TEMPUS

Sada: Pas rastit të Banjskës, na është dashur trajtimi prej pikës zero i viktimave të dhunës seksuale

Mirlinda Sada

Drejtoresha e organizatës “Medica Gjakova” Mirlinda Sada, ka thënë se nga rasti i Banjskës në shtator të vitit të kaluar, është dashur që viktimat e dhunës seksuale të trajtohen si prej fillimit.

Ajo në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se janë duke punuar që të ndryshohet një pjesë e ligjit dhe se ka mjaft vend për ndryshim, në mënyrë që t’iu mundësohet viktimave të qasen më lehtë në komision për verifikim dhe drejtësi.

“E shohim se sa i vogël është numri të cilët kanë ngritur padi ndaj keqbërësve. Fillimisht ishte numri i atyre që kaluan nga UNMIK-u te EULEX-i, pastaj te Prokuroria vendore dhe tani çka po bëhet pas ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale për dënimet në mungesë, i ka bërë të mbijetuarit të mendojnë që të ngritin padi, për shkak se dikur thoshin pse me i hy kësaj procedure, ne po ritraumatizohemi, familjet tona po ritraumatizohen”, është shprehur Sada.

Ajo ka deklaruar se si organizata po vazhdojnë të punojnë, por që të gjitha këto janë pengesa me të cilat përballen.

“Të mbijetuarit sado që fuqizohen, trauma është shumë shumë e madhe dhe është shumë e vështirë çka do që të ndodhë siç ishte së fundi në rastin e Banjskës, besoni që në shumë raste ne jemi kthyer në pikën zero, na është dashtë trajtimi prej pikës zero, prej frikës që do të ndodhë lufta dhe çka do të ndodhë me ne. Ose kur ka filluar lufta në Ukrainë, ne është dashtë të punojmë me to sikur sot kanë ardhur për herë të parë në trajtim dhe jo se janë trajtuar me vite e vite”, ka deklaruar Sada.

Ajo ka shtuar se kjo kategori është shumë e ndjeshme dhe duhet pasur shumë kujdes.

“Kemi filluar edhe trajtimin në familje, edhe me fëmijët e të mbijetuarve për shkak të stigmës”, ka deklaruar ajo.