Koordinatorja në Qendrën për Ndihmë Juridike të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), Arrita Rezniqi, ka deklaruar se nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës në Kosovë ka vendime të paarsyetuara për refuzimin e njohjes së statusit të viktimës së dhunës.
“Fatkeqësisht ne kemi pas, sidomos vite më herët edhe vendime të Komisionit ndonjëherë që edhe nuk kanë qenë të arsyetuara si duhet, kanë qenë domethënë vendime që ne shpesh i shohim nga organet administrative shtetërore, ku është si njëlloj forme ta quaj si shabllon i vendimit, ku nuk arrin ta kuptosh edhe pse është refuzuar një kategori e tillë dhe ajo e vështirëson punën edhe për neve, por në veçanti edhe për palën, sepse është fazë tjetër në të cilën ti duhet të merresh, domethënë edhe me pjesën direkt të trajtimit të palës sepse nuk ke arsye që pse ka ardhur deri tek refuzimi që çon deri në humbjen e besimit të vetë atij personi ndaj institucioneve, por edhe ndaj gjithë procesit si të tillë”, ka theksuar Rezniqi në emisionin “Tempus” në KTV.
Sipas saj, mosarsyetimi i duhur i vendimeve dërgon në humbjen e besimit të palëve ndaj institucionit dhe gjithë procesit.
Rezniqi ka deklaruar se organizatat dhe institucionet shtetërore në përgjithësi duhet të ofrojnë kujdes të duhur dhe të veçantë ndaj kategorisë së viktimave të dhunës, dhe sipas legjislacionit në fuqi, në kohë optimale t’ju mundësohet zbatimi i të drejtave.
“Në momentin që ne arrijmë t’i trajtojmë të gjitha këto raste në mënyrë sa më profesionale, duke e ofruar kujdesin e duhur, dhe këtu flas edhe për organizatat edhe për institucionet shtetërore në përgjithësi duke pas një kujdes të duhur me një ndjeshmëri të veçantë ndaj kësaj kategorie, është një lehtësim që mund ta bëjmë ne bashkërisht në këtë proces, por që në anën tjetër në përgjithësi, trajtimi duhet të bëhet sipas asaj qysh e ka përcaktuar legjislacioni në fuqi, dhe pastaj të ndiqen procedura të duhura në vazhdimësi, në kohë sa më optimale dhe brenda mundësive të lehtësimit të gjithë këtij procesi për ta, duke ju mundësuar secilit të drejta dhe zbatim të këtyre të drejtave”, ka deklaruar Rezniqi.