Arrita Rezniqi, menaxhere e programit dhe njëherësh koordinatore e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se problematikë brenda sistemit të drejtësisë, konkretisht gjykatave është çështja e politikës ndëshkimore, e cila është jashtëzakonisht e butë.
“Ka një politikë ndëshkimore ku në shumicën e këtyre rasteve kryesisht ka shqiptime të dënimeve me kusht”, tha Rezniqi.
Ajo tha se është e rëndësishme që gjyqësori të ketë një pavarësi para çdo lënde pasi që secila i ka specifikat e veta, por meqë kemi një numër aq të madh të lëndëve që e kanë një lloj të tillë të politikës ndëshkimore, kjo nuk i bie më të jetë vetëm një rast që po trajohet në kuadër të specifikave të rastit, por i bie që të jetë një fenomen në vendimmarrjen e rasteve të dhunës në familje.
“Shqiptimi i dënimit përtej dënimit të kryerësit të veprës, ka edhe qëllime të tjera dhe në rastin konkret shihet se qëllimi i dënimit nuk po arrihet përkundrazi po riviktimizohet viktima, edhe në aspekt të përgjithshëm shoqëror nuk po përçohet mesazhi që dhuna në familje, në bazë gjinore është diçka e dënueshme dhe që nuk tolerohet”, shtoi ajo.
Tutje, Rezniqi tha se së fundmi është bërë një ndryshim i Ligjit për Ndihmë Juridike Falas në bazë të së cilit viktimat e dhunës në familje përfitojnë drejtpërdrejt ndihmë juridike falas, i cili është një hap përpara në ofrimin e përkrahjes së duhur. /BetimipërDrejtësi
Berisha: Mosefikasiteti i bën gratë që të mos besojnë në institucione

Berisha theksoi në “Tempus” se raportimi i dhunës nga gratë, shpeshherë has në qasje të gabuar nga autoritetet, sikurse janë pyetjet që fajësojnë viktimën ose trajtimi i papërshtatshëm, duke dëmtuar besimin dhe sigurinë e tyre.
“Kemi gra që kanë shkuar për të raportuar dhunën dhe për shembull, një polic e ka pyetur: ‘Çfarë ke bërë ti që ai të të godasë?’. Normal, që automatikisht fajin e ka kthyer te viktima. Ose kemi raste kur ka ndodh edhe vetë kemi shku me viktimën e kam përcjellë vetë në stacionin policor dhe, fatmirësisht, që kemi qenë aty prezent, por me dalë një zyrtar dhe me pyet: ‘Kush është këtu viktima e dhunës në familje, hajde te shkallët?’, kjo është shumë problematike,” tha Berisha.
Berisha tha se në momentin që ti përballesh me një ambient të tillë, identiteti dhe përjetimi yt mund të të tërheqin që të largohesh nga stacioni policor dhe të mos e raportosh dhunën. /BetimipërDrejtësi
Rezniqi: Kemi gjetur gjuhë jo të përshtatshme në vendimet gjyqësore, të mendësisë patriakale

Arrita Rezniqi, menaxhere e programit dhe njëherësh koordinatore e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kanë gjetur gjuhë jo të përshtatshme në vendimet gjyqësore për rastet e dhunës në bazë gjinore.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Rezniqi tha se mendësia patriarkale është problematike kur gjendet në institucione, sidomos kur reflektohet në vendimet e gjyqësore.
“Ne kemi raportu disa herë për vendime të gjykatave ku lëre që vendimi final, por edhe gjuha e përdorur brenda vendimeve ka qenë aspak gjuhë e ndjeshme gjinore. E për të shkuar më tutje, gjuhë mjaft seksiste dhe gjuhë thellësisht e rëndë për viktimën që thjesht nuk është gjuhë e pranueshme ndoshta as në një muhabet të zakonshëm e lëre më në një vendim të gjykatës që vendos, ndan drejtësi dhe shpesh ajo që shpesh shihet është fajësimi i viktimës”, tha Rezniqi.
Sipas saj, kjo e fundit është më e dëmshmja në këto situata. Kurse, theksoi se bashkëpunimi është forma e vetme për të ecur përpara.
Rezniqi tha se zyrtarët, qeveritarët e politikanët nuk janë të kënaqur me kritikat e tyre. Por, theksoi se kritikat kanë për qëllim vetëm përmirësimin e situatës për viktimat e dhunës dhe të mos ketë përsëritje të këtyre situatave. /BetimipërDrejtësi
Nrecaj: Në procesin e trashëgimisë ka dhunë masovike ndaj grave

Anton Nrecaj, drejtor ekzekutiv në Organizatën CLARD, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në procesin e trashëgimisë, ka dhunë masovike ndaj grave.
“Në procesin e realizimit të së drejtës së pronësisë- të trashëgimisë, ka dhunë masovike kudo, kemi diku 6% deri 7% të grave që e fitojnë të drejtën e trashëgimisë”, tha Nrecaj.
Ai shtoi se edhe pse ligji e përcakton qartë të drejtën e trashëgimisë, gratë dhe vajzat shpesh detyrohen të heqin dorë për shkak të rrethanave familjare apo të tjera, gjë që është e padrejtë dhe kërkon zgjidhje.
“Përderisa ligji e përcakton në mënyrë shumë të kjartë se kush është trashëgimtar dhe si janë trashëgimtarët, në praktikë kjo nuk ndodh. Se gratë dhe vajzat duhet të tërhiqen nga e drejta e tyre në trashëgimi për shkak të rrethanave, qoftë familjare, qoftë rrethanave të tjera, dhe kjo është e padrejtë”, tha Nrecaj.
Po ashtu, ai tha se nëse vërtetë duam të jemi një shoqëri pa dhunë, ku respektohet e drejta, nuk mund ta arrijmë këtë vetëm me veprime nga shoqëria civile, pa mbështetjen dhe llogaridhënien e shtetit. /BetimipërDrejtësi
Nrecaj: Ndodh edhe sot kur gjyqtarët mes rreshtave e minimizojnë dhunën
Anton Nrecaj, drejtor ekzekutiv në CLARD, tha se edhe sot kemi raste kur gjyqtarët mes rreshtave e minimizojnë dhunën, duke e anashkaluar komplet Ligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje.
“Gjyqtarët mes rreshtave e minimizojnë dhunën, duke e anashkaluar komplet Ligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje, i cili përbrenda ka të inkorporuar të gjitha elementet e Konventës së Stambollit”, tha Nrecaj në “Tempus“.
Ai tha se pavarësisht asaj nëse viktima tërhiqet nga deklarata apo denoncimi i dhunës, gjykata e ka për obligim ligjor që të lëshojë urdhër mbrojtje, në mënyrë që viktima ligjërisht të ndjehet e mbrojtur.
Po ashtu, Nrecaj tha se kemi një kornizë ligjore mjaft të avancuar, e cila ju ofron viktimave mbrojtje të jashtëzakonshme nëse e njëjta kornizë do të zbatohej dhe nëse hallka zinxhirore e shtetit do të funksionte ashtu siç e parasheh edhe ligji.
Drejtori i CLARD përmendi edhe pjesën e parandalimit, për të cilën theksoi se pak ose fare pak është bërë invenstim në mënyrën trajtimit të parandalimit të rasteve të dhunës në familje. /BetimipërDrejtësi
Berisha: Shohim rritje të vetëdijes tek qytetarët për dhunën në bazë gjinore, ka rritje të raportimeve

Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), tha se vitet e fundit kanë vërejtur rritje të vetëdijes tek qytetarët për dhunën në bazë gjinore.
E ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Berisha tha se ka rritje të numrit të raportimeve. Tha se në 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore, janë në mbështetje të të gjitha organizimeve.
Dhuna në bazë gjinore, ajo tha se ka qenë gjithmonë në programin e tyre, pasi është problem me të cilin në vazhdimësi ballafaqohemi si shoqëri.
“Shohim një progres, shohim një rritje të vetëdijes edhe tek qytetarët”, tha Berisha.
Ajo theksoi se në vitin 2007 terminologjia dhunë në baza gjinore ka qenë e panjohur. Kurse, tani thotë se është koncept që njihet.
“Dihet që dhunë në bazë gjinore është dhunë që i drejtohet dikujt vetëm për shkak të gjinisë, identitetit gjinor të atij personi. Mendoj që ky është një hap pozitiv”, tha Berisha.
Sipas saj, është parë një trend i rritjes së raportimeve tek institucionet. Tha se fokusi i tyre ka qenë rritja e vetëdijes që dhuna nuk duhet të fshihet brenda mureve.
“Kemi parë një trend të rritjes së raportimeve tek institucionet. Për shembull, më 2007-2008 s’kanë qenë as 500 raste të raportuara me aq sa e di vetëm deri në këtë periudhë janë mbi 2 mijë e 500 raste të raportuara dhe besoj që kjo reflekton një punë të bërë nga ne shoqëria civile”, tha Berisha.
Berisha përmendi edhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore, gjë që tha se është kontribut i shoqërisë civile.
Ajo tha se këtë vit një grua u vra në dyert e Qendrës për Punë Sociale, e vitin e kaluar në Spitalin Gjinekologjik, raste këto që tregojnë punën që duhet bërë për t’i mbrojtur viktimat e dhunës në bazë gjinore. /BetimipërDrejtësi