkimore, e që konsiderohet pjesë përbërëse e vendimmarrjes.
“Njëra prej çështjeve që duhet të kemi në konsideratë ne si sistem gjyqësor është edhe pjesa e arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Arsyetimi i vendimeve gjyqësore konsiderohet pjesë përbërëse e të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor, që bën pjesë në kuadër të nenit 6 të Konventës Evropiane. Kështu që mbi bazën e saj, një aspekt i tillë do duhej të përmirësohej tej mase në kohët në vijim”, ka deklaruar Shala.
Ai ka thekuar se vendimeve të caktuara në shumë raste iu mungon arsyetimi i mirëfilltë, i cili konsiderohet edhe si pjesë përbërëse e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe si i tillë duhet të trajtohen nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
“Ne do duhej të punojmë më tepër në këtë drejtim, që ndoshta është mirë të kemi takime më të shpeshta niveli i Apelit, me nivelin Suprem dhe Gjykata Themelore, që t’i kushtohet një vëmendje më e veçantë kësaj çështjeje”, ka shtuar gjykatësi.
Ai ka përmendur që edhe Gjykata Kushtetuese ka anuluar disa vendime të instancave më të ulëta shkaku i mungesës së arsyetimit të vendimeve.
Gjykatësi i Supremes: Ende shumë lëndë të vjetra, mund të jenë subjekt i trajtimit në GJEDNJ
Afrim Shala, gjykatës i Gjykatës Supreme, në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se ka shumë lëndë të vjetra, të cilat mund të jenë subjekt i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Ai ka deklaruar se gjetjet e tyre nuk janë të mira dhe se vlerësimet e tyre janë shqetësuese.
“Për arsye se gjatë hulumtimeve tona, gjatë analizave tona, ne kemi parë se gjykatat janë të ngarkuara me raste të vjetra, sidomos të rasteve civile edhe kemi pa që qytetarët tanë të presin me vite të tëra për ta marrë drejtësinë e tyre në kohë të duhur”, ka thënë gjykatësi Shala.
Ai ka theksuar se ka ende raste të vjetra, sidomos në katër gjykata, e që sipas tij prin Gjykata Themelore në Prishtinë, Divizioni Civil.
“…në radhë të parë prin Gjykata Themelore në Prishtinë, Divizioni Civil, ku nga të dhënat tona që kemi siguruar, rezulton se aty janë një numër tejet i madh i rasteve civile, që po presin zgjidhje që disa vite me radhë”, ka theksuar ai.
Sipas gjykatësit Shala, raste që do të mund të ishin objekt i shqyrtimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është edhe Gjykata Komerciale, e sidomos Dhomat e Shkallës së Parë.
“Gjithashtu në këtë drejtim, vlen të përmendet edhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, ku në bazë të analizave tona kemi parë që aty ka një numër të madh të rasteve që presin me vite të tëra për t’u zgjidhur”, ka deklaruar Shala.
Po ashtu, ai ka thënë se edhe në Gjykatën e Apelit rezulton se ka një numër të caktuar të lëndëve civile, të cilat presin të zgjidhen, e të cilat sipas këtyre dy planeve strategjike, cilësohen si raste të vjetra.
Ademi: Nuk pres “vërshim” të rasteve që do të dërgohen në GJEDNJ
Gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Burim Ademi, në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se në kontekst të vendimmarrjes, nuk pret “vërshim” të rasteve që do të dërgohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe konstatim të cenimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në raport me çështjen e zgjidhjes së rasteve në kontekst të përmbajtjes dhe dhënies së të drejtës subjektive apo çështjes së gjykimit në kontekst të përmbajtjes së vendimmarrjes, unë këtu e kisha fokusin kur thash se nuk pres vërshim dhe konstatim të cenimit të të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka theksuar Ademi.
Tutje, gjykatësi ka deklaruar se Këshilli Gjyqësor është duke ndërmarrë mekanizma të ndërtimit të strategjisë për t’iu shmangur pasojave eventuale kurdo që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës dhe rrjedhimisht edhe GJEDNJ-së.
“Mund të jetë ajo që e tha kolegu, që kemi raste që vërtetë ndoshta janë shumë të hershme por për këtë arsye dhe Këshilli Gjyqësor tu i pa këto probleme, ka ndërmarrë këto mekanizma të ndërtimit të Strategjisë dhe të ndërtimit të Komisionit, pikërisht për t’iu shmangur pasojave eventuale në momentin kurdo që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, rrjedhimisht edhe pjesë e kësaj Gjykate”.