“Fatmirësisht nuk është fenomen dhe dikur ka qenë edhe fenomen, domethënë ka qenë shumë problem për gjyqtarët me i pa monitoruesit që shkojnë në gjykatë me një seancë që edhe shabllon konstatohet në secilin rast që seanca është e hapur, publike, plotësohen kushtet dhe seanca mbahet, mirëpo tash fatmirësisht nuk është një mentalitet i tillë dhe që gjyqtarët e dinë që seancat janë publike dhe që nuk kanë në parim telashe monitoruesit, gazetarët, e të tjerë”, ka thënë Shala.
Megjithatë, sipas tij tani dalin disa gjyqtarë me disa ide pak të çuditshme lidhur me mundësinë e monitorimit të seancave gjyqësore nga ana e medieve, OJQ, qytetarëve, e të tjerë.
“Për shembull, ka pas po e kujtoj tash një rast, ‘pse po i përzini dallimet, ju jeni monitorues, ju nuk jeni gazetarë dhe ju nuk keni të drejtë të raportoni për këto seanca’, domethënë është diçka që fatmirësisht nuk është fenomen dhe nuk e dëgjojmë tek shumica e gjyqtarëve, por që fatkeqësisht ka gjyqtarë të cilët e thonë këtë”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër, ai tha se ka një qartësi të madhe me ligjet dhe me Kodin e Procedurës Penale lidhur me publicitetin e seancave për shkak se ka mundësi edhe për mbylljen e seancës dhe se IKD është pro asaj që në momentin kur rrezikohet një rast i caktuar, një gjykim i caktuar, nuk duhet që t’iu drejtohet gjyqtari apo prokurori medieve apo monitoruesve me “raportoni këtë apo mos e raportoni këtë”, e as të ankohet për raportimet e tyre.
Shala tha se prokurori i cili tenton ta bind gjykatën për aktakuzën e vet se ajo qëndron dhe se i pandehuri sipas aktakuzës është fajtor, ai duhet të kujdeset edhe nëse publiciteti i një gjykimi e rrezikon atë gjykim, sepse parimi është hapja, transparenca dhe gjykimi i hapur.
Sipas tij, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë që parimi i publicitetit i mbron palët ndërgjyqëse nga drejtësia e fshehtë dhe nëse një prokuror i caktuar e vlerëson se një rast i caktuar mbahet në mënyrë publike dhe raportohet për atë rast dhe raportohet dëshmia dhe kjo do ta cenonte një gjykim.
“Thjesht bën kërkesë dhe gjykata me aktvendim e mbyllë seancën dhe padyshim që mediet dhe publiku nuk kanë qasje në atë seancë dhe madje nëse shohim se cila është rëndësia që i jep edhe Kodi i Procedurës Penale kësaj çështje, e shohim për shkak se mbyllja e kundërligjshme e një seance hyn tek shkeljet absolute që rasti mund të kthehet në rigjykim vetëm për këtë çështje”, tha tutje Shala.
Ai tha se ua rikujton gjyqtarëve dhe prokurorëve se në secilin rast ku ka një rrezik konkret e real nga publiciteti thjesht merret një aktvendim i arsyetuar dhe mbyllet seanca.
“Po e ritheksoj se sporadikisht ka qëndrime të cilat edhe neve na habisin kur i dëgjojmë nga gjyqtarët, prokurorët e caktuar por që fatmirësisht në raport me të kaluarën, tanimë nuk është një fenomen dhe gjyqtarët e dinë këtë që thjesht tani më seancat janë publike dhe të njëjtat monitorohen nga mediet, shoqëria civile dhe qytetarët”, tha Shala.
Ai tha se ata kanë pasur një projekt që kanë dashur të dërgojnë një mesazh mbi rëndësinë që ka që qytetarët të monitorojnë sistemin e drejtësisë, pra jo vetëm mediet e shoqëria civile, mirëpo të ndërtohet njëfarë kulture që edhe qytetarët të monitorojnë, gjyqësorin e gjyqtarët për mënyrën se si po vendosin.
