TEMPUS

Rezniqi: Ka politikë të ulët ndëshkimore e mosfuqizim të grave që kanë përjetuar dhunë

Arrita Rezniqi

Arrita Rezniqi, koordinatore në Qendrën për Ndihmë Juridike të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se politika ndëshkimore është një butë në rastet e dhunës në familje dhe se ka mosfuqizim të grave që kanë përjetuar dhunë.

Razniqi ka deklaruar se gjetjet e IKD në përgjithësi kanë treguar se në raste të dhunës në familje ka shqiptim të dënimeve me kusht ose me gjobë.

“E kuptojmë shumë mirë specifikat që mund t’i ketë secili rast, e kuptojmë rëndësinë e pavarësisë në vendimmarrje të secilit gjyqtar, por kur shihet që një numër shumë i madh për shembull prej 50 raste mbi 37 përafërsisht janë raste të dënimeve me kusht, atëherë më nuk ka të bëjë me raste specifike por ka të bëjë me një fenomen në vendimmarrje që po manifestohet me një lloj tendence për luftim të dhunës në familje me burgime me kusht”, është shprehur Rezniqi.

Sipas saj, nuk po arrihet qëllimi i dënimit në asnjë formë dhe se kjo është një problematikë në vete.

“Ka një mungesë të theksuar të përkrahjes së grave të viktimave të dhunës në familje, në veçanti në aspektin e fuqizimit ekonomik të tyre, gratë që janë viktima të dhunës në familje pas raportimit të rastit e ka problematikë pjesën e mëtejme se si të vazhdojë jetën tutje sepse financiarisht në shumicën e rasteve këto viktima janë të lidhura me kryerësin e dhunës dhe detyrohen që të kthehen tek i njëjti për shkak të faktit që nuk kanë pavarësi financiare”, ka theksuar Rezniqi.

Po ashtu, Rezniqi ka deklaruar se ka nga rastet që kanë përfunduar me fatalitet që kanë pasur urdhër mbrojtje në fuqi dhe që ekziston mungesa e mbikëqyrjes elektronike, pra moszbatimit të Ligjit për mbikqyrje elektronike që vjen si pasojë e mungesës së hallkave elektronike që ende nuk po zbatohen prej Ministrisë së Drejtësisë.


Rezniqi: KPK-ja ka shkelur Rregulloren kur nuk zgjodhi kandidaten grua si anëtare

Koordinatorja në Qendrën për Ndihmë Juridike të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), Arrita Rezniqi, ka deklaruar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkelur Rregulloren kur nuk zgjodhi kandidaten grua si anëtare.

“Ka pas një anëtare e cila përkundër Rregullores që e përcakton qartazi se duhet të kemi tri anëtare gra në Këshillin Prokurorial, nuk iu ka interesuar që të respektohet kjo, ka pas një shkelje të qartë të Rregullores së KPK-së, të ligjit dhe po ashtu të vetë praktikës që e ka përfaqësuar dhe e ka ndjek vetë ky Këshill Prokurorial në situata kur kemi pas kandidatë burra”, ka deklaruar Rezniqi në “Tempus“ në KTV.

Ajo ka shkruar se kjo situatë është shqetësuese dhe dëshmon qartazi se përkundër zotimeve që mund të jepen, veprimet nuk janë ato që shkojnë në favor të përkrahjes së grave në qasje të të poseduarit pozita udhëheqëse.

“Në momentin kur nuk u jepet hapësirë e mjaftueshme grave, kjo e minon automatikisht pozitën e grave në shoqërinë tonë sepse nuk do të thotë që ne të bëjmë avancime vetëm në aspekt të kornizës ligjore, por duhet që këto t’i vëmë në praktikë dhe thjesht t’i japim fund më këtij mentaliteti që pozitat udhëheqëse të jenë të përfaqësuara nga burrat”, është shprehur Rezniqi.