TEMPUS

Rexhepi: Jemi duke punuar në llogaridhënie, i zhgënjyer për zbatimin e udhëzuesit për praktikë ndëshkimore

Fejzullah Rexhepi

Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është i zhgënjyer me zbatimin e udhëzuesit për praktikë ndëshkimore.

Rexhepi tha se janë duke punuar në llogaridhënie, ngase kjo e rrit vëmendjen, edhe në trajnime edhe në përcjelljen e praktikave të Supremes. Tha se presin që në të ardhmen të ketë rezultate konkrete.

“Realisht, nuk e them për herë të parë, personalisht jam i zhgënjyer me zbatimin e udhëzuesit për politikën ndëshkimore, kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne i kemi hy rishikimit të udhëzuesit, tash jemi në fazën finale ku pritet ta kalojmë atë në seancën e përgjithshme, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në lehtësimin e aplikimit të udhëzuesit, kemi thjeshtësu aplikimin e tij dhe secili gjyqtar e ka qasjen më të lehtë në aplikim në raport me udhëzuesin e rishikuar”, tha Rexhepi.

Kryetari i Supremes tha se pret që të ketë zbatim udhëzuesi në fjalë, ngase është me interes të gjyqtarëve që të ndjek atë praktikë.
“Unë pres që të ketë zbatim, udhëzuesi është jo-obligues në kuptimin e dispozitave ligjore, por derisa është praktikë e unifikuar e Gjykatës Supreme besoj që është interes i secilit gjyqtar që të ndjek atë praktikë sepse udhëzuesi nuk është diçka e shpikur, por është shpjegim i dispozitave ligjore dhe është lehtësim për gjyqtarët”, shtoi ai.

Para tij, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se po kalojnë vite pa e kuptuar mandatin e Akademisë së Drejtësisë. Tha se çështja e dhënies së buxhetit është problematikë në shumë fusha, ku përmendi obligimin që secili gjyqtar të ketë bashkëpunëtor profesional, e që ky obligim nuk është realizuar.

“Nëse ka pas buxhet për gjithë këto pozita të gjyqtarëve të rinj, normalisht është dashtë me analizu se cilat kanë qenë efektet, efektet shtrihen edhe tek Akademia e Drejtësisë, efektet eventualisht shtrihen edhe në zyra të gjyqtarëve edhe nevojën për rritje të stafit mbështetës e jo thjesht të bëjë veprime të izoluara dhe të mos e sheh se cili është ndikimi tyre në praktikë”, tha Shala.

Shala tha se për shkak të buxhetit, Akademia nuk mund të zhvillojë një plan, një vizion strategjik se ku e sheh veten. 
 

Lexo përditësimet tjera
Ardian Bajraktari

Bajraktari: Akademia ashtu si institucionet tjera të drejtësisë vuan nga mungesa e resurseve

Avokati Ardian Bajraktari tha që Akademia e Drejtësisë po përballet me mungesën e resurseve, duke pamundësuar...