Qe një vit e gjashtë muaj qytetarët në veri të Kosovës nuk po marrin shërbimet adekuate si pasojë e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë atje.
Suspendimi i drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriq, më 7 nëntor të vitit 2022, solli deri te gjendja aktuale.
Por, pika e kthesës ishte vitit 2013, ku Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh që autoritetet gjyqësore të angazhoheshin dhe operonin brenda kornizës ligjore të Kosovës. Kjo formë e integrimit, përkatësisht funksionimit të saj është rregulluar në veçanti me Marrëveshjen për Drejtësi të vitit 2015.
Mbi bazën e kësaj marrëveshje ndërkombëtare, gjyqtarët dhe prokurorët serbë u integruan në gjyqësorin e Kosovës. Në vitin 2017, atje filluan të funksionojnë Gjykatat, që për vite me radhë nuk kishin funksionuar. Qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në veri të vendit, kishin qasje më të lehtë në drejtësi. Që nga funksionalizimi i këtyre gjykatave, gjyqësori ka funksionuar normalisht përmes respektimit të dygjuhësisë.
Qëllimi i integrimit të sistemit të drejtësisë përmes Marrëveshjes së Brukselit, para se të jetë çështje e sovranitetit dhe shtetësisë është nevojë e qytetarëve për t’u qasur në drejtësi.
Dorëheqjet kanë tensionuar administrimin e sistemit gjyqësor, nga i cili tension pësojnë qytetarët. Ky tensionim ka çuar në vonesa, ngecje dhe joefikasitet në proceset gjyqësore. Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë ndikuar direkt në administrimin e drejtësisë.
“Ndodhitë e fundit në rastin e dorëheqjeve së tyre kanë shkaktuar ngërçe të shumta në sistemin gjyqësor duke shkaktuar kështu pengesa të vazhdueshme në qasjen në drejtësi jo vetëm për serbët por edhe për shqiptarët. Por edhe njëkohësisht kanë ndikuar edhe në mosmenaxhimin adekuat me lëndë”, tha hulumtuesja e lartë Eranda Zekaj.
Meqenëse, largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë kërcënon përkeqësimin e sfidave me të cilat ballafaqohen aktualisht serbët e Kosovës në qasjen në drejtësi. Pa mbështetje adekuate brenda sistemit gjyqësor, serbët e Kosovës mund të gjejnë vetën jo të barabartë para ligjit dhe të privuar nga të drejtat e tyre.
Këto dorëheqje mund të ushqejnë skepticizëm dhe dyshim në lidhje me paanshmërinë dhe drejtësinë e gjykatave. Si rezultat, serbët e Kosovës mund të ngurrojnë të angazhohen në procese gjyqësore, duke u frikësuar nga njëanshmëria apo diskriminimi dhe duke minuar kështu legjitimitetin dhe efektivitetin e gjyqësorit.
Dorëheqjet e serbëve nuk i pranoi Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial. E për serbët, kjo ju jep shpresë.
Në mars të vitit 2024, Instituti i Kosovës për Drejtësi organizoi një fokus grup me qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut për të trajtuar implikimet e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në jetën e qytetarëve.
Ata i kanë mirëpritur dhe e shohin shumë pozitive mospranimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e dy institucioneve: Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ata presin që gjyqtarët serbë të kthehen në punën e tyre sapo të qetësohet situata dhe që kthimi i tyre të arrihet me marrëveshje në dialog.
Gjatë këtij fokus grupi, qytetarët serbë theksuan problemin e zvarritjes së lëndëve për shkak se gjyqtarët nga komuniteti serb kanë dhënë dorëheqje. Kërkesat e tyre adresohen vetëm duke bërë kërkesë te Kryetari i Gjykatës për ndërrimin e gjyqtarëve.
Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut përballet me probleme të theksuara administrative siç është mungesa e përkthyesve, gjykata punon në një ndërtesë private me shumë pak gjykatore.
Pjesëmarrësit shqiptarë nga radhët e shoqërisë civile treguan se ofrojnë ndihmë juridike falas në Prishtinë dhe në Mitrovicë për të gjitha grupet e cenura e veçanërisht për komunitetet joshumicë. Sipas tyre të drejtat e komuniteteve nuk adresohen shpejt e në këtë mënyrë të drejtat e tyre zvarriten.
“Sot gjendja në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është funksionale. Menjëherë pas dorëheqjes së tyre (gjyqtarëve), Këshilli Gjyqësor është mobilizuar dhe të gjithë kryetarët e gjykatave në koordinim me zëvendëskryetarin e gjykatës dhe të gjithë gjyqtarët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që lëndët të cilat kanë qenë urgjente janë trajtuar, por edhe janë ndihmuar nga gjykatat tjera. Numri i stafit është rritur dhe sot gjendja në gjykatën e Mitrovicës nuk është e keqe, funksionon, ka raste kur edhe qytetarët serbë paraqesin…. sikur në të kaluarën, nëse shohim efikasitetin e gjykatave mund të themi se sot Gjykata Themelore e Mitrovicës përformon njëjtë sikurse gjykatat tjera, ku numri i rasteve të zgjidhura për vitin 2023 kalon numrin 5 mijë e 800 raste”, tha Shkelzen Maliqi, drejtor i përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së.
“Megjithatë për mosndërmarrjen e një veprimi nga ana e KGJK-së dhe KPK-së në kuptim të zëvendësimit të këtyre gjyqtarëve… në fakt aprovimit apo refuzimit të dorëheqjes është pozitiv dhe do të duhej që veprimet e mëtejshme të merren në përputhje me vetë Bashkimin Evropian, njëkohësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuptim që të mos ndërmarrin veprime të cilat kanë ndikim të pariparueshëm në sistemin gjyqësor e sidomos në një pasiguri juridike dhe në një ndikim negative në qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Zekaj.
Pa pranim të dorëheqjeve, mundësia u la hapur që gjyqtarët dhe prokurorët serbë të veriut të kthehen në sistem. Serbët e veriut e cilësojnë këtë fakt si pozitiv, që mundëson kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes dialogut.
Deri më tani, nuk është evidentuar ndonjë vullnet që kjo të ndodhë. Deri në atë kohë, tensionet politike të cilat kalkulohen politikisht, do ti vuajnë qytetarët përmes mohimit të qasjes në drejtësi që u bëhet atyre.
“Ajo që e shohim si problem të madh është se ne shpesh i kthehemi atij përkthimi përsëri me atë temë ose asaj çështje, sido që të quhej, sepse më vonë përmes këtij programi, dy palët që janë të komunitetit serb, lëndët e tyre i jepen shqiptarit, i cili nuk di asnjë fjalë serbisht, kështu që humbet shumë kohë për përkthimin e saj dhe lënda vonohet. Çështja është dashur të merret nga një gjykatës tërësisht me etni shqiptare, por një program i tillë nuk ka qenë i mundur para së gjithash për shkak të efikasitetit dhe jo të ndonjë mbështetjeje se serbët do të vendosin një ligj të tillë. Sinqerisht të mos përzihemi në vendime politike, çka dhe si po aludoj, përsëri mendoj që gjyqtarët dhe prokurorët me kombësi serbe duhet të kthehen sa më shpejt në institucione”, tha Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës Avokuese për Kulturë Demokratike.
144 dorëheqje janë dorëzuar në KGJK, 25 janë nga gjyqtarët. 33 dorëheqje janë dorëzuar në KPK, 10 janë nga prokurorët. Aktualisht në Gjykatën Themelorë të Mitrovicës janë vetëm 28 gjyqtarë shqiptarë.