TEMPUS

Sefaj paralajmëron protesta te fuqishme për ta kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë

Lulzim Sefaj

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Ali Sefaj, sindikalist paralajmëron protesta te fuqishme për ta kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë.

“Në rast se na jemi kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, duhet Betimi është kriju një grup në platformë në rrjetet sociale asnjë cent me shumë, së pari nëpërmjet rrjeteve sociale, pastaj nëse është nevoja nëpërmjet peticioneve veçse ky te jetë masiv dhe pastaj për të paralajmëru ZRRE dhe Qeverinë që kanë mu përball me protesta të mëdha dhe vazhdueshme derisa të tërhiqet ky propozim nga ZRRE”, tha Sefaj.

Po ashtu, Sefaj tha se të shikohet edhe mundësia e shkarkimit të anëtarëve të ZRRE-së.
“Pastaj janë mundësi që tash ne i kemi kry zgjedhjet që të certifikohet rezultati dhe në rast se ZRRE nuk është e gatshme të i përgjigjet organit që e ka mandatu për ti kryer obligimet ligjore qe ka për të mbrojtur interesin publik, në fund të fundit edhe ti shkarkoj ata anëtar të cilët nuk e përfaqësojnë interesin e republikës”, shtoi Sefaj.

Ai ka thënë se kanë për obligim me pa se çka po ndodh me taksat dhe perspektivën e fëmijëve pasi rritja e çmimit të energjisë elektrike zvogëlon mundësitë për familjet për jetë më të mirë.


Misini: Rritja e kostos së jetesës është e pashmangshme, jemi duke shkuar në drejtim të panjohur

Shkumbin Misini, profesor i Ekonomisë, në emisionin “Tempus” në KTV tha se rritja e kostos së jetesës në vend është e pashmangshme.

“Rritja e kostos së jetesës është e pashmangshme. Politikat globale…jemi duke shkuar në një drejtim të panjohur, shembull konkret i masave protektsioniste që Amerika është duke e bërë në raport me Kanadën dhe Bashkimin Evropian. Rritja e çmimeve në ShBA dy javët e fundit ka shku tu lulëzu. Kostoja e jetesës është duke u rrit, masat proteksioniste ndikojnë negativisht në cilësinë e jetesës për shkak se i rritet kostoja e jetesës. E dyta: Ekonomia e Kosovës varet drejtpërdrejt prej remitencave të diasporës sepse me vetë faktin që ne jemi më shumë konsumues sesa prodhues, të lë të kuptosh që patëm edhe raportin e pasqyrave financiare të disa bizneseve, prishin bizneset që janë me shumicë dhe pakicë”, tha Misini.
Kjo sipas tij dëshmon se politikat proteksioniste do të ndikojnë tek remitencat sepse rritet kostoja e jetesës dhe nuk kursehen paratë për të ardhë për të investuar në Kosovë.

“Në qoftë se nuk ndërhyn Qeveria nëpërmjet politikave fiskale, nëpërmjet investimeve që janë të domosdoshme sidomos në kompanitë prodhuese dhe stimulim të tyre, Kosova ka me qenë vetëm konsumues, importues, shpenzues dhe emigrues. Ky është emëruesi i përbashkët për Kosovën”, tha ai.
 


Kaçaniku: Nuk është mandati i ZRRE-së që t’i arsyetojë shpenzimet ose keqmenaxhimet

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në emisionin “Tempus”, ka kritikuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe qeverinë për keqmenaxhimin e sektorit energjetik, duke theksuar se qytetarët po paguajnë për shpenzime të panevojshme dhe humbje teknike që mund të evitoheshin.

“Nuk është mandat i ZRrE-së që të arsyetojë shpenzimet e panevojshme ose keqmenaxhimet. Para disa vitesh, humbjet teknike dhe ato komerciale arrinin deri në 30%. Tani kanë rënë në 15-18%, por ende ekziston një hapësirë e brendshme që mund të përdorej për të penguar rritjen e çmimit të energjisë,” tha Kaçaniku në Tempus të KTV-së.

Ai rikujtoi se pas shpërthimit në KEK, si masë e përkohshme, u vendos shtrenjtimi i energjisë elektrike me 5.8%, por ky vendim nuk është revokuar as pas më shumë se një dekade, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Vendimet e përkohshme zgjasin deri në 12 muaj, ndërsa ky shtrenjtim po vazhdon tash e 12 vjet,” shtoi ai, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi ndaj konsumatorëve.

Kaçaniku po ashtu ngriti shqetësime për degradimin e infrastrukturës së KEK-ut, duke përmendur faktin se transporti me hekurudhë është shkatërruar dhe se sot bartja bëhet vetëm me kamionë privatë, gjë që rrit ndjeshëm shpenzimet e mazutit për rindezjen e turbinave.
“Sot nuk kemi asnjë binar brenda KEK-ut, nuk kemi më hekurudhë, ndërsa më herët çdo transport realizohej përmes saj. Këto janë shpenzime të mëdha, të cilat po i mbulojnë qytetarët, sepse ata nuk kanë fuqi të reagojnë.Heshtja jonë po e lejon këtë keqmenaxhim”, deklaroi ai.

Kaçaniku i bëri thirrje qytetarëve që të jenë të vetëdijshëm për fuqinë e tyre vendimmarrëse dhe të kërkojnë llogaridhënie nga qeveria për menaxhimin e burimeve publike.

“Ne me taksat tona e mbajmë shtetin, por shteti keqmenaxhohet dhe pastaj kërkohen para shtesë për rrymë dhe shpenzime tjera. Politikanët mund të thonë çfarë të duan, por ne duhet të vendosim drejt për interesat tona. Vota jonë nuk duhet të jetë për të punësuar një familjar, por për të ndërtuar një sistem që punëson të gjithë,” tha ai.
Sipas Kaçanikut, asnjë qeveri deri më sot nuk e ka përmbushur mandatin për ta vetëdijësuar konsumatorin si partner të shtetit.

“Republika e Kosovës është shtet i popullit dhe i konsumatorëve, por shteti nuk na sheh si partnerë. Ne vetë jemi fajtorë, sepse nuk po i hapim sytë kur duhet të vendosim me votë,” përfundoi Kaçaniku.
 


 


Rafuna: Burokracia po pengon investimet në energjinë diellore, Kosova rrezikon të varet nga importi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kritikuar procedurat e ndërlikuara burokratike që po pengojnë investimet në energjinë solare në Kosovë. Ai paralajmëroi se nëse ky trend vazhdon, Kosova do të mbetet prapa në zhvillimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë, ndërkohë që vendet fqinje po ecin me ritme më të shpejta.

“Kur bëhet fjalë për panelet solare, kemi shumë burokraci. Kërkohen aq shumë leje dhe procedura, ndërsa Maqedonia e Shqipëria po ecin përpara me hapa të shpejtë. Nëse vazhdojmë me këtë tempo, këto dy shtete do të na shesin energji me çmime shumë më të lira, dhe Kosova do të bëhet e varur nga importi”, tha Rafuna në “Tempus” të KTV-së.

Ai bëri thirrje për reforma urgjente që do të thjeshtonin procedurat e investimit në energjinë solare dhe theksoi nevojën për diversifikimin e burimeve energjetike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Neve na duhet një reformë që të thjeshtojë sa më shumë procedurat për investime në panele solare. Po ashtu, duhet të punojmë për sjelljen e gazit natyror, duke i mundësuar qytetarëve furnizim me energji më të lirë”, shtoi ai.

Rafuna gjithashtu ngriti shqetësime për rënien e vlerës së parasë dhe stagnimin e pagave dhe pensioneve, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të situatës ekonomike në vend.

“Vlera e parasë ka rënë, ndërsa pagat nuk kanë lëvizur. Pensionet kanë pësuar rritje minimale, dhe kjo më së miri tregon ku jemi sot”, ka shtuar Rafuna.
 

 


Sefaj: ZRrE është vegël e mafisë energjetike, do të përballen me protesta

Sindikalisti Ali Sefaj në emisionin “Tempus” në KTV,  ka kritikuar ashpër Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke e akuzuar se nuk po mbron interesin e qytetarëve, por është kthyer në një vegël të mafisë energjetike.

“Duhet të jemi realistë kur flasim për atë që është propozuar. ZRrE është vetëm një hallkë e qeverisë, një trup që po kryen detyra dhe kërkesa që nuk do të duhej t’i kryente. Kjo zyrë është shndërruar në vegël të mafisë energjetike,” deklaroi Sefaj.

Ai theksoi se sindikatat do të adresojnë kërkesat dhe sugjerimet e tyre deri më 28 mars, por sipas tij, vendimi për rritjen e çmimit të energjisë tashmë është marrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“ZRRE ka njoftuar se çmimi i energjisë do të rritet nga 1 prilli, por kur do t’i shqyrtojnë ato kërkesa? Secili vendim i tyre na ka bërë të kuptojmë se vendimi për rritje është marrë tashmë. Nuk është ZRRE-ja ajo që po e zbaton këtë, por qeveria e Kosovës, sepse ky institucion është votuar nga qeveria,” tha ai.
Sipas Sefajt, ZRRE duhej të mbronte interesat e qytetarëve, por po vepron në të kundërtën.

“Nëse nuk mbron interesin e qytetarëve, atëherë po mbron interesat e dikujt tjetër, por jo të konsumatorëve. Megjithatë, qytetarët e Kosovës kanë mekanizma për ta detyruar qeverinë dhe ZRRE-në t’i kthehen obligimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet,” theksoi ai.

Ai bëri thirrje për mobilizim dhe kundërshtim të rritjes së çmimit të energjisë përmes peticioneve dhe protestave.

“Ne kemi mundësi të reagojmë përmes rrjeteve sociale, peticioneve dhe paralajmërimeve ndaj ZRRE-së dhe qeverisë. Nëse nuk tërhiqen nga ky vendim, do të përballen me protesta të mëdha. Ata po i shërbejnë mafisë energjetike,” përfundoi Sefaj.