Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani, ka thënë se 317 është numri i aplikimeve për status të personit të dhunuar gjatë luftës që janë refuzuar nga ky Komision.
Sipas saj, duhet plotësuar një numër kriteresh për të fituar statusin e personit të dhunuar gjatë luftës, ndërsa për rastet që janë refuzuar ka deklaruar se ka shumë arsye që bëhen refuzimet.
Selmani në emisionin “Tempus” në KTV ka deklaruar se në disa raste, storia, data, periudha kohore mund të jenë jo bindëse, ndërsa ka shtuar se mund të ketë edhe dokumente që nuk janë bashkëngjitur, e të cilat kërkohen për plotësimin e statusit.
“Ka arsye të ndryshme, mund të mos jenë dokumentet të cilat i kanë bashkëngjitur, kanë lidhje kauzale por nuk janë të domosdoshme, pra mund të jenë edhe ato që janë ardhë por nuk kanë lidhje kauzale”, ka theksuar Selmani, duke shtuar se kërkesat refuzohen sipas legjislacionit në fuqi.
Por, ajo ka deklaruar se palët mund të parashtrojnë kërkesë për rishqyrtim dhe të bashkëngjisin dokumentet që mungojnë.
Selmani: Shumica e rasteve që refuzohen bëjnë ankesë, disave në rishqyrtim u është njohur statusi
Selmani ka theksuar se në shumicën e rasteve pas refuzimit, ushtrohet ankesë dhe se në shumicën e rasteve, ankesat aprovohen.
“Shumica e rasteve të cilat marrin refuzim prej Komisionit nëpërmjet organizatave joqeveritare dhe organizatave tjera, bëjnë ankesa. Shumica nga to, një numër i madh i tyre mund edhe të ju njihet për herë të dytë se kur thamë ju njihet për herën e dytë në kuptimin e asaj që nuk duhet me humb shpresën që t’u ka refuzuar për herë të parë statusi dhe t’i më nuk ke të drejtë për atë edhe është paraparë që të bëhet kërkesa për shqyrtim sepse mund të kesh edhe ndonjë dokument tjetër të cilin e lejon edhe ligji një gjë të tillë”, ka sqaruar ajo.
Selmani ka deklaruar se viktimat të cilat nuk dëshirojnë ta dërgojnë rastin e tyre në gjykatë nuk janë të obliguara, sipas saj viktimat mund të shkojnë në Komision, iu njihet statusi i tyre dhe mund të marrin benefitet që iu takojnë me ligj edhe pa e dërguar rastin në gjykatë.
Selmani: Kosova, shembull pozitiv në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale
Ajo ka deklaruar se Kosova është shembull pozitiv për shtetet tjera në trajtimin e rasteve të viktimave të dhunës seksuale.
“Kosova është marrë shembull pozitiv edhe nga vendet tjera, kemi pasur madje edhe raste kur kanë ardhur në vizitë për me marrë përvojën e Kosovës në këtë drejtim, sepse konsiderohet si një sistem mirë i krijuar dhe një formë mirë e bërë deri më tani, po megjithatë ne kemi pasur mundësi të marrim përvojën prej Bosnjës dhe shumë gjëra që për shembull në Bosnjë, e kemi parë që nuk funksionojnë, në Kosovë nuk i kemi bërë sikurse shtetet tjera kanë mundësi me marrë prej nesh”, ka theksuar Selmani.
Sipas saj, vonesa e shqyrtimit të dokumenteve ka qenë si pasojë e procesit, e jo e Komisionit.
“Po, është shumë e vërtetë që ka pasur vonesa në shqyrtimin e dokumenteve por jo me fajin e Komisionit apo dikujt tjetër, por me procesin sepse procesi ka qenë asisoj, dhe me kohë, e kemi parë që duhet me pas një procedurë më të shpejtë, gjë që kemi habitë me bë një gjë të tillë”, është shprehur Selmani.
Ajo ka deklaruar se nuk është një periudhë shumë e gjatë pasi brenda 45 ditëve do të marrin përgjigje.
“Aktualisht nuk është se presin shumë gjatë, maksimumi është 45 ditë, do e marrin përgjigjen për 45, brenda kësaj periudhe kohore për intervistë ose për diçka tjetër, do të thotë po flasim për diçka për këtë vit kur kemi filluar t’i shqyrtojmë me shpejtësi tjera”, ka theksuar ajo.