Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se është e rëndësishme që qytetarët serbë të besojnë në drejtësi.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Shala ka deklaruar se në momentin që komuniteti serb nuk sheh asnjë pjesëtar të tyre në institucionet e drejtësisë, preket besueshmëria e tyre.
“Sa i përket qasjes në drejtësi, para së gjithash është shumë e rëndësishme që qytetarët e komunitetit serb në atë pjesë t’i besojnë gjykatës. T’i besojnë gjykatës si një adresë ku ata zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe është jashtëzakonisht problematike që të njëjtët të kenë një besueshmëri solide në gjykatë pa marrë parasysh se si vepron gjykata nëse në momentin kur shkojnë në atë institucion nuk e shohin asnjë pjesëtar të komunitetit të tyre. Edhe ky aspekt është aspekt që prek besueshmërinë e komunitetit serb në atë pjesë dhe definitivsht që prek edhe qasjen në drejtësi”, ka deklaruar Shala.
Shala gjithashtu ka theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët nuk duhet të jenë pjesë e kalkulimeve politike.
“Nuk duhet që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë pjesë e kalkulimit politik. Nuk duhet të jenë pjesë e veprimtarisë politike që nëse Lista Serbe si subjekt politik ka një mospajtim me Qeverinë e Kosovës, të ketë mundësi që të kërcënojë dhe shantazhojë edhe përmes këtij mjeti për shkak se dëmet që shkaktohen përgjatë një periudhe të caktuar kohore janë shumë të larta”, është shprehur Shala.
Ai e ka cilësuar si vendim të mirë të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokuroria (KPK) mospranimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë.