Akademia e Drejtësisë në Kosovë ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ të sistemit të drejtësisë. Këtë e bën përmes programeve trajnuese, hulumtimeve dhe aktiviteteve botuese. Akademia e Drejtësisë organizon dhe zbaton trajnimet fillestare dhe të vazhdueshme për të gjitha nivelet brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Akademia e Drejtësisë funksionon si institucion i pavarur.
Akademia e Drejtësisë mbulon fushat e së drejtës penale, civile dhe administrative. Gjithashtu ofron trajnime për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë për fëmijë, përfshirë trajnime për stafin mbështetës të gjykatave dhe prokurorive.
Akademia e Drejtësisë ofron trajnime fillestare për gjyqtarë dhe prokurorë të sapoemëruar, trajnime të vazhdueshme për stafin ekzistues, si dhe trajnim të specializuar për bashkëpunëtorë profesional dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Këto përfshijnë sesione teorike dhe praktike për përgatitjen e plotë të pjesëmarrësve në trajnime.
Plani i Punës dhe i Performancës për vitin 2024 thekson se Akademia e Drejtësisë ka përmbushur të gjitha objektivat e saj për vitin 2023, duke realizuar trajnime për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe përmbyllur tryeza çështje të ndryshme, si unifikimi i praktikës gjyqësore, risitë e Kodit të Procedurës Penale, Dhuna në Familje etj. Ky raport thekson se përmes trajnimeve dhe publikimeve të ndryshme, Akademia e Drejtësisë ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Plani i Punës dhe i Performancës për vitin 2024 si sfidë e thekson mungesën e buxhetit të pamjaftueshëm. Sipas këtij dokumenti, sfidat buxhetore të Akademisë së Drejtësisë lidhen kryesisht me mungesën e financimit të mjaftueshëm për të realizuar të gjitha trajnimet e planifikuara, sidomos ato të vazhdueshme, të cilat shpesh kërkojnë burime të jashtme. Buxheti i kufizuar detyron Akademinë të përqendrohet më shumë në trajnimin fillestar, që është obligim ligjor, ndërsa për trajnimet e vazhdueshme përdoren fonde nga donatorët. Kjo pengon zbatimin e disa aktiviteteve dhe krijon vështirësi në koordinim dhe zbatimin efektiv të programeve.
Një tjetër sfidë e përmendur është mungesa e ekspertizës së nevojshme për disa fusha të specializuara, e cila ka krijuar vështirësi në përmbushjen e programit trajtues.
Në kuadër të Projektligjeve të cilat dalin nga deklarata e zotimeve bënë pjesë edhe Ligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Akademinë e Drejtësisë. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Ky Projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/l -095 për Akademinë e Drejtësisë me theks të veçantë ndryshimin e përbërjes dhe kompetencave të Këshillit Drejtues, Këshillit Programor, përcaktimin e kritereve për zgjedhjen e Drejtorit të Akademisë së Drejtësisë, përcaktimit të llojeve të trajnimit, kriteret përzgjedhëse për trajnuesit dhe mentorët, si dhe organizmit të trajnimit fillestar.
Me këtë Projektligj, nuk ishin pajtuar vetë Akademia e Drejtësisë.